Kulturë

“Dhembje e heshtur” rikthen përjetimet e luftës

“Dhembje e heshtur” është titulluar ekspozita e gjashtë e realizuar nga organizata joqeveritare “Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimit të Paqes”. Autorët e kësaj ekspozite janë pjesëtaret e projektit “Ballafaqimi me të kaluarën” dhe veprat artistike të tyre përmbajnë copëza historie të përjetimeve në luftën e Kosovës, të cilat zunë vend dhe u ekspozuan në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.

Poshtë pikturave qëndrojnë tekste shpjeguese. Janë 16 tablo të punuara nga të rinj që nuk e kanë artin profesion dhe përmbajnë emra njerëzish e vendesh dhe historinë e tyre. Shpalosja e këtyre ngjarjeve në këtë formë, erdhi si nismë e organizatoreve dhe pjesëmarrësve të APN-së. Synimi është që kujtimet po ashtu të rikthehen në formën e një libri.

“Mund të them që në këtë ekspozitë e kemi të dukshmen dhe të padukshmen, të prekshmen dhe të paprekshmen dhe përpos këtyre 16 copëzave të historisë apo tregimeve, jam shumë e sigurt që do të zgjohen dhe ngjallen edhe shumë tregime të tjera, sepse këto që po i shihni do t’ju kthejnë mbrapa në kohë dhe do t’jua kujtojnë atë që ndoshta dikush e ka përjetuar dhe dikush tjetër e ka dëgjuar nga familja, rrethi, shoqëria. Ky është vetëm fillimi, ngase dokumentimi do të bëhet edhe përmes librit”, ka thënë Emine Ismajli, organizatore e kësaj ekspozite, gjatë fjalimit të saj në të cilin u shfaq e emocionuar.

Duke filluar nga “Plagë të fshehura”, ashtu siç titullohej njëri nga vizatimet, për të vazhduar më pas te “Nata e bombardimeve”, “Copëz historie”, “Shtatzënë, 1999”, “Lulet e shpresës”, e shumë të tjera të tilla, ato arrijnë të përçojnë ngjarje e histori të cilat të kombinuara me tekste i japin vizitorëve një pasqyrim të asaj që ka ndodhur në Kosovën e viteve 90.

Autorja e njërës nga këto piktura, Zelushe Kelmendi, rrëfeu një ngjarje personale të sajën me anë të ngjyrave, ani pse rrëfimi i saj ngjante më shumë bardh e zi.

“Unë në pikturën që e kam punuar gjatë trajnimit me organizatën ANP, kam paraqitur gjendjen time reale gjatë luftës së 99-s në Kosovë, dëbimin tim, të familjes sime dhe të gjithë shqiptarëve që e kanë përjetuar gjatë eksodit që kanë ikur nga Mitrovica deri në Kukës. Ka qenë një rrëfim real, sepse edhe tash kur të flas e kam emocionin e kalimit të kufirit. Për mua ka qenë diçka shumë e rëndë”, ka thënë ajo..

Ndërsa e nisur nga përjetimi i gjyshit të saj, pjesë e kësaj ekspozite me anë të një vizatimi dhe rrëfimi u bë edhe Ujvara Tahiri.

“Kjo duhet të shpaloset disi. Mua m’u dha rasti ta shpalos, ta tregoj ngjarjen se si ka ndodhur, ani pse kam qenë vetëm 4 vjeçe. Unë kam qenë në Durrës në atë kohë, mirëpo lidhshmëria ime shpirtërore me gjyshin, nuk më ka lënë të qetë pa e shpalosur historinë e tij”, ka thënë ajo për veprën të cilën e titulloi “Hiri”.

E vizitorët e kësaj ekspozite në përfundimin e vizitës dolën të emocionuar dhe mërzitur, sepse ajo çka kjo ekspozitë përçoi te ta ishte një kujtim i së kaluarës dhe rikthim i plagëve të vjetra që u hapi lufta të cilën e përjetuan.

“Unë përgatitem për të ardhur dhe për t’i mbledhur forcat e mia për të ardhur ta shoh një ekspozitë të tillë. Zakonisht ka dhimbje në ekspozitat që i organizon ANP-ja. Vetë ideja “ballafaqimi me të kaluarën” për ne është jashtëzakonisht i dhimbshëm, dhe përgatitem për të. Po prapë edhe sonte e pamë se është e dhimbshme çdo punim që e sheh”, tha për KOHËN Safete Mustafa Baftiu, vizitore në këtë ekspozitë.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për vizitorët deri më 2 korrik, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.