Kulturë

“Carmina Burana” ia jep Prishtinës pamjen e ndjesinë e një qendre evropiane

Vepra e kompozuar nga gjermani Carl Orff e bazuar në një koleksion këngësh e poemash mesjetare të zbuluara në Beuren të Bavarisë nën dirigjimin e japonezit, Toshio Yanagisawa ka kthyer Filharmoninë e Kosovës në qendër të Prishtinës për të mbajtur koncertin më të madh në mbi dy dekada veprimtari (Foto: Arben Llapashtica)

Në një qytet ku aktivitetet kulturore, sidomos ato të muzikës, mbahen “skutave”, as nuk mund të krijohet perceptim real për interesimin që zgjon një ngjarje. Filharmonia e Kosovës për më shumë se dy dekada iu bën vend koncerteve në hapësirat e Pallatit të Rinisë, në objekte kulti a qendra që lidhen me to. Asnjëherë s’mund të testojë saktë interesimin e publikut. Por edhe për këtë ka gjetur një mënyrë. Tashmë ka nisur të shndërrohet në traditë mbyllja e sezonit me një koncert në ambient të hapur në qendër të kryeqytetit. E kur flitet për interesim të publikut, pamjet flasin vetë.

 

Me një skenë me perimetër që sheshi “Skënderbeu” nuk i ka bërë nikoqirllëk më herët sa u përket përmasave, premiera e veprës ikonike “Carmina Burana” ka mbledhur 2000 veta brenda “sallës koncertale” në ambient të hapur. Filharmonia e Kosovës ka bërë bashkë 280 veta në skenë për interpretimin e një prej veprave të njohura të muzikës klasike, “Carmina Buarana”. Të dielën mbrëma sheshi qendror i kryeqytetit ka ngjarë në një ambient evropian, ku muzika klasike dëgjohet për shekuj të tërë. Organizatorët bashkë me interpretuesit e publikun e kanë vlerësuar krejt këtë si një potencial të madh të vendit, e po ashtu edhe një provë të interesimit për koncerte të tilla

Në një qytet ku aktivitetet kulturore, sidomos ato të muzikës, mbahen “skutave”, as nuk mund të krijohet perceptim real për interesimin që zgjon një ngjarje. Filharmonia e Kosovës për më shumë se dy dekada iu bën vend koncerteve në hapësirat e Pallatit të Rinisë, në objekte kulti a qendra që lidhen me to. Asnjëherë s’mund të testojë saktë interesimin e publikut. Por edhe për këtë ka gjetur një mënyrë. Tashmë ka nisur të shndërrohet në traditë mbyllja e sezonit me një koncert në ambient të hapur në qendër të kryeqytetit. E kur flitet për interesim të publikut, pamjet flasin vetë.

Me një skenë me perimetër që sheshi “Skënderbeu” nuk i ka bërë nikoqirllëk më herët sa u përket përmasave, “pulsi” është matur qysh në shtunën në prova. Për shumicën e kalimtarëve ka qenë e pashmangshme ndalja për pak minuta e për disa edhe realizimi i fotografive a videove. Kurse e diela është rrëfim më vete. Premiera e veprës ikonike “Carmina Burana” qe e paralajmëruar për orën 20:00. Më shumë se gjysma e biletave janë rezervuar deri të shtunën. Kurse e diela paradite veç ia ka vënë pikën kapacitetit për pritjen e publikut. Karriget kanë filluar të mbushen qysh prej orës 19:00. Bile edhe ata që nuk ia kanë dalë të presin biletën, kanë zënë vendet përreth barrikadave e edhe në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që kanë luajtur rolin e një hapësire të amfiteatrit.