Kulturë

Shkrimtari ukrainas Serhiy Zhadan fitues i Çmimit të Paqes në Gjermani

Descriptive Text

Shoqata gjermane e botuesve dhe librashitësve ia ka dhënë Çmimin e Paqes për vitin 2022 shkrimtarit ukrainas Serhiy Zhadan.

“Ne e nderojmë këtë autor dhe muzikant ukrainas për punën e tij të jashtëzakonshme artistike, si dhe për qëndrimin e tij të qartë humanitar, i cili vazhdimisht rrezikon jetën e tij për të ndihmuar njerëzit e prekur nga lufta dhe kështu për të tërhequr vëmendjen ndaj gjendjes së tyre”, ka thënë juria e çmimit.

Në romanet, esetë, poezitë dhe tekstet e tij, Zhadan ka reflektuar veçanërisht mbi pushtimin fillestar të Rusisë në Ukrainën lindore në vitin 2014, duke përshkruar se si lufta e vazhdueshme ka shkatërruar jetët e njerëzve në rajon. Ai përdor “një ton poetik dhe radikal” për të reflektuar gjithashtu se “si populli i Ukrainës sfidon dhunën rreth tyre, duke u përpjekur në vend të kësaj të bëjë jetë të pavarur të rrënjosur në paqe dhe liri”, ka shtuar juria.

Në qytetin e Kharkivit, pranë kufirit rus ku jeton, Serhiy Zhadan ka bërë lexime poezish në një stacion nëntokësor metroje që shërben si strehë për bomba.

“Një njeri nuk mund të jetojë vetëm me luftë”, ka thënë Zhadan në prill. “Është shumë e rëndësishme që ata të dëgjojnë një fjalë, të jenë në gjendje të këndojnë së bashku, të jenë në gjendje të shprehin një emocion të caktuar”, kishte thënë ai nga streha.

I lindur në 1974 në Starobilsk, Luhansk, në ish-Republikën Sovjetike të Ukrainës, romancieri, poeti, eseisti dhe muzikanti i vendos historitë e tij kryesisht në qytetin e Kharkiv dhe në Ukrainën lindore. Megjithëse ai u rrit në një mjedis kryesisht ku flitet rusishtja, shkruan në gjuhën ukrainase. Ai studioi për letërsi në Universitetin e Kharkivit dhe në vitet ‘90 botoi poezitë e tij të para dhe u rrënjos në jetën kulturore të qytetit të dytë më të madh të Ukrainës duke organizuar festivale letrare dhe muzikore.

Në vitin 2004, romani debutues i Zhadan “Depeche Mode” u botua në Ukrainë dhe ai përshkruan trazirat që lidhen me epokën postsovjetike në atdheun e tij. Në vitin 2014 mori Çmimin e Librit të Dekadës së BBC-së, Dega në Ukrainë.

Duke qenë i përfshirë në protestat proevropiane të Maidanit të vitit 2013, romani i fundit i Zhadanit, "The Orphanage" reflekton mbi luftën në Donbas në Ukrainën lindore pas vitit 2014, një zonë që është fokusi i pushtimit rus sot. Historinë e një mësuesi që duhet të negociojë në zonë lufte për të marrë nipin e tij nga shkolla, romani e sjell me një alegori për një vend kufitar apokaliptik ukrainas përgjithmonë nën kërcënimin e agresionit rus. “The Orphanage” fitoi çmimin kryesor për përkthimin në gjermanisht në Panairin e Librit në Leipzig më 2018.

Përveç shkrimit, Zhadan ka përkthyer poezi nga Paul Celan dhe Charles Bukoëskit në gjuhën ukrainase, si dhe shkruan këngë dhe këndon për grupe rock. Grupi i tij “Sobaki v kosmosi” bëri turne nëpër zonën e luftës në Ukrainë dhe luajti për ushtarët pasi Rusia pushtoi Krimenë dhe Donbasin më 2014. Ai gjithashtu ka ndihmuar në organizimin e ndihmave humanitare për njerëzit e prekur nga zjarri. Sot ai vazhdon të shpëtojë njerëz nga lagjet e shkatërruara nga lufta, shpërndan furnizime ndihme dhe organizon koncerte në Kharkivin të goditur. Flet shpesh për rëndësinë e fitores për Ukrainën.

“Humbja e ukrainasve do të thotë se shumica prej nesh thjesht do të pushojnë së ekzistuari”, kishte thënë ai në prill. Megjithëse shkrimi i tij njihet për elemente surreale dhe tonin ironik, përvoja e tij në zonat e luftës e ka mbushur punën e tij me saktësi gazetareske dhe dokumentare.

Duke fituar çmimin e fundit, Serhiy Zhadan ndjek gjurmët e fituesit të vitit 2021, regjisorit dhe autorit nga Zimbabveja, Tsitsi Dangarembga. Çmimi prej 25 mijë eurosh do të jepet në një ceremoni të dielën e 23 tetorit në Frankfurt.