Kulturë

Shtëpiza mbi “Gërmi” në kontrapunkt me ndërtimet ilegale

Në bashkëpunim me bienalen nomade evropiane “Manifesta 14”, Alban Muja ka bërë diçka, që në rrethana normale, zor se do t’ia dilte. Mbi monument ka ngritur “shtëpinë ilegale” me shpresë, që ky të jetë ndërtimi i fundit pa leje

Alban Muja njihet si artist, që ka gjurmuar, analizuar e edhe trajtuar nëpërmjet veprave të tij shumë fenomene vendore. Ua ka dhënë një dozë të universalitetit, e pos kësaj, këto telashe të Kosovës i ka shëtitur nëpër galeri të ndryshme përtej Ballkanit.

 

Mbindërtimi “Mbi të gjithë” i Alban Mujës në ndërtesën e viteve ’70, e cila është një prej objekteve që ka zgjuar alamet debati për destinimin, që do ta ketë, thumbon direkt shoqërinë dhe institucionet për mbindërtimet e ndërtimet ilegale në Kosovën e pasluftës së fundit. Fasada karakteristike e “Gërmisë” për 100 ditë do ta ketë edhe kontrastin, mbindërtimin me ngjyrë të verdhë. Muja, shpreson që ajo të mbetet aty edhe pas “Manifestas” dhe për këtë ka arsye

Alban Muja njihet si artist, që ka gjurmuar, analizuar e edhe trajtuar nëpërmjet veprave të tij shumë fenomene vendore. Ua ka dhënë një dozë të universalitetit, e pos kësaj, këto telashe të Kosovës i ka shëtitur nëpër galeri të ndryshme përtej Ballkanit.

Vitin e kaluar në shtator, kur edhe hapi ekspozitën personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Muja midis të tjerash shpalosi edhe serinë e pikturave, “Above everyone” (Mbi të gjithë). Në këtë seri paraqiten ndërtesa në bardhezi, mbi të cilat qëndrojnë shtesa apo kate banimi me ngjyra të ndezura. Jo veç pse komplekset banesore të kohës së socializmit nuk kishin shumë ngjyra, e shquheshin për brutalizëm, por edhe për vëmendje. Muja mbindërtimit i ngjyros fort. Me çështjet e urbanizmit është marrë edhe nëpërmjet shtëpive të ndërtuara njëjtë, për disa vëllezër, pastaj me orientimin pa emra rrugësh por me pamje si “Blue wall red door” e të tjera.