Kulturë

Skena e pavarur kulturore nuk e di përkrahjen nga Ministria as në gjysmë të vitit

Ka kaluar më shumë se gjysma e vitit dhe ende nuk janë shpallur rezultatet e thirrjes së parë për mbështetje të projekteve kulturore dhe atë të trashëgimisë kulturore. Një numër festivalesh tradicionale veç i kanë përfunduar edicionet e sivjetme pa e ditur se sa do të jetë përkrahja e MKRS-së. Një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në vend, festivali ndërkombëtar i animacionit “Anibar”, do të fillojë këtë javë. Krejt planet janë bërë me hamendje sa i përket shumës së mjeteve që do të mbulohen nga Ministria e Kulturës. Por telashet, sipas asaj që ka marrë vesh gazeta, do të shkojnë edhe më tej. Disa prej ngjarjeve kryesore të kulturës nuk do të mund të përkrahen nëpërmjet thirrjes së parë

Ministria e Kulturës nuk është duke dalë nga tradita e vonesave në krejt proceset të cilat i udhëheq. Ka kaluar më shumë se gjysma e vitit dhe ende nuk janë shpallur rezultatet e thirrjes së parë për mbështetje të projekteve kulturore dhe atë të trashëgimisë kulturore. Një numër festivalesh tradicionale veç i kanë përfunduar edicionet e sivjetme pa e ditur se sa do të jetë përkrahja e MKRS-së. Një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në vend, festivali ndërkombëtar i animacionit “Anibar”, do të fillojë këtë javë. Krejt planet janë bërë me hamendje sa i përket shumës së mjeteve që do të mbulohen nga Ministria e Kulturës. Por telashet, sipas asaj që ka marrë vesh gazeta, do të shkojnë edhe më tej. Disa prej ngjarjeve kryesore të kulturës nuk do të mund të përkrahen nëpërmjet thirrjes së parë.

Vonesat kanë filluar qysh me hapje të thirrjes. MKRS-ja nuk ia ka dalë që të publikojë “Thirrjen për projekt-propozimet kulturore për 2022 art dhe trashëgimi kulturore” deri në fillim të prillit. Arsyetim ka qenë ridizajnimi i thirrjes.

Synimet janë që të rriten shumat përkrahëse, por të zvogëlohet numri i përfituesve. Kësisoj, institucioni më i lartë kulturor në vend kishte hapur thirrje në versionin që e kishte paralajmëruar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, gjatë diskutimeve publike me bartësit e jetës kulturore në skenën e pavarur. Skema e re e MKRS-së ka pesë kategori, dhe mundësia e aplikimit është online nëpërmjet platfomës “e-Kosova”. Por telashet për të aplikuar nuk kanë qenë të vogla. Publikisht një numër bartësish të projekteve janë ankuar se ka qenë e vështirë të plotësohen e të ngarkohen formularët me informatat e kërkuara.

Por telash në vete del të jetë vonesa me publikimin e vlerësimeve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturës, janë 181 organizata që kanë kërkuar mbështetje për projektet e tyre. Po ashtu, janë edhe 181 projekte individësh.

“Procesi i projekteve që kanë aplikuar për mbështetje financiare në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore ndodhet në fazën përfundimtare dhe rezultatet pritet të dalin në fund të kësaj jave ose në fillim të javës tjetër”, shkruhet në përgjigjen e MKRS-së. Në përgjigje bëhet e ditur se është duke u përgatitur edhe një thirrje e re për mbështetje të projekteve në kulturë e trashëgimi kulturore.

Gazeta ka marrë vesh se thirrja e re nuk do të vonohet pasi me të parën nuk kanë shkuar gjërat si duhet.

“Kriteret që janë bërë pas ridizajnimit të thirrjes kanë bërë që të mos ketë mundësi të përkrahen disa prej ngjarjeve kryesore në vend. Komisionet e kanë kryer punën e tyre, por lista ka mbetur e papublikuar shkaku i frikës për reagime”, ka thënë një burim i mirinformuar brenda Ministrisë së Kulturës. Sipas këtij burimi, kabineti i ministrit të Kulturës do të hapë thirrje të re menjëherë pas publikimit të vlerësimeve, pasi me thirrjen e parë “ka krijuar një avari jo të vogël”. Sipas Rregullores nëpërmjet së cilës është hapur thirrja, afati i vlerësimit të projekteve nga komisionet është 15 ditë.

Në anën tjetër, bartësit e projekteve kulturore janë në hall. Festivali “FemArt” e ka mbyllur edicionin e 10-të më 23 qershor.

Llogaritja se sa do të jetë përkrahja nga MKRS-ja është bërë me “tahmin”. E me këtë njësi matëse kanë vepruar edhe festivalet e tjera që zakonisht mbahen në gjysmën e parë të vitit.

Regjisorja Zana Hoxha ka thënë se nuk e kanë pasur të lehtë që në vitin jubilar të “FemArt” të organizojnë edicionin pa e ditur shumën e përkrahjes nga MKRS-ja.

“Vonesa ka qenë shumë problematike dhe qëndron problematike, sepse në shumicën e vendeve normale korriku është koha kur aplikohet për vitin tjetër. Rezultatet është dashur të publikoheshin në janar. Konkursi është hapur vonë, por ende nuk kanë dalë rezultatet. Pra, për ne organizimi i Festivalit dhe i aktiviteteve të tjera që kemi propozuar ka qenë një lloj ‘kumori’ me përkrahjen që do ta kemi”, ka thënë ajo pas edicionit të 10-të të Festivalit. Sipas saj, bëhet fjalë për stres e ngarkesë të panevojshme.

“Shpresojmë që rezultatet të mos jenë zhgënjyese, por edhe vonesa e ka humbur kuptimin e përkrahjes për sivjet”, ka thënë Hoxha.

Skema e re e MKRS-së ka pesë kategori. Ato ndahen në: “Mbështetje për zhvillimin organizativ dhe programor të OJQ-ve të artit dhe trashëgimisë kulturore”, “Ngjarjet tradicionale të artit dhe trashëgimisë kulturore”, “Projektet dhe ngjarjet në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore”. Më pas “Projektet e krijuesve (artistëve) të rinj” dhe “Fondi i mobilitetit për promovim ndërkombëtar të artit dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës”.

Sipas thirrjes, qëllimi është që të bëhet promovimi i artit dhe i trashëgimisë kulturore përmes pasurimit, diversifikimit dhe rritjes së cilësisë së jetës kulturore, pastaj nxitja e vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve në jetën kulturore brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës, me theks te fëmijët dhe te personat me aftësi të veçanta. Thirrja synon që të bëjë fuqizimin e koordinimit dhe partneritetit ndërmjet institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe shoqërisë civile përmes fuqizimit të skenës së pavarur kulturore dhe nxitjes së personave të rinj që veprojnë në fushën e kulturës. Promovimi i artit dhe i trashëgimisë kulturore përmes zhvillimit të diplomacisë publike është qëllimi tjetër.

OJQ-të e profilizuara në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore sipas kategorisë “Mbështetje për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të artit dhe trashëgimisë kulturore” mund të përfitojnë nga 50 mijë deri në 100 mijë euro.

OJQ-të që hyjnë te kategoria “Ngjarjet tradicionale të artit dhe trashëgimisë kulturore” mund të përfitojnë nga 25 mijë deri në 35 mijë euro.

Ndërsa sa i përket kategorisë “Projektet dhe ngjarjet në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore” mund të aplikojnë OJQ-të dhe individët. Shuma e përkrahjes është nga 10 mijë deri në 20 mijë euro.

“Projektet e krijuesve (artistëve) të rinj” është kategoria ku pritet të aplikojnë të rinjtë dhe shuma e përkrahjes do të jetë nga 3 mijë deri në 5 mijë euro.

OJQ-të dhe individët mund të aplikojnë edhe në kategorinë e pestë “Fondi i mobilitetit për promovim ndërkombëtar të artit dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës”, ku shuma maksimale e përkrahjes shkon në 10 mijë euro.

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij vitit te kategoria “përkrahja e kulturës”, prej ku edhe merren mjetet për thirrjen publike, MKRS-ja ka 2.2 milionë euro si subvencione dhe transfere.