Kulturë

“Brutal Times” në ringjalljen e përkohshme të frymës së “Rilindjes”

Nga njëri korridor përhapet jehona, që ngjan me zhurmën e makinerive, që shtypin gazetën, ndërsa te një tjetër, ajo e stilolapsit e shtypja e tasteve të makinave të shkrimit. “Brutal Times” e artistit Cevdet Erek në kuadër të “Manifesta 14” në objektin e dikurshëm të “Rilindjes” rikthen ndjesinë e një dite të zakonshme pune

Disa nga numrat e “Rilindjes” janë kthyer në vendin ku u shtyp kjo gazetë për 65 vjet. Zhurma e tasteve të makinave të shkrimit, ajo e shtypshkronjës, e shfletimi i saj nëpërmjet një ekrani në qoshe, kanë mbërthyer hapësirën e shtypshkronjës. Është kthyer ndjesia e punës dhe atmosfera e dinamizmit në objektin e gazetës së parë shqipe, në kohën e ish-Jugosllavisë. Dikur gjithçka brenda bëhej një me përgatitjen e gazetës, por që tash e 13 vjet i kanë mbetur vetëm muret.

Objekti i dikurshëm i “Rilindjes” është njëri nga lokacionet në hartën e bienales nomade evropiane, “Manifesta 14”. Edhe te ky objekt çojnë rrathët jeshilë, të vendosur në rrugët e trotuaret e kryeqytetit. Posa ato mbarojnë, zgjatet një “shteg” me dërrasa e anësore të zeza. Që para hyrjes e brenda saj janë vendosura drita ledë, që ndriçojnë hapësirën, që tash e sa kohë e zdrisin veç rrezet e diellit. Zhurma mund të dëgjohet që në hyrje. Në fillim duket e çakorduar. Brenda hapësirës, sa vjen e qartësohet. Nga njëri korridor përhapet jehona, që ngjan me zhurmën e makinerive, që shtypin gazetën, ndërsa te një tjetër, ajo e stilolapsit e shtypja e tasteve të makinës së shkrimit. Një kat më poshtë kësaj hapësire, janë vendosur drita lëvizëse me ngjyrë të kuqe. Disa nga muret ndriçohen herë pas here e vazhdimisht i shoqëron zhurma, që e ka karakterizuar për më shumë se gjashtë dekada.

Krejt kjo ndodh me ndërhyrjen artistike të artistit turk, Cevdet Erek. Zhurma e printerëve dhe ajo e tasteve vjen nga burime, që nuk shihen. Si gjëra abstrakte, që nuk arrihen. Jep ndjesinë e një ambienti dinamik të punës, i mbushur përreth me njerëz, që tërë kohën shkruajnë e shtypin, edhe jashtë limiteve. Pas gjithë kësaj fshihet përditshmëria e funksionimit të gazetës së përditshme.

Magjia prishet te rikthimi në realitet, në hapësirën boshe, përveç një tavoline, që shërben për t’u pajisur me maska e tri ulëse për vizitorët e njërit nga lokacionet e “Manifestas”.

Ballinat e gazetës më të shitur në trojet shqiptare jepen si pamje në ekranin gjigand, që është vendosur në njërin kënd të hapësirës. Ato ndërrohen thuaja çdo sekondë, ndriçohen po ashtu nga dritat ledë të vendosura nga artisti Erek, si pjesë e instalacionit.

Që nga viti 2009 kur objekti i ish-Rilindjes ishte mbyllur kur ka pushuar së botuari gazeta “Rilindja”, dyert i janë hapur përkohësisht me rastin e ndonjë ngjarje a koncerti. Njëjtë ka ngjarë edhe me bienalen “Manifesta 14” e cila e ka futur në listën e objekteve të braktisura, në të cilat janë bërë intervenime artistike. Synim ka kthimin e hapësirave publike te qytetarët, por kjo do të zgjasë vetëm për 100-ditët e bienales nomade.

Krejt ndërtesa e “Rilindjes”, ku pjesa më e madhe tash shfrytëzohet si objekt qeveritar, është ikonë e arkitekturës brutaliste, ani pse është tjetërsuar. E projektuar nga arkitekti maqedonas, Georgi Konstantinovski, u ndërtua në vitet ’70 ku do të hapej shtëpia e parë botuese e Kosovës.

Artisti Erek, nxjerr në pah ritmet e bazuara në kronologjinë e “Rilindjes”, ku në secilën sekondë të veprës përfaqësohet një ditë e historisë së saj. Aty krijon hapësirën e kujtesës dhe përvojën e mishëruar në objekt. Me “Brutal Times”, Cevdet Erek i përgjigjet turbullirave politike, që nënvizon ndërrimet e funksionit, identitetit dhe pamjes së objektit. Materiali i arkivuar i gazetës është siguruar nga biblioteka “Thesari i Kombit Shqiptar”.

Numri i parë i gazetës “Rilindja” qe shtypur më 12 shkurt 1945 në Shtypshkronjën Shtetërore në Prizren. Aty ka vazhduar vetëm deri në numrin e 60-të të saj. Numri 61 i gazetës faqoset dhe shtypet në Prishtinë, në Shtypshkronjën Krahinore të Frontit Popullor. Fillimisht ishte e përjavshme, por që nga viti 1964 nisi të botohet si e përditshme. Më 5 shtator 1990, pushteti serb ndaloi botimin e saj dhe rifilloi veprimtarinë me 12 qershor 1999, pas hyrjes së forcave të NATO-së. Ka qenë gazeta më e shitur në trojet shqiptare, ku tirazhin maksimal e ka mbërritur deri në 234 mijë ekzemplarë. Ajo ka pushuar së botuari në vitin 2009.

Në dhjetor të vitit 2019 ishte lansuar “Arkivi Rilindja” si tërësi e materialit të prodhuar nga gazetarë, shkrimtarë, redaktorë e fotografë. Autorja e këtij projekti qe shkrimtarja e studiuesja Ervina Halili. Ende nuk e ka parë ndërhyrjen artistike, por e ka cilësuar të mrekullueshëm faktin e hapjes së dyerve të “Rilindjes”. Ka nënvizuar se qëllim e dëshirë e saj është që kjo pjesë të kthehet në muze ose qendër të dokumentimit. Kjo jo vetëm që do të dokumentonte se aty ka qenë ndërmarrja e dytë më e madhe në ish-Jugosllavi sa i përket shtypit, por edhe do të kishte një arkiv shtypi, që mungon në Kosovë, që pastaj do të shërbente edhe për funksione të tjera.

“I është dhënë hapësirë një artisti, që mundet në të njëjtën kohë ta shfaqë punën e tij, por në njëfarë forme për t’i vetëdijesuar qytetarët, që e kanë humbur një hapësirë shumë të rëndësishme dhe historike. Ëndërr e imja është që ajo t’i kthehet tërësisht qytetarëve, jo vetëm për shfaqje artistike, por edhe si qendër e dokumentimit”, ka thënë Halili.

Për vizitorët e huaj, objekti reflekton në historinë e vështirë të Kosovës gjatë kohës së okupimit serb. Për ta është interesante sesi burimet e zërit e dritave janë të fshehura. Vlerësojnë se ka pjesë të bukura të arkitekturës, ndërsa historinë e objektit e konsiderojnë si hije e historisë, që po përsëritet në vende të ndryshme.

“E pashë këtë vepër arti dhe kur lexova për historinë e ndërtesës e detyrova veten të shkoj dhe u ktheva në historinë e Jugosllavisë dhe të luftës së Kosovës dhe gjithë këtyre transformimeve nëpër të cilat po kalon Kosova”, ka thënë Karol Sienkiewicz, vizitor nga Polonia. Për Anna Okraskon është interesante rrëfimi i veprës së artit dhe objektit në përgjithësi.

“Po mendoja se si e përjetoj ecjen në hapësirë me trupin tim. Fakti që përjetoj tingullin, që vjen nga nëntoka për mua është një prani dhe një efekt vërtet mahnitës. Më duket se është një ritëm, që vjen nga nëntoka, kështu që po mendoja se çfarë do të thotë kjo dhe për rrëfimin të cilin e krijon”, ka thënë ajo.

Dyert e ish-Rilindjes mbeten të hapura për njëqind ditët e bienales nomade “Manifesta” me instalacionin “Brutal Times” për objektin e arkitekturës brutaliste.