Kulturë

“Manifesta 14” pushton Prishtinën për shkëlqimin e artit dhe lirinë

Descriptive Text

Si një paralajmërim e thirrje për t’ia kthyer shkëlqimin hotelit ikonik, janë yjet e Petrit Halilajt majë “Grandit”, por Prishtina me “Manifesta 14” kërkon shkëlqimin e lirinë nëpërmjet fuqisë së artit. Një gjë e tillë bëhet në shumë kontekste. Ndër to, liria e lëvizjes, që e ka përmendur presidentja Vjosa Osmani, përderisa liria e qytetarit për ta rimarrë hapësirën publike është edhe në esencë të kësaj ngjarjeje. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në këto 100 ditë pret shkëlqimin e vendit. E liria e shkëlqimi i artistëve vijnë në shprehje të ndryshme

Gjurmët e veta “Manifesta 14” i ka vendosur në kryeqytet hiç pa pritur hapjen zyrtare. Në një ecje nëpër sheshe ndihet fryma që i përafrohet qëllimit të bienales: ta bëjë Prishtinën një qendër të artit bashkëkohor.

Ashtu siç është paralajmëruar, “yjet” e Petrit Halilajt, artistit nga Kosova të njohur botërisht, janë ndezur nëpër dhomat e hotelit “Grand”, shkronjat e të cilit me veprën e tij transformohen në thënien si paralajmërim: “Kur të ikë dielli do ta pikturojmë qiellin”, siç është titulli veprës.

Image
Me ndezjen e dritave, artisti Petrit Halilaj ia ka kthyer “Grandit” yjet e shkëlqimin që dikur kishte ky hotel që mbrohet si monument

Me ndezjen e dritave Halilaj ia ka kthyer yjet e shkëlqimin që dikur kishte ky hotel që mbrohet si monument. Ndriçimi në dhomat e errëta bëhet edhe më i dukshëm nga plateja e Pallatit të Rinisë dhe Kulturës në Prishtinë, aty ku “Manifesta 14” e ka bazën dhe prej nga e hapi maratonën 100-ditore që është e fokusuar në intervenimin artistik nëpër 25 lokacione të ndryshme. Shkëlqim kërkon Prishtina por, mbi të gjitha, lirinë në kontekste të ndryshme.

“Rrëqebulli” në Sallën e Kuqe si katalizator në kohë

Image
“Lynx” (Rrëqebulli) e artistit Astrit Ismaili në Sallën e Kuqe të Pallatin e Rinisë, Kulturës dhe Sporteve, u ka paraprirë fjalimeve zyrtare

Përballë zyrtarëve të sigurimit kanë kaluar të gjithë ata që ia kanë mësyrë “Manifestas”. Ka qenë performanca “Lynx” (Rrëqebullit) e artistit Astrit Ismaili ajo që i ka ftuar brenda Pallatit të Rinisë, Kulturës dhe Sporteve. Salla e Kuqe është dukur krejt ndryshe me performancën e Ismailit. Me instrumentin në të cilin ka punuar një vit e gjysmë e të cilin e ka pagëzuar, “Lynx instrument” ka shfaqur ineraktivitet të vazhdueshëm. Brenda sallës lojën e tij artistike e ka shfaqur goxha dinamike. I veshur me taka dhe me veshje të zezë, Ismaili shpërfaq stilin e tij me syze të zeza. Skulpturat metalike kanë qenë shtyllat kryesore të lëvizjes. Artistët në skenë kanë qenë të lidhur mes vete. Performuesit aktivizojnë dhe ndërveprojnë me tingujt duke tërhequr fijet me trupat e tyre dhe duke përdorur zërat. Në këtë skenë Ismaili kishte interpretuar bashkë me motrën e tij Blerta Ismaili. E aty është kthyer duke gërshetuar këngët origjinale të kompozuara nga artisti. Ato vijnë si shumësi fragmentesh që merren nga arti, kultura popullore dhe politika. Me muzikën në harmoni me lëvizjet e ndërthurura në skenë, Ismaili luan me kohën të cilën e sheh edhe si katalizatorin kryesor drejt shërimit. “Koha është element shumë i rëndësishëm në këtë punë pasi që instrumentet funksionojnë me kohën në të cilën ne lëvizim, nëse lëvizim shumë shpejt edhe muzika shkon shumë shpejt. Është interesante ndonjëherë se si koha përkufizohet”, ka thënë ai në një intervistë për KOHËN pak ditë para performancës. Pjesëmarrësit e performancës për shkak të hapësirës së ngushtë me radhë kanë hyrë e kanë dalë nga salla e performancës. Temperaturat e larta edhe aty disa i kanë mbajtur të vëmendshëm deri në mbarim të performancës. E vetë Ismaili ka dalë edhe përtej sallës, aq sa i kanë lejuar fijet që kufizojnë trupat.

“Lule borë” e kompozuar nga nëna e tij, Selvete Krasniqi-Ismaili, i ka bërë bashkë vëlla e motër në skenë. Performanca e tij është një mesazh rezistence e individëve të ndryshëm që mbijetojnë në çdo rrethanë. Performanca e tij vjen si një festë e forcës ndaj situatave të limituara. Rrëqebullit e Ballkanit, përditë të kanosur nga zhdukja, kishin qenë inspirim për titullin dhe mesazhin e performancës. Pak minuta pas, kur vëmendja është hequr nga salla mbi skenën e vendosur në plate, ashtu siç është paralajmëruar në agjendë, koha u është lënë fjalimeve. Atëherë edhe yjet e Halilajt janë bërë të dukshëm. Me ndezjen e dritave vetë Halilaj kishte paralajmëruar një qiell të ri. “Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin”, e ka zëvendësuar emrin e hotelit nën synimin për të hapur një diskutim të ri, duke gjurmuar në historinë e së kaluarës. Si shumë qytetarëve që kanë kaluar pranë tij në sy i ka rënë edhe arkitektit nga Amsterdami, Siebe Tettero. Sipas tij, Halilaj ia ka dalë ta kthejë shkëlqimin hotelit.

“Është një ndërtesë shumë interesante. Mendoj që përdorimi i saj këto ditë është shumë i mirë se në ditët e tij glorifikuese. Më pëlqen të eci përreth tij dhe mendoj që është një vend shumë i mirë për të gjithë artistët që duan ta shprehin veten”, ka thënë Tettero për KOHËN. Nga skena u ka uruar mirëseardhje të gjithë qytetarëve të Prishtinës, të qyteteve të tjera, rajonit dhe atyre që kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës për t’iu bashkuar edicionit të 14-të të bienales nomade. Skena, e cila ka shërbyer për fjalime për gati një orë, është përdorur edhe si tribunë për të adresuar mungesën e lirisë së lëvizjes. E si vendi më i bukur në botë me rininë më të mrekullueshme në botë, u është drejtuar të pranishmëve presidentja e vendit Vjosa Osmani. Më pas fjalimin e ka vazhduar në anglisht me bindjen që kjo rini flet mirë anglisht dhe gjuhë të tjera. Pas kësaj u ka uruar mirëseardhje të gjithëve.

Osmani: “Arti nuk e pranon kufizimin”

Image
“Miq nga Evropa shikoni përreth, askush nuk e meriton më shumë lirinë e lëvizjes se njerëzit që i shihni përreth. Arti nuk e pranon kufizimin, arti e do lirinë”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani, në ceremoninë e hapjes së “Manifesta 14” në Prishtinë

“Prishtina është më së miri atëherë kur pret njerëz nga mbarë bota. Tani e kemi mundësinë që me art të shpërfaqim shpirtin rinor të kryeqytetit tonë – ashtu siç jemi të hapur për kultura të shteteve të gjithë botës”, ka thënë presidentja Osmani në fjalimin e saj. Ka shtuar se për 100 ditë “Hyjnesha në Fron”, që është simbol i Prishtinës, do të ndriçojë më shumë se kurrë dhe duke u bërë pikë kulturore për mbarë botën. E artistët e rinj të Kosovës janë ata që e kanë bërë të njohur Kosovën në botë. Dhe kjo, sipas saj, është mundësia më e mirë për të shpërfaqur identitetin evropian. Sipas Osmanit, bienalja është mundësi e mirë për të treguar histori vendore dhe një prej historive kryesore është që Kosova ka dalë nga një luftë e tmerrshme, por që prej saj falë njerëzve dhe një shoqërie që i ka mbijetuar tendencës së shfarosjes nga një regjim i gjenocidit. Por, Osmani në fjalimin e drejtpërdrejtë ka kërkuar liberalizimin e vizave për të rinjtë. Sepse Kosova, sipas saj, ndan vlera të njëjta dhe ka shumëçka t’i tregojë Evropës e botës.

“Zonja dhe zotërinj, miq nga Evropa, shikoni përreth, askush nuk e meriton më shumë lirinë e lëvizjes se njerëzit që i shihni përreth. Arti nuk e pranon kufizimin, arti e do lirinë”, ka thënë tutje Osmani.

Kurti: “Për 100 ditë ‘Manifesta’ do të qeverisë paralelisht me qeverinë time”

Image
“Kur Prishtina u përzgjodh si shteti që do ta presë ‘Manifestan’, kam qenë i mrekulluar të shoh se si “Manifesta” ka arritur të zbulojë pikërisht shpirtin e njerëzve tanë”, ka thënë kryeministri, Albin Kurti

Fjalimin në anglisht e ka vazhduar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti. Ka kujtuar që Prishtina ka qenë gjithmonë një qytet vibrant e kreativ edhe në ditët kur ishte e rrezikshme të ishe shqiptar e jeta kulturore nuk ndalej. U është referuar viteve ’90.

“Kur Prishtina u përzgjodh si shteti që do ta presë ‘Manifestan’, kam qenë i mrekulluar të shihja se si “Manifesta” ka arritur të zbulojë pikërisht shpirtin e njerëzve tanë. Kjo është arsyeja se unë besoj që në 100 ditët në vijim përmes ‘Manifestas’ do ta shohim Kosovën duke e shfaqur më të mirën dhe duke shkëlqyer”, ka thënë Kurti në fjalimin e tij. Një bienale si kjo ka thënë se do ta bënte çdo kryeministër krenar, tash që Kosova është në hartën ndërkombëtare të artit modern. Ka theksuar se bienalja ka më shumë artistë sesa që ka ditë, më shumë vende sesa që ka orë dita dhe do të përfshihen më shumë vende sesa që janë në Bashkimin Evropian.

“Për 100 ditë ‘Manifesta’ do të qeverisë paralelisht me qeverinë time”, ka thënë ai në fjalimin e tij.

Rama: “Prishtina tash është në mesin e qyteteve evropiane”

Image
“Prishtina tash është në mesin e qyteteve evropiane. Automatikisht e kemi Prishtinën në kulmet e mediave të artit dhe kulturës si një vend nikoqir i bienales ‘Manifesta’”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Fjalimi kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, ka qenë një përzierje mes gjuhës shqipe dhe asaj angleze në fillim. Është ndalur te numri i madh i mediave që do t’u japë hapësirë artistëve vendorë dhe Prishtinës.

“Prishtina tash është në mesin e qyteteve evropiane. Automatikisht e kemi Prishtinën në kulmet e mediave të artit dhe kulturës si një vend nikoqir i bienales ‘Manifesta’”, e cila përveçqë ka sjellë artistë të huaj, e ka krijuar edhe një platformë fantastike për artistët tanë të vendit”, ka thënë Rama, i cili më pas në anglisht ka shprehur krenarinë ndaj mysafirëve të huaj që t’i presin në Prishtinë për 100 ditë.

“Manifesta’ me ndërhyrje në 25 lokacione synon ta mbështesë ambicien e Prishtinës për t’ua rikthyer qytetarëve hapësirën publike dhe për të rishkruar të ardhmen e qytetit të tyre si një metropol demokratik, gjithëpërfshirës, ​​i gjelbër në zemër të Ballkanit. Bienalja përfshin 103 pjesëmarrësit ku përfshihen 25 kolektive, 39 për qind kanë origjinë nga Kosova.

Solidarizimi me Ukrainën dhe synimet për rikthim të hapësirës publike

Mesazhe solidarizimi për Ukrainën janë përcjellë nga skena. Interpretimi i himnit të Ukrainës nga sopranoja Arta Jashari ka bërë që dritat e skenës të vishen me ato të flamurit të vendit të pushtuar. Më pas, pjesëmarrësit i janë kthyer fjalimit të fundit, atij të drejtoreshës së “Manifestas”, Hedwig Fijen. “Jam folësja e fundit, mos u shqetësoni!”, u është drejtuar ajo të pranishmëve. Ajo ka theksuar se bienalja fokusohet në katër shtylla: Ish-fabrika e tullave, hoteli ikonik i “Grandit”, qendra për praktikën narrative te ish-biblioteka “Hivzi Sylejmani” dhe krejt hapësirat e tjera.

“I kemi zgjedhur këto që të sigurohemi që t’ua shfaqim juve se si ta rifitoni qytetin e juaj”, ka thënë ajo.

Pas fjalimeve, “Jungle by Night” e ka vazhduar mbrëmjen me muzikë. Kjo performancë ka ardhur si dhuratë nga Komuna e Amsterdamit për Komunën e Prishtinës. Më pas në skenë janë ngjitur emra të njohur të muzikantëve shqiptarë, ku nëpërmjet këngëve të njohura u janë kthyer rrëfimeve për jetën muzikore të 40 vjetëve të fundit në Prishtinë.

Arkitekti nga Amsterdami, Siebe Tettero, në kryeqytetin e Kosovës ka pasur mundësi të dëgjojë muzikë nga vendi i tij dhe tinguj Prishtine. Ai ka qenë pjesë e bordit të bienales “Manifesta 12” që është mbajtur në Palermo. Thotë se i pëlqen arkitektura në Kosovë, veçmas Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Qendra Sportive në Pallatin e Rinisë dhe Kulturës.

“Nuk e di nëse në Kosovën moderne u pëlqejnë këto vende, sepse vijnë nga kohë të ndryshme dhe nga ide të ndryshme politike. Por, shpresoj që ‘Manifesta’ të arrijë që këto bukuri arkitektonike t’i sjellë në kontekst të ri”, ka thënë Tettero për KOHËN.

“Manifesta” u konceptua në fillim të viteve 1990 si një bienale nomade, evropiane e artit bashkëkohor, duke iu përgjigjur realitetit të ri shoqëror, kulturor dhe politik që u shfaq si pasojë e Luftës së Ftohtë. Pas dëshirës për të eksploruar territorin psikologjik dhe gjeografik të Evropës dhe për të ofruar një platformë dinamike për shkëmbimin kulturor në të gjithë rajonin, kjo bienale zhvillohet çdo dy vjet në një qytet të ndryshëm evropian. “Manifesta” konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit në Evropë. Gjatë dhjetë bienaleve dhe njëzet vjetëve, më shumë se 2.5 milionë njerëz kanë vizituar ngjarjet e “Manifestas” dhe kanë marrë pjesë në programet e saj. Tash në edicionin e 14-të, e fokusuar në Kosovë, synon ta bëjë Prishtinën qendër të artit bashkëkohor, ani pse kryeqyteti tash e dy dekada një muze për art të tillë e ka vetëm projekt.