Opera “Tristani dhe Izolda” – një alternativë ndaj një bote me luftë, katastrofa, COVID dhe ngacmime seksuale – hap festivalin e Bayreuthit në Gjermani
Spektatorët, ndër të cilët edhe ish-kancelarja Angela Merkel, një adhuruese e kompozitorit Richard Wagner, dhuruan shumë duartrokitje në premierën e operës “Tristani dhe Izolda” me të cilën u hap Festivali i Bayreuthit. Që pas aktit të parë pati duartrokitje të furishme, veçanërisht për sopranon, Catherine Foster, në rolin e Izoldës dhe tenorin, Stephen Gould, në rolin e Tristanit, të cilët kënduan ose vetëm ose në duet.
Regjisori Roland Schwab kishte zgjedhur për inskenimin e kësaj drame për dashurinë dhe vdekjen, një mjedis spartan dhe futurist për t’i dhënë hapësirë dashurisë dhe muzikës së Richard Wagnerit, sipas filozofisë së të cilit njeriu mund ta gjejë vetveten vetëm përmes dashurisë, që është impuls i përgjithshëm dhe kuptim i jetës.
Në prag të Festivalit të Bayreuthit pati akuza të ndryshme për ngacmime seksuale ndaj punonjëseve. Drejtorja e festivalit, Katharina Wagner, ka thënë se për to ka mësuar vetëm përmes shtypit, sepse deri tani drejtuesit e festivalit nuk kanë marrë ende ndonjë ankesë të drejtpërdrejtë. Ajo ka shtuar se edhe vetë kishte përjetuar ngacmime të tilla, por si drejtore e festivalit kishte ditur të mbrohej dhe u bëri thirrje punonjëseve të prekura që ta kontaktojnë, dhe se ajo do t’i trajtojë këto raste si rreptësisht konfidenciale.
Ministrja federale e Kulturës, Claudia Roth, dhe ministri i Landit të Bavarisë për Shkencën dhe Kulturën, Markus Blume, iu bashkuan zërave, që kërkojnë një sqarim të pamëshirshëm të akuzave për ngacmime seksuale.
Ministrja e Kulturës, Claudia Roth, iu referua në konferecën për shtyp edhe luftës në Ukrainë dhe tha se aty se po zhvillohet një luftë, e cila drejtohet gjithashtu edhe kundër kulturës, sepse “Rusia po sulmon edhe institucionet kulturore në Ukrainë”.
Opera e Wagnerit “Tristani dhe Izolda” bazohet në një legjendë kelte. Sipas saj për të vendosur paqe mes popujve, vajza e mbretit irlandez, Izolda, i ishte premtuar si nuse xhaxhait të Tristanit, mbretit Marke, në Cornwall. Tristani, i cili dikur kishte vrarë Moroldin, vëllain e Izoldës, vjen me anije për ta marrë atë për xhaxhain e tij. Gjatë udhëtimit Izolda dhe Tristani pinë një pije magjike dhe bien në dashuri.
Një natë, kur kthehet nga gjuetia, mbreti Marke i kap të shoqen Izoldën dhe Tristanin të shtrirë në krevat në krahët e njëri-tjetrit. Ai e plagos Tristanin me shpatën e Moroldit. Izolda kujdeset për Tristanin e plagosur. Dikur Tristani vdes dhe më pas vdes nga mërzitja edhe Izolda.
Marrë nga “Deutsche Welle”