Kulturë

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore në kapitull normalizimi e synimesh

Për Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, vetëm miratimi i Raportit të punës do të përbënte hap përpara në krahasim me vitet e kaluara, kur, edhe pse jofunksional e pa kompetenca për detyrat primare, shpenzonte më shumë se vitin e kaluar kur u bë me anëtarë prej korrikut. Më 2020 ishte në hall pasi nuk i miratohej raporti i punës. Të martën, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit të Kosovës ia ka miratuar Raportin për vitin e kaluar, e aty, së paku në letra, mund të “lexohet” normalizimi i kësaj agjencie dhe synimet e planet konkrete për sivjet

Pjesëmarrja në hartimin e akteve nënligjore për trashëgimi kulturore, organizmi i konferencave, bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, pranimi i dosjeve për asetet e propozuara për mbrojte të përhershme e kampi i restaurimit në Ulpianë janë midis aktiviteteve që ka zhvilluar vitin e kaluar Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Agjencia e pavarur, që i raporton Kuvendit, ka hyrë në një fazë më të avancuar sesa viteve të kaluara. Prej funksionalizimit janë ulur shpenzimet e ka nisur përmbushja e detyrimeve ligjore në raport me trashëgiminë kulturore.

Të martën Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit të Kosovës ka miratuar Raportin vjetor të punës së KKTK-së për vitin e kaluar. Mungesa e anëtarëve e lënia e agjencisë veç me sekretariat e kishte çuar KKTK-në deri në gjendjen saqë Kuvendi i Kosovës nuk miratonte as Raportin vjetor të punës, sikurse atë për vitin 2020.

Anëtarët e KKTK-së të martën kanë prezantuar aktivitetet e tyre për vitin e kaluar. Kryetarja e Këshillit, Zanita Halimi, ka shpalosur para deputetëve anëtarë të Komisionit punët e bëra vitin e kaluar. Kjo përbërje e KKTK-së qe zgjedhur më 7 korrik të vitit të kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Si pikë e parë e normalizimit të agjencisë, e cila prej themelimit më 2009 më shumë ka qenë jofunksionale sesa në detyrë, është fakti se ka nisur bashkëpunimi i Ministrinë e Kulturës duke qenë pjesëmarrës në hartimin e akteve nënligjore të trashëgimisë kulturore. Pjesë të Raportit janë cituar edhe në komunikatën e Kuvendit të Kosovës, si prezantime që kryetarja e KKTK-së, Zanita Halimi, i ka bërë para deputetëve.

Në Raportin e punës shkruhet se që nga viti 2016, kur është bërë shpallja e 23 aseteve në mbrojtje të përhershme, deri në dhjetor të vitit 2021, nuk është bërë asnjë propozim nga institucionet e trashëgimisë kulturore për shpallje në mbrojtje të përhershme të aseteve të trashëgimisë kulturore. KKTK-ja është organi që primare e ka vlerësimin e dosjes së aseteve të trashëgimisë kulturore të propozuara për statusin e mbrojtjes së përhershme.

Në raport ceket se në dhjetor të vitit 2021 janë pranuar dosjet për vlerësim në mbrojte të përhershme me propozim të institucioneve kompetente të trashëgimisë kulturore në përputhje me Ligjin për trashëgiminë kulturore, ndërsa i përkasin trashëgimisë arkitekturale dhe arkeologjike.

“Në kuadër të fuqizimit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe rolit të rëndësishëm që e ka në fushën e trashëgimisë kulturore është bërë organizimi i tryezës ‘Bashkëpunimi ndërinstitucional në fushën e trashëgimisë kulturore’”, shkruhet në Raport për tryezën e organizuar nga KKTK-ja, që është mbajtur më 20 dhjetor të vitit të kaluar. Si përfundime të tryezës janë përmendur përkushtimi në zbatimin e konventave të UNESCO-s si kusht për afrimin e anëtarësimit të Kosovës; zgjidhja e çështjeve pronësore juridike të aseteve të trashëgimisë kulturore dhe shqyrtimi i mundësive të partneritetit publiko-privat e përkrahja e shtetit të Kosovës për trashëgiminë kulturore shpirtërore. Po ashtu nga kjo tryezë janë nxjerrë edhe përfundime si domosdoshmëria për plane urbane më dinamike, të cilat i përfshijnë asetet e trashëgimisë; një regjistër të materialit autentik ndërtimor, i cili do të përdoret për restaurim e harmonizimi dhe standardizimi për shenjëzimin e aseteve të trashëgimisë kulturore.

Në raport është përmendur edhe plotësim-ndryshimi i Rregullores së funksionimit të KKTK-së. Aty zë vend edhe organizimi i projektit ndërkombëtar “Konservimi i mozaikut romak” në parkun arkeologjik “Ulpiana” Ekipi i konservimit, sipas Raportit, përgatiti dokumentimin teknik të gjendjes së mozaikut dhe të gjitha degradimet u përshkruan dhe u shënuan, si dhe u dokumentuan me fotografi.

Shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Muzeve në bashkëpunim me Shkollën e Mesme të Artit “Odhise Paskali” në Pejë, bashkëpunimi i KKTK me “Climate Heritage Network”, pjesëmarrja në Konferencën vjetore për trashëgimi të “European Heritage Volunteers” e Marrëveshja e bashkëpunimit me Drejtorinë e Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore të Maqedonisë së Veriut janë listuar si punë të vitit të kaluar. Kjo marrëveshje përfshin bashkëpunimin rreth organizimit të konferencave shkencore, pjesëmarrje të studentëve të të dyja vendeve në aktivitetet e organizuara prej institucioneve e bashkëpunim për realizimin e kërkimeve, studimeve, projekteve, publikimeve në fushat e trashëgimisë kulturore.

Për këtë vit KKTK-ja ka renditur tri objektiva kryesore. Fuqizimi i mbrojtjes dhe gjendjes së trashëgimisë kulturore, fuqizimi i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore e promovimi i trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe punës së KKTK-së është trinomi i objektivave.

Sipas Raportit financiar, KKTK-ja vitin e kaluar ka shpenzuar gjithsej 127 mijë e 599 euro. Prej tyre 94 mijë e 998 euro për paga dhe mëditje, 32 mijë e 6 euro për mallra dhe shërbime e 594 euro për shpenzime komunale. Në total shpenzimet janë më të vogla sesa periudha kur KKTK-ja nuk kishte fare anëtarë.

Prej korrikut të vitit 2018, kur i kishte skaduar mandati përbërjes së KKTK-së së emëruar më 2015, Agjencia kishte mbetur jofunksionale, veç me sekretariat apo staf ekzekutiv. Pos Zanita Halimit, anëtar për gati një vit janë edhe Arianit Buçinca, Sadik Krasniqi, Premtim Alaj, Valon Gërmizaj, Ifeta Nikoçeviq dhe Slagjana Boshkoviq.

Por mosfunksionaliteti i KKTK-së nuk ishte i vetmi hall. Siç ka raportuar edhe më parë gazeta, ndonëse që prej verës së vitit 2018 nuk ka pasur anëtarë, Sekretariati i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore s’i ka ndalur shpenzimet as në vitin pandemik.

Për paga e punë, që përfshijnë edhe promovim të trashëgimisë kulturore në rrjete apo avancim dhe përditësim të ueb-faqes zyrtare, kishte shpenzuar 147 mijë e 263 euro. Janë 11 veta në staf e mesatarisht secili ka pagë mbi 500 euro. Ata duhej të kryenin punë administrative për shtatëshen e anëtarëve që nuk është emëruar për tre vjet radhazi.

Po ashtu, për “punë” jashtë orarit janë bërë pagesa deri në 400 euro në muaj. Prej shtatorit të vitit 2016, KKTK-ja është vendosur në kontejnerët afër ish-Pallatit të Shtypit.