Kulturë

“Balkan Bordello” i rikthehet gadishullit, të cilin e godet

Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, janë stacionet e “Balkan Bordello” për muajin gusht. Shfaqja prek indin e temperamentit ballkanas, gjurmon morbiditetin e shpirtit njerëzor dhe nxjerr në pah “budallallëkun dhe naivitetin e një epoke, që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes”

Shfaqja e cila e zhvesh gadishullin problematik i është kthyer rajonit. “Balkan Bordello” do të jetë në një turne rajonal prej fillimit të javës që vjen. Shfaqja, që është bashkëproduksion midis teatrit prestigjioz “La MaMa” në New York, “Qendrës Multimedia” në Prishtinë, “Atelje 212” në Beograd dhe “My Balkans” në (SHBA/Serbi) do të jepet katër herë në rajon.

Me 8 gusht, kasta do të luajë në “Nisville Jazz Teatar Festival” në Nish, më 10 gusht në “Ohrid Summer Festival” në Ohër, më 12 gusht në “KotorArt International Festival” në Kotor dhe më 13 gusht në “Wild Beauty Art Festival” në Zhablak.

“Balkan Bordello”, si produksion ndërkombëtar, pesë muaj pas premierës botërore në Prishtinë, ishte shfaqur në ShBA, në teatrin prestigjioz “La MaMa” në New York. Shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, ishte dhënë premierë amerikane me 31 mars të këtij viti. Ishte shfaqur për dhjetë ditë rresht në “La MaMa”

Premiera në teatrin “Oda” në kryeqytet, erdhi si shfaqje e universalizuar. Në fakt “Balkan Bordelo” është versioni tjetër prej asaj “Bordel Balkan”, nën regji të András Urbán, e dhënë premierë më 2017, e që bëri bujë ende pa u shfaqur. Dramaturgu Neziraj qe kërcënuar me vrasje pasi organizatat e veteranëve të UÇK-së, konsideronin se ai po njolloste vlerat e luftës. Në version ndërkombëtar nuk kishte pasur “paraskena të tilla”.

E bazuar në trilogjinë “Orestia” të Eskilit, drama vjen në një frymë krejt bashkëkohore. Është e “kriposur” me detaje e ngjarje, që banorët e Ballkanit i njohin mirë. Bile, një pjesë i kanë përjetuar. Por, ato janë modifikuar që të marrin kuptim më gjeneral. Kafehania e dekoruar për tmerr, në kohë lufte për klientë, ka njerëz, që frikën e kanë konstante. Midis tyre edhe poetë, që ua ha mendja, që vlejnë më shumë se mijëra ushtarë.

“Kasta ndërkombëtare në përbërje të Onni Johnsonit, Svetozar Cvetkoviqit, George Drancet, Eugene the Poogene, Valois Mickens, John Maria Gutierrez, Mattie Barber-Bockelman, Ivan Mihailoviq, Matt Nasser, Verona Koxha, duket se e kanë kuptuar saktë atë, që do ta paraqesin. Më lehtë duhet ta kenë pasur serbët e shqiptarët”, kishte shkruar “Koha Ditore” për premierën e “Balkan Bordellos”, më 4 nëntor të vitit të kaluar.

“Frikacakëve iu dalin të sakta pritjet, kur hamendësojnë tmerrin pasi luftëtarët të kthehen nga frontet”, kishte shkruar “Koha…”, duke nxjerrë edhe paralajmërimin, që bën shfaqja krejt në fund. “...bordeli merr flakë. Shumë i gëzohen këtij fakti, e të tjerë druajnë nga zhvillimet. Në Ballkan shpesh paralajmërohet flaka. Megjithëse, ka më shumë se dy dekada, që nuk është parë, baroti gjithnjë është i thatë. Bile, kohëve të fundit edhe më”, kishte shkruar “Koha Ditore”. Shfaqja – e dhënë në kuadër të edicionit të katërt të “Kosovo Theatre Showcase” – ishte vlerësuar lart nga kritikë e media të njohura botërore.

“Gjuha teatrore është sa alegorike edhe lirike. Qëndrimi ushtarak dhe derdhja e gjakut gjithmonë kërkon hakmarrje”, kishte shkruar “American Theatre”.

Mediumi gjerman “Deutsche Welle” e kishte vlerësuar si “një shfaqje teatrore, e cila ka tërhequr interes të jashtëzakonshëm në tërë Ballkanin”. “Ajo flet për luftërat në ish-Jugosllavi, mirëpo bazohet në tragjeditë greke dhe bart një mesazh universal kundër luftës”, kishte shkruar “Deutsche Welle”.

Shfaqja prek indin e temperamentit ballkanas, gjurmon morbiditetin e shpirtit njerëzor dhe nxjerrë në pah “budallallëkun dhe naivitetin e një epoke, që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes”. “’Balkan Bordello’ është dramë për shoqëritë e traumatizuara, që hanë vetveten. Ajo na ballafaqon me luftën si makineri të shkatërrimit, e ku jeta e normaliteti kapitullojnë para pabesive e ligësive të qenies njerëzore”, shkruhet në njoftimin për turneun rajonal.