Nobelisti austriak i është “kthyer” kryeqytetit serb, krejt ndryshe. Nëpërmjet shfaqjes “The Handke Project” me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, ai ka hyrë në objektin që në fund të viteve ’40 të shekullit të kaluar ishte nisur për kishë evangjeliste, për t’u shndërruar përfundimisht në skenë teatrore në fundin e viteve ’80. Është rrëfyer për ligësitë e tij deri në mohim të gjenocidit. Por midis premierës në Prishtinë në fillim të këtij muaji dhe asaj në Beograd, te publiku ka shenja që zbërthejnë mendësinë e dy shoqërive. Njëra prej tyre, kur krejt në fund të shfaqjes publikut i kërkohet ta dënojë fashizmin
Peter Hande ka qenë në Beograd disa herë. Ndër të tjera – pos pjesëmarrjes në ceremoninë e varrimit të Sllobodan Millosheviqit – qe edhe për të pranuar urdhrin më të lartë shtetëror “Ylli i Karagjorgjit”, të cilin ia dha presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Gjithnjë e vizitoi qytetin nga i cili u projektuan krimet më barbare të pas Luftës së Dytë Botërore si një shkrimtar gjenial e një përkrahës i “popullit të vuajtur serb”.
Por të enjten mbrëma austriaku Handke i është “kthyer” kryeqytetit serb krejt ndryshe. Nëpërmjet shfaqjes “The Handke Project” ai ka hyrë në objektin që në fund të viteve ’40 të shekullit të kaluar ishte nisur për kishë, për t’u shndërruar në skenë teatrore në fundin e viteve ’80. Është rrëfyer për ligësitë e tij deri në mohim të gjenocidit. Ama, në shfaqjen me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Rrustemit-Nezirajt është zhveshur krejtësisht.
Në projektin teatror të qendrës “Multimedia” bashkë me “Mittelfest” e Teatrin e Toskanës, Teatrin e Dortmundit, Teatrin Kombëtar të Sarajevës e festivalin e njohur botërisht të kryeqytetit boshnjak, “MESS”, Peter Handke pas Prishtinës, Shkupit e Ferizajt është ndalur në Beograd. Në teatrin “Bitef” – objekt që nisi të ndërtohej si kishë evangjeliste nga gjermanët dhe nuk u konkretizua shkaku i Luftës së Dytë Botërore – Handke zhvillon një bisedë me Joseph Goebbelsin. Udhëheqësi i propagandës së nazistëve i jep atij leksione se si duhet mohuar krimet e si duhet ngritur pyetje nëse ato janë të vërteta. E Handke shkon deri në nivelin sa tek qëndron mbi një varr, nis të shfaqë dyshime se a bëhet fjalë për varr apo jo. Kasta e aktorëve: Arben Bajraktaraj, Anja Drljeviq, Adrian Morina, Ejla Bavçiq, Klaus Martini e Verona Koxha për rreth një orë e gjysmë përballë nja 200 vetave në publik kanë dekonspiruar Handken dhe atë që mund të quhet fenomeni Handke. Shfaqja ironizon skajshëm figurën e shkrimtarit që më 2019 fitoi çmimin “Nobel” për letërsi. Shtjellon temën nëse ka kufij etik e njerëzor për një krijues. E tërthorazi jep edhe përgjigje.
Me pyetjet e tij prej “shkrimtari gjenial”, ai vë në dyshim nëse ka ndodhur masakra e Srebrenicës – ku në korrik të vitit 1995 shteti serb vrau 8 mijë boshnjakë – apo është një shpikje e propagandë kundër Serbisë. Handke e di realitetin, por përpëlitet që ta ndryshojë atë. Ironia shkon deri në masën që Handke i ndryshon edhe situatat që bota i ka parë të xhiruara. Si në rastin kur serbët detyrojnë boshnjakun e quajtur Ramo që ta thërrasë djalin e tij Nermin të zbresë nga kodrina “pasi është i sigurt me serbët”.
Krejt këto skena zhvillohen përballë çiftit Branko dhe Vesna Cvejiq. Dyshja që ishte në publik është e lidhur me teatrin. Branko Cvejiq është aktor i njohur serb. Ishte edhe drejtor i Teatrit Jugosllav të Dramës. Kurse bashkëshortja e tij, Vesna Cvejiq, profesoreshë e pensionuar e biokimisë në Universitetin e Beogradit. Aktori veteran është matur nja dy herë, por nuk ia ka marrë mendja të flasë për shfaqjen. Arsyeja reale: problemet shëndetësore. E profesoresha Cvejiq ka thënë se bëhet fjalë për një shfaqje të punuar me pasion dhe pa urrejtje. Projekti teatror ia ka kujtuar një moment kur pas Konferencës së Daytonit ishte në Bosnjë-Hercegovinë dhe një shitës ishte stepur kur e kishte kuptuar se ajo është serbe nga Beogradi.
“Sikur të isha boshnjake nuk do të mund të isha asnjëherë me sjellje të mirë ndaj një serbi”, ka thënë ajo. Stepjen e shitësit e ka të regjistruar në mendje si një moment të rëndë e njëkohësisht si imazh që përshkruante atë që ka ndodhur në Bosnjë-Hercegovinë.
“Njëjtë më ka mbetur në mendje edhe kjo shfaqje. Shfaqjet si kjo do të doja të luhen edhe në Nish, Kragujevc e shumë vende të tjera. Beogradi i sotshëm nuk është Beogradi im i dikurshëm”, ka thënë ajo.
Në shfaqje pos Bosnjës rrëfehet edhe se si Petër Handke vizitoi edhe Hoçën e Madhe në Kosovë si një fshat ku jetojnë serbët në kushte të rënda, por kurrë asnjë fshat ku u masakruan shqiptarët më 1998 dhe 1999. Asokohe mbi 10 mijë civilë shqiptarë u vranë në Kosovë. Aktorët edhe freskohen në pishinën imagjinare që nuk u ndërtua kurrë nga Handke në Hoçë të Madhe. E premtoi atë kur fitoi çmimin “Ibsen”. Të pranishmit në shfaqje ishin figura të pjesës liberale të shoqërisë serbe, por jo aq liberale sa të ngjante sikurse në Prishtinë e Shkup që kur bëhet thirrje për të çuar në djall Handken, Millosheviqin e çmimin “Nobel”, të bashkoheshin të gjithë si një kor.
“Përshtypja ime e parë është se ky produksion duhet të jetë i pranishëm në krejt Ballkanin pasi është një shfaqje e mrekullueshëm si në tekst po ashtu në regji e në aktrim. Ajo që pashë është shumë prekëse dhe e rëndësishme sa që secili e merr vesh se çfarë ka ndodhur në këtë regjion”, ka thënë Beka Vuço, themeluese dhe drejtuese e fondacionit “My Balkans” në New York. Sipas Vuços, e cila për 15 vjet ishte drejtoreshë menaxhuese e teatrit “Atelije 212” e po ashtu edhe e festivalit “Bitef”, vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet njëfarë pajtimi midis vendeve të Ballkanit.
“Kjo shfaqje duhet dhënë gjithandej. Dhe definitivisht duhet dhënë në Bosnjë-Hercegovinë”, ka thënë ajo.

Me skenografi të thjeshtë, krejt loja zhvillohet rreth e mbi një varr. Handke nuk i ka problem varret. Për të janë vetëm numra. E shpesh as si numra nuk kanë rëndësi pasi si letrar gjenial ai është i zoti që t’u hedhë hi sy lexuesve të tij e agresorin e kriminelin t’i paraqesë si viktimë.
Aktorja boshnjake Ejla Bavçiq ka thënë se i pëlqejnë veprat që shkojnë drejt e në midis të gjërave, ato që thonë të vërtetën e jo vetëm të flirtohet me disa ide.
“Arti duhet të adresojë këto gjëra. Kjo shfaqje duhet dhënë jo vetëm në Ballkan, por në gjithë Evropën”, ka thënë aktorja që në fillim të shfaqjes nis të reagojë nga publiku e më pas i bashkohet kastës në skenë. Kjo pjesë është konceptuar si simbolikë që njerëzit nuk duhet të qëndrojnë anash por të dalin aty ku zhvillohet lufta ndaj së keqes. Bavçiq në Beograd ka vërejtur një gjë që nuk është ogur i mirë.
“Në Kosovë audienca ishte më e hapur. Sonte këtu ishin të mirë, por me njëfarë distance. Ishte një dallim dhe e kemi ndier këtë. Por prapë ishte mirë”, ka thënë ajo.
Por për shefen e Katedrës së Albanologjisë në Universitetin e Beogradit, Naile Imami, mjafton që publiku serb të kuptojë që shqiptarët bëjnë edhe shfaqje.
“Ne kemi nevojë për gjëra të tilla, shfaqje të tilla pasi në këtë qytet ku unë jetoj kanë shumë pak njohuri për shqiptarët. Shfaqja ka lënë një gjurmë të thellë. Publiku për fillim është e mjaftueshme vetëm ta regjistrojë se shqiptarët bëjnë shfaqje dhe kanë kuadro në të gjitha fushat”, ka thënë ajo pas shfaqjes, që në Prishtinë është dhënë premierë në fillim të muajit. Handke edhe në Beograd është zhveshur deri në skelet. Ka bërë garë me Peter Panin e James Matthew Barriet.
Aktori Adrian Morina ka thënë se shfaqjet nga Kosova duhet dhënë edhe në qendra të tjera serbe e veçanërisht kjo shfaqje pasi është shumë e ndjeshme, shumë e veçantë dhe e drejtpërdrejtë.
“Në asnjë moment nuk bën ndonjë matematikë teatrore e as një kalkulim politik. Fenomeni që ne e trajtojmë, fenomeni Handke është duke u rritur çdo ditë e më shumë dhe në secilën qendër evropiane duhet të jepet kjo shfaqje”, ka thënë ai pas shfaqjes, e cila do të jepet edhe një herë në Serbi, sonte (e premte).
Kosova ia ka kthyer Beogradit pa maskë Handken në teatër e në kishë njëkohësisht, ia ka kthyer edhe si pasqyrë që serbët ta shohin veten se çfarë kanë bërë. Po ashtu si leksion se duhet ndryshuar në raport me të kaluarën e të ardhmen. Por duket se populli serb e ka të vështirë këtë. Madje, edhe ata që shkojnë në teatër pasi shumicës së pranishme nuk u bëri goja punë të rreshtohen kundër fashizmit kur aktorët e kërkuan këtë.