Kulturë

“Everybody calls Redjo” me rrëfimin për boshatisjen e vendbanimeve

Regjisori i njohur i filmave të shkurtër, autor i “My City Screams” (2015), “Toka” (2016), “A long way Home” (2017) do ta bëjë hapin e parë me film të metrazhit te gjatë artistik.

“Everybody calls Redjo” projekti më i ri i regjisorit Ibër Deari, me skenar të bërë nga vetë Deari në bashkëpunim me Artin Selmani, pritet të nisë xhirimet në muajin gusht të këtij viti.

Afrim Muçaj është emri i vetëm i bërë publik nga kasta e aktorëve, deri më tani. Aktori nga Kosova, Muçaj do ta ketë rolin kryesor, me ç‘rast do të portretizojë Rexhon, punëtorin e fundit të mbetur në fshat.

Për rolin e ri si dhe për bashkëpunimin me regjisorin Ibër Deari, Muçaj është shprehur shumë i lumtur. Ai po ashtu ka theksuar se për dallim nga herët e tjera, kur kishe bashkëpunuar me Dearin, kësaj radhe që të dy i pret një punë shumë më e madhe.

“Ndihem pa dyshim i lumtur për besimin që më ka dhënë regjisori Ibër Deari, por gjithsesi jam i vetëdijshëm që më pret një punë dhe përgjegjësi shumë e madhe. Unë edhe Ibro kemi punuar disa herë bashkë, kësaj radhe që të dy na pret një punë shumë më e madhe, sepse kemi të bëjmë me një film të metrazhit të gjatë i cili në muajin gusht do fillojmë me xhirimet dhe për këtë po punojmë me një intensitet të madh qysh tani” ka thënë Muçaj.

“Uroj dhe besoj që do t’ia dalim. ‘Everybody calls Redjo’ do të jetë sfida ime e radhës dhe besoj nuk do t’i zhgënjej ata që do të më thërrasin Rexho”, ka shtuar më tutje Muçaj.

Aktori i njohur Afrim Muçaj, kishte bashkëpunuar me Dearin edhe në dy filmat e tij të mëhershëm, ata të metrazhit të shkurtë, “Farmer’s blues” dhe “Toka”.

Siç ka bërë të ditur vetë regjisori, filmi “Everybody calls Redjo” do të trajtojë njërën nga temat më aktuale të botës shqiptare, të ditëve të sotme, atë të ikjes së të rinjve në mërgim. Në fshatin e mbetur pa fuqi punëtore, gjithsecili do ta thërrasë Rexhon, punëtorin e fundit.

“Filmi ka një temë sociale dhe shumë aktuale, me një fshat shqiptar, fshati Sllupçan e gjithë rinia dhe punëtorët e fshatit kane ikur drejt vendeve perëndimore, i vetmi person qe merret me pune në atë fshat është Rexha, dhe të gjithë e thërrasin Rexhon sepse një kanë, kë tjetër të thërrasin”, ka thënë Deari.

Më tutje ai ka shtuar se, përmes Rexhos, publiku do të arrijë t’i shohë edhe disa tregime të tjera të rëndësishme që ndodhin në atë fshat.

Në 27 ditë xhirime sa pritet të ketë filmi, ”Everybody calls Redjo” do të ketë si vend xhirim fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës në Kumanovë.

I mbështetur nga Agjencia e Filmit të Maqedonisë së Veriut, filmi i regjisorit, skenaristit dhe producentit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Ibër Darit, pritet ta ketë premierën në fillim të vitit të ardhshëm.