Kulturë

Prishtina e harron bustin e Ali Podrimjes, Gjakova e kujton me poezi

Prishtinë, 21 korrik - Poezitë e mjeshtrit të fjalës do t’ia rikujtojnë audiencës së qytetit të tij të lindjes trashëgiminë që la pas Ali Podrimja, në datën që shënon pesë vjet qyshkur poeti nuk jeton më. Qyteti i Gjakovës do ta shënojë këtë përvjetor sonte (e premte) me mbrëmje poetike e me program artistik të shoqëruar me video e fotografi nga jeta e Podrimjes(Ilustrimi: Poeti A – pikturë e Gani Llalloshit), teksa në kryeqytet askush nuk ka paralajmëruar ndonjë aktivitet. As Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, anëtar i së cilës ishte Podrimja i cili vdiq në 21 korrikun e vitit 2012 në qytetin jugor të Francës, Lodève, shkruan sot Koha Ditore.

Për gjysmë dekade nuk është finalizuar as projekti për vendosjen e bustit të mjeshtrit të vargut poetik në Prishtinë dhe as ideja e vendosjes së penës 8-metërshe në oborrin e bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani”. Të dyja këto iniciativa qenë përmendur qysh para pesë vjetësh nga skulptori akademik Luan Mulliqi, i cili kishte qenë edhe mik i afërt me Podrimjen. Por sot e asaj dite, institucionet përkatëse - Komuna e Prishtinës e Ministria e Kulturës - nuk i janë përgjigjur kërkesës së Mulliqit për ndihmë në lidhje me jetësimin e këtyre dy ideve. Madje institucionet në gjithë këto vite i kanë injoruar plotësisht përvjetorët e vdekjes së poetit, dhe kjo ditë kishte kaluar pa asnjë aktivitet qysh prej njëvjetorit të vdekjes.