Premtimi i mësueses Elenë Stublla qe i prerë: arti i nxënëses së saj do të zërë vend aty ku ekspozojnë artistë me nam. Është konkretizuar tashmë dhe ekspozita me 40 punime të dhjetëvjeçareve Alea Hasani, Afërdita Visoka dhe Anja Rexhepi pos që shpalos botën shumëngjyrëshe e talentin e tyre, vjen edhe si motivim. Galeria Kombëtare e Kosovës ka hapur dyert për artin e tyre
Premtimi i mbajtur i mësueses Elenë Stublla për ta ekspozuar punën e nxënëses solli në muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës jo vetëm veprat e saj, por të tri talenteve 10-vjeçare, filloriste në shkollën “Dardania” në Prishtinë. E gjithë ideja nisi kur Alea Hasani nuk kishte fituar një nga garat e pikturës kur ishte në klasën e dytë. “Biseda ngushëlluese” me nxënësen e solli mësuesen para premtimit për shfaqjen e punës së Aleas në institucionin ku paralelisht prezantohet puna e artistëve të mëdhenj.
Muret e hapësirës në katin e parë të Galerisë Kombëtare në Prishtinë u mbushën vepra shumëngjyrëshe, të cilat vijnë si terapia më e mirë për sy. Numri i madh i të interesuarve për ekspozitën e tri artisteve është parë kur hapësira e tri dhomave pa kushte për ekspozim arti, sa vinte e zvogëlohej. Punimet e Alea Hasanit, Afërdita Visokas dhe Anja Rexhepit nuk qëndrojnë vetëm të ngurta në mure, por edhe në vallëzim baleti e performancë në piano. Punimet e Alea Hasanit përfshijnë natyrë të qetë, ujëvara, peizazhe e portrete, që në komunikim me pikturat e saj japin ndjesinë për dashurinë ndaj ambientit të jashtëm, për çka pohon edhe ajo.
“Punimet e mia paraqesin gjëra që më kanë inspiruar, që këtë inspirim e kam gjetur në internet dhe nga aty i kam bazuar pikturat e mia. Unë më së shumti kam paraqitur natyrën, kryesisht frutat dhe portretet, që i dua edhe pse marrin më shumë kohë”, ka thënë Alea Hasani duke shtuar se po këto tema i pëlqen t’i paraqesë edhe në vizatime laps. Ajo ka filluar të merret me vizatim e pikturë që nga mosha 4-vjeçare, ndërsa punimet e saj numërojnë 20 të tilla nga 40 gjithsej të ekspozuara.
Edhe dhoma tjetër që u kthye në hapësirë ekspozuese. Anja Rexhepi ka shkrirë botën reale dhe abstrakte. “Lulet e mia të preferuara”, është punimi që ajo ka thënë se e do nga veprat e ekspozuara, në të cilën paraqet dashurinë për lulet, llojet e veçanta që preferon ajo. “Nga punimet e mia më së shumti më pëlqen një me lule, është disi më reale, të tjerat i kam më abstrakte, ato figura më pëlqejnë më së shumti. Në këto punime kam shprehur edhe ndjenjat e mia”, ka thënë ajo, ndërsa kjo ekspozitë e kthen në kohën kur në ambientet e shkollës u prezantuan punimet e shoqes së saj të klasës, Aleas. “Alea kur e ka pasur ekspozitën, na tregonte si është ndier, që ka pasur shumë emocione dhe tash ne po ndihemi njëjtë si ajo”, ka thënë Anja derisa ka shprehur emocionet për të parë veprat e ekspozuara në Galeri, sikurse edhe nëna e saj e cila thotë se Anja ka lindur me talentin për të pikturuar e vizatuar.
Një ekspozitë e tillë, e punime nxënësish, është jo fort e shpeshtë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, por pos shpalosjes së talentit, një ngjarje si kjo vjen me plot mesazhe
“Është emocion i veçantë të shohësh punën e fëmijës tënd. Ne jemi angazhuar, e përkrahim dhe do të vazhdojmë të përkrahim talentet e saj, që nuk është vetëm piktura, por edhe piano. Unë shpresoj se do të arrij edhe më shumë sukses në të ardhmen”, ka thënë Akile Rexhepi.
Përveç talentit, artistja tjetër e re, Afërdita Visoka, në pikturat e saj prezanton edhe dashurinë për baletin që shpërfaq tjetër talent në hapje të ekspozitës, me lëvizjet e saj prej balerine. Për punimet e saj ka thënë se ka përdorur imagjinatën dhe se ka paraqitur atë që asaj i ka pëlqyer dhe i ka ardhur në mendje.
“Kam punuar një balerinë që më ka pëlqyer shumë, dy këpucë, një normale dhe një të balerinës, pastaj malet e errëta, një urë të bukur, flutur të kaltër, një lule rozë dhe një të bardhë me flutura në të dhe kështu me radhë”, ka numëruar Afërdita.
Mësuesja e tri nxënësve të shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë, Elena Stublla, ka thënë edhe para të pranishmëve se si erdhi tek ideja për realizimin e ekspozitës, ndër të rrallat të fëmijëve në Galerinë Kombëtare. “Kjo është ekspozita e dytë që e organizojmë, por e para në nivel të Galerisë Kombëtare. Fillimisht kemi pasur ekspozitën në ambientet e shkollës, Alea i ishte nënshtruar një gare të padrejtë dhe për ta motivuar dhe treguar se jo çdo garë mund të ndalojë të vazhdosh me arritje të tjera dhe i kisha premtuar se një ditë atë do ta shohim në Galerinë Kombëtare. Sot nuk e shohim vetëm Alean, por edhe Afërditën dhe Anjën që i qëndrojnë asaj krah për krah”, ka thënë Stublla për KOHËN. Por ka një kapitull të veçantë që e fuqizon te kjo mësuese dashurinë për artin. Nëna e saj është shumë e talentuar në këtë fushë, por nuk ka pasur mundësi shkollimin e lartë e punën e saj me fëmijët ia dedikon pikërisht asaj.
“Nëse lumturia do të ishte në formë dite, atëherë dita e sotme e përshkruan më së miri lumturinë që realizuam ëndrrën e tri vogëlusheve”, ka thënë Stublla para të pranishmëve në hapje të ekspozitës të mërkurën pasdite, të cilën e ka cilësuar si shembullin se si një grua mund të kontribuojë për gratë, e vajzat në këtë rast.
Ekspozita nuk ka emërtim të veçantë, por jo rastësisht është lënë në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve
Ekspozita nuk ka emërtim të veçantë, por jo rastësisht është lënë në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Zëvendësuesi i drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, Naim Spahiu, ka thënë se ekspozita është në kuadër të programit edukativ për fëmijë të këtij institucioni. Ka përmendur edhe kushtet jo të përshtatshme të hapësirës ekspozuese të punimeve.
“Sot është një rast i mirë që të paktën ne si institucion të reflektojmë në edukimin e fëmijëve, t’u japim hapësirë në këtë ditë me vapë, në kushte pa kushte, por me rëndësi është të festojmë ditën e tyre me talente të reja”, ka thënë Spahiu.
Ndërsa zëvendësdrejtori i shkollës “Dardania” në Prishtinë, Nehat Shasivari, ka përgëzuar nxënësit dhe mësuesen për punën me ekspozitën.
“Rezultat i punës së saj është edhe kjo ekspozitë, që nuk është e vetmja, por kjo është më madhështore”, ka thënë ai në fjalën e tij.
Në hapje të ekspozitës morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti e ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.
Hapi i madh drejt artit për Alea Hasanin, Afërdita Visokën dhe Anja Rexhepin, dhjetëvjeçaret në klasën e pestë, veçse u bë, përmes ekspozitës që mësuesja e tyre ua mundësoi. Ekspozita do të jetë e hapur edhe të premten në ambientet e Galerisë Kombëtare të Kosovës.