Kulturë

Shtëpiza mbi “Gërmi” në kontrapunkt me ndërtimet ilegale

Mbindërtimi “Mbi të gjithë” i Alban Mujës në ndërtesën e viteve ’70, e cila është një prej objekteve që ka zgjuar alamet debati për destinimin, që do ta ketë, thumbon direkt shoqërinë dhe institucionet për mbindërtimet e ndërtimet ilegale në Kosovën e pasluftës së fundit. Fasada karakteristike e “Gërmisë” për 100 ditë do ta ketë edhe kontrastin, mbindërtimin me ngjyrë të verdhë. Muja, shpreson që ajo të mbetet aty edhe pas “Manifestas” dhe për këtë ka arsye

Alban Muja njihet si artist, që ka gjurmuar, analizuar e edhe trajtuar nëpërmjet veprave të tij shumë fenomene vendore. Ua ka dhënë një dozë të universalitetit, e pos kësaj, këto telashe të Kosovës i ka shëtitur nëpër galeri të ndryshme përtej Ballkanit.

Vitin e kaluar në shtator, kur edhe hapi ekspozitën personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Muja midis të tjerash shpalosi edhe serinë e pikturave, “Above everyone” (Mbi të gjithë). Në këtë seri paraqiten ndërtesa në bardhezi, mbi të cilat qëndrojnë shtesa apo kate banimi me ngjyra të ndezura. Jo veç pse komplekset banesore të kohës së socializmit nuk kishin shumë ngjyra, e shquheshin për brutalizëm, por edhe për vëmendje. Muja mbindërtimit i ngjyros fort. Me çështjet e urbanizmit është marrë edhe nëpërmjet shtëpive të ndërtuara njëjtë, për disa vëllezër, pastaj me orientimin pa emra rrugësh por me pamje si “Blue wall red door” e të tjera.

Por në bashkëpunim me bienalen nomade evropiane “Manifesta 14”, Muja ka bërë diçka, që në rrethana normale, zor se do t’ia dilte.

“Above everyone” më nuk është veç një projekt pikturash. Është edhe vepër, që zë vend në qendër të qytetit të Prishtinës mbi një prej ndërtesave ikonike të kryeqytetit.

Shtëpia e ndërtuar mbi ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” tashmë është vepër publike. Bile, bashkë me atë të Petrit Halilajt, “Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin” mbi hotelin “Grand”, nuk ka ndërhyrje të tjera, që bien në sy më shumë në krejt pikat, që janë prekur nga “Manifesta 14”.

Mbindërtimi i Mujës në ndërtesën e viteve ’70, e cila është një prej objekteve, që ka zgjuar alamet debati për destinimin, që do ta ketë, thumbon direkt shoqërinë dhe institucionet për mbindërtimet e ndërtimet ilegale në Kosovën e pasluftës së fundit.

Fasada karakteristike e “Gërmisë” për 100 ditë do ta ketë edhe kontrastin, mbindërtimin me ngjyrë të verdhë. Një fasadë tipike e shumë shtëpive kosovare. Mbindërtimi duket tamam si shtëpi, me dyer e dritare, bashkë me ballkon.

Alban Muja, i cili jeton midis Berlinit e Prishtinës, kohëve të fundit duke anuar nga kryeqyteti gjerman, ka treguar se pas luftës mbindërtimet kanë mbirë njëra pas tjetrës.

“Dikush ishte i shtyrë nga humbja e pronës e pasurisë por ka edhe prej atyre, ku është keqpërdorur ligji, duke rritur shtëpitë e ndërtesat”, ka thënë Muja.

Sipas tij, mbindërtimi mbi “Gërminë”, për të cilin ka pasur shumë debat, është bërë me shpresën që do të jetë mbindërtimi i fundit ilegal.

“Me këtë shpresoj ta ngremë një debat se çfarë do të bëhet me këto mbindërtime. Ne gjithsesi nuk themi se a janë mirë apo keq por vetëm ngremë debat. Mendoj që atyre, që kanë hapësirë për legalizim, të legalizohen. Por ato që nuk plotësojnë asnjë kriter, duhet respektuar plani urbanistik duke iu bërë familjeve një tjetër zgjidhje për të jetuar”, ka thënë Muja.

“Gërmia” shkaku i përplasjeve e mospasjes së një politike kulturore të nivelit nacional, shpesh është bërë mollë sherri. Si pasojë e mosmarrëveshjeve midis nivelit lokal dhe atij qendror, Komuna e Prishtinës më 2019 kishte humbur mundësinë që t’i përfitonte 11.4 milionë euro për projektin e sallës koncertale në kuadër të fondeve të Komisionit Evropian, “IPA 2019”. Ato ishin ridestinuar për dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”.

Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ndërtesën e ish-“Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata.

Më pas, në tetor të vitit 2018, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale. Krejt kjo kishte bërë që fondet e KE-së të ridestinohen dhe të humbasë mundësia, që kryeqyteti ta ketë një sallë koncertale, që ndërtohej kryesisht me donacion. Më pas Komuna nëpërmjet një konkursi kishte zgjedhur projektin e japonezit Kengo Kuma dhe partnerit të tij Bekim Ramku, që ish-shtëpinë e mallrave ta bëjë sallë koncertale.

Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama pos sallës synon aty edhe një galeri e krejt kompleksi të jetë qendra multikulturore “Evropa”. Prej vitit 2006, është dhënë ideja, që objekti i ish-“Gërmisë” të shndërrohej në muze të artit bashkëkohor.

Por Muja në kuadër të “Manifesta 14” ka bërë që ndërtesa të paktën të preket nga arti bashkëkohor.

Në anën tjetër, Muja i është ofruar publikut si kurrë më parë me një vepër të tij.

“Besoj që ne tash, sidomos pas asaj që ka ndodhur pas pandemisë, është me shumë rëndësi sjellja e veprave te publiku. Kjo vepër, që është për këto 100 ditë, e që për mendimin tim mundet edhe të mbesë, ka për qëllim edhe ta sjellë një debat për një fenomen të caktuar në hapësirë publike”, ka thënë artisti, i cili më 2019 e ka përfaqësuar Kosovën, në Bienalen Ndërkombëtare të artit në Venecie nëpërmjet “Family album”. Atje kishte dërguar histori lufte, në bienalen tjetër “Manifesta” ka ardhur me histori paslufte.

“Ne kishim edhe një takim me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama dhe kam përshtypjen se kishte një plan se çfarë do të ndodhë me ndërtimet ilegale. Shpresoj që kjo vepër në hapësirë publike do të jetë ndërtimi i fundit ilegal në kryeqytet”, ka thënë Muja. Shpresa e Mujës, që ndërtimet ilegale të ndalen mund të tingëllojë si diçka utopike. Janë 103 artistë, që me ndërhyrjet e tyre në 25 lokacione synojnë të provokojnë, dërgojnë mesazhe të kenë ndikim në çështjet, që trajtojnë në “Manifesta 14”, që sivjet mbahet në Prishtinë. Se sa do t’ia arrijnë qëllimit mbetet të shihet. Sa për veprën e Mujës, ajo ka zgjuar mjaft interesim. Provokimin të paktën e ka të sigurt.