Kulturë

“Dur Gur Mur” reflekton mbi trashëgiminë e errët dhe kujtesën

Mesazhi i filmit është mbijetesa dhe efekti i asaj se çfarë ka kaluar shoqëria. Ai vjen si përvojë me sprovat e si shtytje për të ecur përpara si shtet. Regjisori Genc Jakupi është shprehur se raporti i tij me filmin është shumë personal e sidomos ky projekt që ka mbledhur shumë kohë të trazuara në pak minuta. Për dhjetë minuta filmi “Dur Gur Mur” ndjek një djalë të vogël teksa endet rreth një stacioni treni të braktisur. Ai hapet me skenën e një vajze që vajton, derisa mban një qepë në dorë e tërë kohën përsërit fjalët “por si?”

Në “Kino Armata” është prezantuar filmi “Dur Gur Mur” i regjisorit Genc Jakupi. Përveç premierës në Prishtinë, ka qenë edhe bashkëbisedë me regjisorin e njohje me filmin. I pranishëm ka qenë edhe aktori Ersin Muhaxheri. Filmi është artikulim i historisë së kaluar që paraqitet në trenin e braktisur e rrobat e njerëzve që nuk janë të gjallë.

Salla e vetme e “Kino Armatës” ka qenë dëshmitare për filmat e shfaqur, koncertet e promovimet e mbajtura bashkë me ngjarje të tjera. Arsyeja e grumbullit të njerëzve para dyerve të kinemasë të mërkurën mbrëma ka qenë premiera e filmit “Dur Gur Mur”, i cili është realizuar në kuadër të platformës “Heritage Space” të fondacionit “Cultural Heritage Without Borders Kosova”. Disa minuta pas kohës së paralajmëruar të shfaqjes së filmit, të pranishmit kanë filluar të hynin brenda në sallë e të zinin vendet e tyre. Vetë regjisori i ka përshëndetur të pranishmit e menjëherë ka zbritur letra e bardhë e projektorit.

Për dhjetë minuta filmi “Dur Gur Mur” ndjek një djalë të vogël teksa endet rreth një stacioni treni të braktisur. Ai hapet me skenën e një vajze që vajton derisa mban një qepë në dorë e tërë kohën përsërit fjalët “por si?”. Pyet pse ka ndodhur kështu me gjithë njerëzit e vrarë, të masakruar, të dhunuar e me gjithë shtëpitë e djegura gjatë luftës. Një djalë i ri hap portën e stacionit të trenit e fillon të shëtisë nëpër gjithë hapësirën e braktisur. Gjen një fletore ku shkruhen fjalët “truni”, “druni” dhe “gruni”. Shkronjat e njëjta të fjalëve i nënvizon dhe i bën bashkë. Skenat e filmit hapen edhe në stacionin e trenit me borë, ku fëmija shëtit mes trenave e mes rrobave të varura e që era i valëvit. Në prapavijë tërë kohën e shoqëron muzika me tinguj pianoje. Regjisori i filmit përdor gjuhën kinematografike sureale në hulumtim të raportit mes trashëgimisë së errët dhe kujtesës. Pikënisje janë kujtimet e tij gjatë deportimit nga fshati Bllacë të Suharekës gjatë luftës së fundit.

Filmi që për regjisor e skenarist ka aktorin Genc Jakupi tregon historinë për udhëtimin në stacionin e trenit. Vetë regjisori Jakupi ka marrë pjesë në filmat artistikë “Bleed for This” dhe “You Won’t Be Alone” krahas aktorëve Miles Teller dhe Noomi Rapace. Ai gjatë viteve të adoleshencës është transferuar në New York, ku edhe është shkolluar e zhvilluar karrierën e tij, ndërsa më 2018 është kthyer në Kosovë për të luajtur rolin kryesor në filmin artistik “Drita”, që premierën e pati në Festivalin e Filmit në Cyrih.

Sapo filmi përfundon, ai bashkë me aktorin e ri Ersin Muhaxheri kanë zënë vendet e tyre në dy karriget e vendosura në mes të skenës, para ekranit të filmit, për ta prezantuar projektin e tyre. Derisa aktori i ri ka folur vetëm sa për të pohuar a mohuar diçka, ka qenë regjisori Jakupi që është shprehur i befasuar me talentin e tij dhe disiplinën e kujdesin gjatë punës. Ka thënë se ka qenë shembull për gjithë ekipin me të cilin kanë punuar së bashku.

Për një pjesë të filmit të xhiruar në lartësi e me dyshemenë prej rrjete metali ka thënë se ka qenë simbolikë për të treguar natyrën e asaj që ka dashur të komunikojë, se jeta është me sfida e sakrifica. Në një tjetër akrepat e orës i kthen pas. “Ora kthehet si simbol i së kaluarës që është prezente edhe si udhëtim i memories. Janë disa ndërprerje të saj që kam dashur t’i kthej në kohë”, ka thënë Jakupi. Ai është shprehur se filmi është imazh i trupave të zbrazët e i rrobave që nuk ka kush t’i veshë.

Ersin Muhaxheri ka pohuar se do të luajë edhe në filma të tjerë pas “Dur Gur Mur”. Genc Jakupi ka thënë se nuk i ka treguar atij për të kaluarën, pasi atë nuk ka mundur t’ia qartësojë as vetes. “Kur e kam takuar nuk kam biseduar për të kaluarën. Nuk jam munduar t’ia shpjegoj pasi nuk ia kam artikuluar as vetes atë. I kam thënë a don me lujt me ni film që jam tuj e ba, m’ka thanë jo. E kam pa që e ka thënë si po dhe i kam thënë a e bëjmë jo-në, po”, ka thënë Jakupi.

Mesazhi i filmit është mbijetesa dhe efekti i asaj se çfarë kemi kaluar si shoqëri në të kaluarën. Ai vjen si përvojë me sprovat e si shtytje për të ecur përpara si shtet. Regjisori është shprehur se raporti i tij me filmin është shumë personal e sidomos ky projekt që ka mbledhur shumë kohë të trazuara në pak minuta. Xhirimet janë zhvilluar për katër ditë.

Filmi është dhënë premierë në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, ndërsa në edicionin e dytë të Festivalit të Kinemasë së Pavarur në Madrid “FICIMAD”, të mbajtur më 9 qershor të këtij viti, aktori në film, Ersin Muhaxheri, kishte marrë çmimin për aktorin më të mirë në filmat e metrazhit të shkurtër. Në “Kino Armata” do të shfaqet edhe për tri ditë të tjera si reprizë.