Kulturë

Grabitje nën kërcënim të armëve në Panairin e Artit në Mastriht

Një grabitje e armatosur në panairin e artit “Tefaf” në Mastriht çoi në dy arrestime të martën. Videoja nga vendi i ngjarjes përputhej me deklaratat e policisë dhe të dëshmitarëve se katër persona ishin të përfshirë në grabitje, por nuk ishte e qartë menjëherë se çfarë ishte vjedhur. Sipas raportimeve, autoritetet më vonë e izoluan nga publiku shtandin e kompanisë angleze të argjendarisë “Symbolic & Chase”.

Policia evakuoi të pranishmit pas grabitjes. Nuk është e qartë se çfarë është vjedhur. Menjëherë pas ngjarjes u raportua se nuk ka të lënduar.

“Dy arrestime u bënë nën dyshimin për grabitje të ‘Tefaf’ në Mastriht”, njoftoi policia 90 minuta më vonë. “Disa rrugë dhe tuneli ‘Koning Willem Alexander’ janë të mbyllura për trafikun”. Tuneli përbën një shtrirje të autostradës A2 në qytetin e Limburgut.

Videoja tregon katër burra të veshur me pallto dhe pantallona sportive. Njëri nga ta po e godiste vazhdimisht me çekan për ta thyer xhamin e vitrinës. Ai kishte syze, një kapak të sheshtë dhe atlete të zeza. Dy nga burrat kishin gjithashtu kapele dhe dukej se mbanin armë për të mbajtur larg turmën e mbledhur, ndërsa i katërti luftoi me sendet në duar përpara se të ikte me të tjerët.

Një zëdhënës i policisë ka thënë se dëshmitarët okularë panë katër burra të armatosur me të paktën një armë dhe një sëpatë duke hyrë në panairin e artit dhe duke u përpjekur të thyenin vitrinat që përmbanin diamante. Sipas dëshmitarëve, ata nuk kanë arritur t'i thyejnë ato dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë të paktën dy vitrina me xham të thyer.

Kjo nuk është grabitja e parë në “Tefaf”. Një gjerdan diamanti me vlerë rreth 1.2 milionë euro u vodh në ditën e parë të panairit në mars 2008. Dy nga katër të dyshuarit e rastit u arrestuan atë verë dhe u dënuan me 15 muaj burgim.

Në gjë e ngjashme ndodhi edhe më 2010 në tribunën “Hancocks” të Londrës, e cila u grabit përsëri gjatë orëve të mbylljes së “Tefal”-it. Grabitësit në atë rast kanë vjedhur një unazë platini të stolisur me safirë dhe diamante, si dhe një varëse diamanti 7 karatësh, me vlerë rreth 860 mijë euro.

Panairi i artit “Tefaf” mbahet në qendrën e ngjarjeve MECC. Ai ka nisur më 24 qershor dhe do të përfundojë të enjten, më 30 qershor.