Kulturë

“Pa vend” dhe “Vera andrron detin” me kapitull të ri në Festivalin e Hong-Kongut

Filmat që kanë bërë bujë në festivale ndërkombëtare gjatë vitit të kaluar, e po ashtu gjatë këtij viti, tashmë do të shfaqen edhe në Azinë aziatike. Do të jepen në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Hong-Kong. “Pa vend” do ta ketë premierën aziatike e njëkohësisht është në garë në kategorinë e filmave të shkurtër bashkë me 19 projekte të tjera kinematografike

Sukseset e filmave si ai “Vera andrron detin” dhe “Pa vend” do të zhvendosen në një tjetër anë të globit. Filmat që kanë bërë bujë në festivale ndërkombëtare gjatë vitit të kaluar, e po ashtu gjatë këtij viti, tashmë do të shfaqen edhe në Azi. Do të jepen në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Hong-Kong.

“Pa vend” do ta ketë premierën aziatike e njëkohësisht është në garë në kategorinë e filmave të shkurtër bashkë me 19 projekte të tjera kinematografike.

Por përveç këtyre dy filmave, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Hong-Kong do të shfaqet edhe filmi i vëllezërve belgë Pierre Dardenne dhe Luc Dardenne, “Tori e Lokita”, ku luan aktori shqiptar Alban Ukaj. Ky film premierën botërore e kishte në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Cannes.

Regjisori i “Pa vend” i këtij filmi, Samir Karahoda, ka thënë se pjesëmarrja dhe garimi në një festival siç është Festivalit Ndërkombëtar i Filmit në Hong-Kong janë shumë të rëndësishme.

“Në Hong-Kong do ta kemi premierën aziatike. Jemi të lumtur që e fillojmë rrugëtimin në Azi në një festival të rëndësishëm dhe me një përvojë të gjatë, ku këtë vit do të organizohet edicioni i 46-të”, ka thënë Karahoda. Sipas tij, “Pa vend” tashmë ka filluar të jetë prezent edhe në vende në të cilat Kosova nuk ka pasur asnjëherë prezence kinematografike më herët.

Lidhur me ecurinë e filmit, Karahoda ka njoftuar se në kuadër të Akademisë Evropiane të Filmit, “Pa vend” është shfaqur edhe në shtetin Bostwana të Afrikës Jugore, ndërsa pritet të shfaqet edhe në vende të tjera.

“Ajo që më ka lënë përshtypje është fakti që filmi ynë, në kuadër të Akademisë Evropiane të Filmit, ditët e kaluara është shfaqur edhe në Botswana. Në ditët në vijim do të dalim me njoftime të përzgjedhjeve të reja, pasi që akoma nuk mund t’i publikojmë, derisa vetë festivalet t’i publikojnë programet e tyre”, është shprehur ai.

Si regjisor Samir Karhoda debutoi me dokumentarin “Në mes”. Me këtë projekt për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të kategorisë “A”, ku u shfaq premierë në shkurt të 2019-s.

“Pa vend” bëri histori si produksion i parë vendor që garoi për “Palmën e Artë” në Festivalin e Cannes vitin e kaluar. Filmi ndërtohet mbi suksesin e klubit prizrenas të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, duke përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë, duke zhvilluar breza të rinj pingpongistësh.

Ndonëse “Pa vend” nuk ishte shpërblyer me “Palmën e Artë”, ai u bë filmi i parë nga Kosova që Festivali i Filmit të Cannes. Qe në konkurrencë edhe për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit.

Rrugëtimi i këtij filmi mbetet historik. Nga pesë festivalet më të mira në botë, ai u bë pjesë e tri prej tyre. Në janar të këtij viti në kuadër të “Sundance Film Festival”, “Pa vend” u shpërblye me çmimin për filmin më të mirë të shkurtër dokumentar. Po këtë vit, në Trieste të Italisë ai fitoi edhe Çmimin për filmin më të mirë të shkurtër.

Në anën tjetër, së bashku më “Pa vend” në Honk-Kong shikuesit do të mund ta shohin edhe filmin e gjatë artistik “Vera andrron detin” me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës. Do të shfaqet në kuadër të programit “Global Vision”.

Image
Skenë nga filmi “Vera andrron detin”

“Vera andrron detin” është një dramë gjysmëbiografike. E ndërtuar rreth eksperiencës së vërtetë të nënës së regjisores, filmi ka në fokus një interpretuese të gjuhës së shenjave, Verën (Teuta Ajdini-Jegeni), e cila detyrohet të luftojë kundër patriarkatit për të fituar trashëgiminë e burrit të saj, Fatmirit (Xhevat Qorraj). Ajo mund të humbë shtëpinë të cilën dëshiron t’ia lërë vajzës së saj.

Me producent Shkumbin Istrefin, filmi “Vera andrron detin” është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Punëtoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Kasta e aktorëve përbehet edhe nga Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi e Ilire Vinca.

Premierën e pati në një ndër festivalet më të vjetra dhe më me zë në botë, në Festivalin e Filmit në Venecia në shtator të vitit 2021.

Më 2021, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio, “Vera andrron detin” mori “Grand Prix”. U vlerësua vizioni dhe regjisorja Krasniqi u bë regjisorja e parë që mori çmimin kryesor të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokio dhe që bëri që për herë të parë vendi të ishte në garën zyrtare të këtij festivali prestigjioz. Po këtë vit, në Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik, “Vera andrron detin” u shpërblye edhe me Çmimin special të jurisë.

Në ditën e 15-të të këtij muaji, “Vera androrn detin” do të shfaqet edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Edinburg të Britanisë së Madhe.

I themeluar në vitin 1976, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Hong-Kong (HKIFF) është festivali më i vjetër ndërkombëtar i filmit në Azi dhe një pionier në prezantimin e Hong-Kongut, gjuhës kineze dhe kinemasë dhe kineastëve aziatikë në botë.

Duke shfaqur çdo vit mbi 200 tituj nga më shumë se 50 vende, në afërsisht 10 ambiente kryesore kulturore në të gjithë territorin, Festivali është një nga ngjarjet më të mëdha kulturore të Hong- Kongut. Ai paraqet premiera botërore dhe ndërkombëtare të filmave të Hong-Kongut dhe aziatikëve, si dhe premiera aziatike të filmave ndërkombëtarë. Festivali ka ruajtur premisën e tij themelore që te audienca vendëse të sjellë filma për të cilët ata mund të mos kenë njohuri dhe për të prezantuar në botë filmat e Hong-Kongut, gjuhën kineze dhe aziatike. Edicioni i sivjetmë mbahet prej 15 deri më 31 gusht.