Janë bërë gati tetë muaj prej kur është pezulluar procesi për restaurimin e një prej monumenteve më të rëndësishme të Mitrovicës. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë bashkë me UNDP-në kanë thënë se nuk kanë çfarë të deklarojnë për këtë proces, përderisa Ministria e Kulturës ka heshtur me gjithë zotimet e ministrit Hajrulla Çeku. Në shkurt të këtij viti, kur gjithçka ishte gati që të nisnin konservimi dhe restaurimi, situata qe alarmuar në fillim të shkurtit, kur ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, reagoi duke bërë thirrje të “mos shtrembërohet e vërteta në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendës”. Prej atëherë projekti është pezulluar
Institucionet vendore e ndërkombëtare janë duke heshtur sa i përket implementimit potencial të projektit për restaurimin e Shtëpisë së Xhafer Devës. Janë bërë gati tetë muaj prej kur është pezulluar procesi për restaurimin e një prej monumenteve më të rëndësishme të Mitrovicës. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë bashkë me UNDP-në kanë thënë se nuk kanë çfarë të deklarojnë për këtë proces, përderisa Ministria e Kulturës ka heshtur me gjithë zotimet e ministrit Hajrulla Çeku.
Në shkurt të këtij viti, kur gjithçka ishte gati që të nisnin konservimi dhe restaurimi, situata qe alarmuar në fillim të shkurtit, kur ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, reagoi duke bërë thirrje të “mos shtrembërohet e vërteta në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendës”. Në ditën e 8-të të shkurtit Zyra e BE-së në Kosovë bashkë me atë të UNDP-së kishin dalë me një deklaratë të përbashkët duke bërë të ditur pezullimin e projektit. E MKRS-ja kishte paralajmëruar se do të presë një kohë, por do të zbatojë projektin vetë nëse partnerët ndërkombëtarë heqin dorë. Por, partnerët ndërkombëtarë kanë thënë se nuk kanë çfarë të thonë në raport me këtë projekt.
“Ne nuk kemi informacione shtesë sa i përket restaurimit të Shtëpisë së Xhafer Devës”, ka thënë Burbuqe Dobranja, zyrtare për informim në UNDP. Pak a shumë të njëjtën gjë e ka thënë edhe Zyra e BE-së.
“Nuk kam diçka të re të shtoj sa i përket kësaj çështjeje”, ka thënë Nikola Gaon, udhëheqës i seksionit për komunikim në Zyrën e BE-së.
E, Ministria e Kulturës qysh prej të hënës nuk ka ofruar përgjigje sa i përket kësaj çështjeje.
Në mars të këtij viti, një muaj pas pezullimit të procesit, Ministria e Kulturës kishte thënë se janë duke zhvilluar konsultime me bashkëpunëtorët e projektit për të marrë një vendim se si do të veprohet.
“Ministria e Kulturës është e përkushtuar që të sigurojë të gjitha kushtet e domosdoshme për të vazhduar këtë proces bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, kishte thënë Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.
Zyra e BE-së në Kosovë dhe UNDP-ja më 8 shkurt kanë bërë të ditur se kishin pezulluar projektin.
“UNDP-ja së bashku me BE-në kanë pezulluar punën në lokacion. Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe po e rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë mundësinë e shfrytëzimit të polemikës aktuale si mundësi për të shqyrtuar haptazi të kaluarën përmes diskutimeve dhe konsultimeve me të gjitha komunitetet përkatëse”, shkruhet në deklaratën e UNDP-së dhe të BE-së, prapa së cilës qëndrojnë ende.
Ish-pronari i Shtëpisë, Xhafer Deva, qe ministër i Brendshëm i Shqipërisë prej vitit 1943 deri më 1944, në kuadër të Këshillit të Regjencës. Deva është figurë polarizuese e historiografisë. I takoi Qeverisë që për disa historianë synonte një Shqipëri të Madhe e për disa të tjerë ishte bashkëpunëtor i pushtuesve nazistë. Por Shtëpia, ish-pronar i së cilës qe Xhafer Deva, mbrohet me ligj si trashëgimi arkitekturore. E ndërtuar në vitin 1930, ndërtesa solli frymë të arkitekturës evropiane në Mitrovicë. Pas restaurimit llogaritet të jetë qendër kulturore dhe seli e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë. BE-ja me MKRS-në janë bashkëfinancuese, kurse UNDP-ja zbatuese e projektit.
Qeveria më 9 shkurt qe shprehur e vendosur për restaurimin e Shtëpisë së Xhafer Devës. Nuk do të heqë dorë nga investimi në një prej monumenteve më reprezentative, jo veç në Mitrovicë.
Në një konferencë për media ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte thënë se diskutimi i hapur ka burimin në Serbi.
“Debati i ditëve të fundit ka origjinën në Serbi dhe është shumë e qartë”, kishte thënë Çeku. Me këtë u ishte referuar thirrjeve të ministres së Kulturës dhe Informacionit në Serbi, Maja Gojkoviq, e cila kishte bërë thirrje që të ndalej projekti shkaku i figurës së Xhafer Devës.
“Paradoksalisht një shtet që mohimin e gjenocidit dhe rehabilitimin e kriminelëve e ka politikë shtetërore, tenton ta fabrikojë një narracion duke e portretizuar Kosovën si mohuese të Holokaustit ose duke e paraqitur projektin e restaurimit të këtij monumenti si përpjekje për rishkrim të historisë. Është narracion i gënjeshtërt që vjen nga Serbia, sepse faktet historike janë kokëforta dhe qartësisht s’janë në anën e Serbisë”, kishte thënë Çeku. Sipas tij, monumenti i mbrojtur, që në Listën e Trashëgimisë Kulturore formalisht figuron me emrin Shtëpia e Xhafer Devës, është monument me pronësi publike. Kishte shpjeguar se gjatë historisë së saj ka pasur funksione të shumta publike, përfshirë Shtëpinë e Shëndetit apo funksione të tjera.
“Dhuna ndaj monumentit, arkitekturës, është në kundërshtim të plotë me konventat ndërkombëtare dhe me praktikat evropiane të mbrojtjes së trashëgimisë. E, ndër këto praktika është ajo e shtetit tonë mik, Gjermanisë. Jemi të interesuar t’i respektojmë konventat ndërkombëtare dhe praktikat e mira të shteteve evropiane dhe të tjera”, kishte thënë ministri Çeku.
Historia e ndërhyrjeve në këtë monument daton qysh prej vitit 2010. Janë nënshkruar disa kontrata, janë bërë ndërhyrje emergjente e restauruese. Më 2015 Shtëpia qe përfshirë nga zjarri dhe për shumëkënd bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, por një gjë e tillë ka ngelur në kuadër të aludimeve. Më pas, më 2018 ka nisur procesi tjetër i ndërhyrjeve që ishte ndërprerë pas vendosjes së pllakave.
MKRS-ja zyrtarisht ka shpenzuar 92 mijë e 996 euro deri më tash sa i përket këtij monumenti. Për sivjet ka paraparë 100 mijë euro. Krejt projekti i ri financiarisht peshon 300 mijë euro. Barra më e madhe financiare është e Ministrisë së Kulturës.