Kulturë

Heshtje në dhjetëvjetorin e vdekjes së poetit të zëshëm, Ali Podrimja

Ndonjë varg, poezi a portret i Ali Podrimjes janë shfaqur nëpër rrjete sociale. Në dhjetëvjetorin e vdekjes së tij, organizim prej institucioneve qendrore të kulturës s’ka pasur. Ministria e Kulturës, është mjaftuar me atë që kishte organizuar para nja tre muajsh kur njëherësh u shënuan 80-vjetori i lindjes dhe 10-vjetori i vdekjes së Podrimjes, i cilësuar nga kritika si zëri më i veçantë i poezisë shqipe, mjeshtër i vargut, e poeti që artikuloi dhembjen e shpresat e Kosovës

Zor që në vitet e mëhershme, në ditën e 21 korrikut të ketë pasur më shumë ngjarje kulturore përnjëherësh. Por sivjet, në këtë datë, asnjëra prej tyre s’ka pasur të bëjë me poetin e madh Ali Podrimja. Ai vdiq më 21 korrik të vitit 2012. Të enjten, ndonjë varg, poezi a portret i tij, është shfaqur nëpër rrjete sociale. Organizim prej institucioneve qendrore të kulturës s’ka pasur. Ministria e Kulturës është mjaftuar me atë që kishte organizuar para nja tre muajsh kur njëherësh u shënuan 80-vjetori i lindjes dhe 10-vjetori i vdekjes së Podrimjes, i cilësuar nga kritika si zëri më i veçantë i poezisë shqipe, mjeshtër i vargut, e poeti që artikuloi dhembjen e shpresat e Kosovës. Në ngjarjen krejt të thjeshtë, më 22 prill, në Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtave të Autorit, u dhanë premtime se shteti do ta nderojë denjësisht autorin e njohur për veprat “Lum Lumi”, “Torzo”, “Kredo”, “Sampo”, “Folja” e për shumë të tjera. Akademik Podrimja u lind më 28 gusht 1942. Shqipëria, 2022-n ia ka dedikuar Ali Podrimjes.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndërmarrë hapat e parë për themelimin e institutit kulturor, strukturë kjo që do ta adresojë hulumtimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e veprimtarisë së të gjithë akterëve të kulturës në vend, duke përfshirë edhe trajtimin adekuat dhe profesional të veprimtarisë dhe trashëgimisë së Ali Podrimjes”, do të thoshte në ngjarjen e organizuar në Bibliotekën Kombëtare, në prill të sivjetmë, këshilltari i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Liburn Jupolli. Edhe për figura të tjera janë dhënë premtime të ngjashme.

Poetë e shkrimtarë të vendit s’i habit fakti që institucionet e harrojnë Podrimjen. Dhe nuk është e para herë. “Mos vdeksh”, kishte thënë vitin e kaluar shkrimtari Binak Kelmendi, në 9-vjetorin e vdekjes së Ali Podrimjes.

“Nuk është hera e parë që institucionet i harrojnë personalitetet tona të rëndësishme”, ka thënë të enjten pasdite, një vit pas.

Sipas Kelmendit, “mbase kjo nuk bëhet me qëllim”.

“Por kjo harresë gjithsesi të shtie të mendosh se nëpër ato institucione punojnë njerëz që nuk e duan ose nuk e dinë se si duhet ruajtur memoria kombëtare. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet që një poet kombëtar siç është Ali Podrimja të mos përmendet nga asnjë strukturë shtetërore kulturore”, ka thënë Kelmendi duke shtuar se me këtë harresë nuk harrohet dot emri i tij.

Këtë harresë të institucioneve e ka konsideruar të pajustifikueshme edhe shkrimtari e poeti i njohur i letërsisë së sotme shqipe, Ibrahim Kadriu.

“Sot kur, pos paraqitjes së individëve në FB, përmes kujtesave për poetin, munguan organizimet institucionale. Ky mosinteresim nuk është i vetëm. Kësisoj është vepruar edhe me figura të tjera (të vdekura). Kjo neglizhencë është e pajustifikueshme kur kihet parasysh se emrat e tillë si Ali Podrimja nuk janë të zakonshëm”, ka thënë ai.

Kadriu ka ndarë po të njëjtin mendim me Binak Kelmendin lidhur me faktin se harresa e institucioneve nuk arrin ta zbehë emrin e një poeti siç është Podrimja.

“I zakonshëm, siç po shihet, është mosinteresimi ndaj vlerave që, në rastin konkret, i bëjnë nder realitetit tonë kulturor e artistik. Pavarësisht heshtjes në këtë dhjetëvjetor të vdekjes, Ali Podrimja mbetet emër që nuk harrohet, përkundër harrestarëve të sotëm”, ka thënë ai për KOHËN.

Ali Podrimja u lind më 28 gusht 1942 në Gjakovë, në kohë lufte e rrethanash aspak të volitshme dhe pati një fëmijëri mjaft të vështirë. Ai është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe nga kritika cilësohet si njëri ndër më të mëdhenjtë e letërsisë së sotme shqiptare dhe si një poet që me mjeshtërinë e tij ia ka dalë t’i kapërcejë kufijtë e vendit të tij e të bëhet edhe poet ndërkombëtar.

Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Thirrje”- 1961, “Dhimbë e bukur”- 1967, “Sampo”- 1969, “Torzo”- 1971, “Folja”- 1973, “Credo” -1976, “Sampo 2”- 1980, “Drejtpeshimi”- 1981, “Lum Lumi”- 1982, ”Fundi i gëzuar” - 1988, “Zari” - 1990, “Në bisht të sorrës”- 1994, “Buzëqeshje në kafaz”- 1995, “Ishulli Albania”, “Pikë e zezë në blu”- 2005.

Ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i PEN Qendrës. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 u zgjodh anëtar i rregullt. Ishte edhe anëtar i Qendrës Europiane të Artit (EUARCE) të Greqisë.

Në vitin 1999, në Shtutgart të Gjermanisë, u nderua me shpërblimin e mirënjohur letrar “Nikolas Linau”. Librat e tij janë botuar, ribotuar dhe përkthyer në disa gjuhë.

Poeti Ali Podrimja, më 21 korrik të vitit 2012, u gjet pa shenja jete në qytetin Lodève të Francës, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë. Ai u varros me nderime të larta shtetërore më 26 korrik të vitit 2012. Më 2013, në Lodève, në vendin ku ishte gjetur i vdekur, qe vendosur një pllakë përkujtimore në nderim të tij.