Një personazh ndahet në dysh dhe shpërfaq rolin e gruas së çeliktë, që nuk ndien dhimbjen, teksa thyhet përbrenda për humbjen e nënës. Zgjedhja e arkivolit dhe luleve, si dhe përgatitja e fjalimit për funeralin e nënës janë gjëra që Kasandra assesi nuk mundet t’i zbërthejë. Ajo është portretizim për gratë e ngujuara në margjinat e shoqërisë, të cilat ndalohen ta thonë atë që mendojnë me idenë se do të paragjykohen. “Pa zë” nga Shqipëria u dha në Teatrin Kombëtar të Kosovës në edicionin e dhjetë të “FemArtit”
Një trup i zbërthyer në dysh përpiqet të gjejë zërin si konflikt i brendshëm brenda kokës në përballje me të kaluarën dhe të tashmen. Njëri portretizon shtirjen si formë e shprehjes në shoqëri, ndërsa tjetri realitetin, ndërkohë shpërfaqet edhe ndihma që thirret në emër të shoqërisë. “Pa zë” vë në pah dy karakteret e një gruaje të vetme për paragjykimet, komplekset dhe izolimin në margjinat e shoqërisë për të nxjerrë zërin e së vërtetës. Shfaqja teatrale në fakt vjen si zë i fuqishëm për emancipimin e gruas pa kompromis.
Dy vajza në të bardha janë shtrirë në të dyja anët e skenës. Sikur nuk kanë jetë. Pa frymë e pa zë zgjohen me dhimbjen e humbjes së nënës, e cila manifestohet me rënkime që kumbojnë në krejt sallën. Një vaskë ka qenë krejt çfarë ka zënë vend prapa tyre, ku edhe zhvillohet pjesa më e madhe e ngjarjes. Njëra pjesë e vajzës flet për dhimbjen e humbjes së nënës, tjetra vajton. Dy trupa përfaqësojnë dy karaktere, të cilat shpesh edhe pajtohen mes vete, njëjtë sikurse reflektimi i tyre në pasqyrë, të cilin e krijojnë gjatë shfaqjes. Herë qajnë hallin për të gjetur arkivolin për nënën, të cilin në fakt nuk mund ta gjejnë. Qajnë edhe për të gjetur fustanin e duhur për funeralin e saj.
“Çfarë të vesh? Mami do të kishte dashur të vishesha në të zeza”, “Por mami nuk është tani dhe kujt i plas çfarë vesh?”, është njëra nga bisedat e personazhit të Kasandrës, që portretizohet nga dy aktore në skenë teatri. Dhimbja kalon herë tek njëra, herë tek tjetra. “Pa zë” shpërfaq rolin e gruas së gurtë, që nuk ndien dhimbjen, teksa thyhet përbrenda për humbjen e nënës. Zgjedhja e arkivolit dhe luleve, si dhe përgatitja e fjalimit për funeralin e së mëmës janë gjëra që Kasandra assesi nuk mundet t’i zbërthejë. Të qenit shkrimtare nuk ia lehtëson këtë të fundit. Nuk dëshiron të krijojë vargje për të, por të flasë realitetin për paragjykimet që njerëzit i kanë bërë, për komplekset që shoqëria i ka krijuar e të cilat e kanë mbytur. Është fjalimi që ajo nuk e bën dot, teksa guximin nuk e gjen as tek njëra pjesë e trupit të saj, as tek shprehjet eksplicite që vijnë nga nervozizmi për faktin se duhet të shtiret si e dashur para rrethit të saj. “Sot u zgjova pa zë”, thotë karakteri i Kasandrës, derisa vazhdon me zgjedhjen e luleve për funeralin.
Kryepersonazhi është portretizim për gratë e ngujuara në margjinat e shoqërisë, të cilat ndalohen ta thonë atë që mendojnë me idenë se do të paragjykohen. Dy aktore e luajnë karakterin e saj: Enisa Hysa nga Shqipëria dhe Vlera Pylla nga Kosova.
“Roli im, ashtu si edhe i koleges sime, është një personazh i ndarë në dy trupa. E kemi luajtur dy aktore të njëjtin personazh. Kasandra është personazhi që i vdes nëna dhe aty ajo fillon të flasë me veten, kupton se kush është edhe vetë ajo, dhe si ka ndikuar nëna në jetën e saj dhe karakterin e saj”, ka thënë Pylla. Ndërsa Enisa Hysa është shprehur e befasuar me vlerësimin e publikut kosovar për shfaqjen.
“Nuk kam pasur pritshmëri as për të mirë dhe as për të keq. Ajo që ndodhi sot është befasi për mua pasi që është pritur shumë mirë dhe dukshëm është mirëkuptuar dhe është vlerësuar gjithë puna dhe gjithë shfaqja dhe jam shumë e lumtur për këtë”, ka thënë ajo, derisa ka përmendur se shfaqja “Pa zë” është interpretimi i parë i saj në një skenë teatri në Kosovë.
“Pa zë” është shfaqur në kuadër të edicionit të 10-të të festivalit “FemArt” dhe është shfaqje e produksionit të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Bazuar në tekstin e Amy Nostbakken dhe Norah Sadavas, ajo ndjek një grua përgjatë një dite, teksa përpiqet të gjejë zërin e saj përmes dy interpretueseve të cilat shprehin konfliktin e brendshëm që ekziston brenda gruas moderne. Gjatë funeralit Kasandrën e ndjekin edhe pengesa të tjera që gratë i hasin çdo ditë, por që në pah vendosen kryesisht ngacmimet që u bëhen në rrugë, si hall tjetër krah gjithë barrës në përditshmëri.
Projekti vjen si bashkim i fuqive të grave edhe në procesin e inskenimit të shfaqjes.
Regjisorja e “Pa zë”, Klaudia Piroli, ka thënë se ka qenë i vështirë ndërtimi i personazheve, pasi një trup zbërthehet në dy, por që është i njëjti për nga mendja dhe shpirti. Psherëtimat e karaktereve janë simbol për zërin e padëgjuar të grave dhe vajzave.
“Shumë grave dhe vajzave nuk u dëgjohet zëri. Thjesht psherëtijnë dhe ne jemi krejtësisht indiferente ndaj realiteteve të caktuara që u përkasin grave. Ne u bashkuam tri gra bashkë për t’u shfaqur dhe folur në emër të grave që nuk mund të flasin”, ka thënë ajo.
Shfaqja përmbyllet me një skenë optimiste – më shumë një lloj dëshire sesa realitet.
“Unë mund të them atë që mendoj, sepse unë kam zë”, janë fjalët e fundit të dy trupave të Kasandrës që edhe e mbyllin shfaqjen, fjalë që vijnë si thyerje e heshtjes së publikut. Duartrokitjet kanë qenë të gjata, teksa të gjithë janë ngritur më këmbë për dy aktoret.
“Mendoj se teatri është vendi kryesor ku ndodh emancipimi i gruas dhe i shoqërisë në përgjithësi. Shoqëria jonë ka nevojë më shumë të emancipohet dhe teatri është pikërisht vendi i duhur, është vendi ku jepet mesazhi dhe promovohen veprat e gruas”, ka thënë Ngadhënjim Haxhosaj, i cili e ka ndjekur shfaqjen.
“Pa zë” shfaqet për të nëntën herë me radhë që nga premiera e saj, por për herë të parë është sjellë në Teatrin Kombëtar të Kosovës para publikut në Prishtinë.