Kulturë

“Lumbardhi” shtatë dekada si kinema – histori e papërfunduar mbijetese

Descriptive Text

Promovimi i librit të titulluar “Lumbardhi: një histori episodike”, si dhe bartja e programit të filmave “LXX” në ekranin e madh në Kino Bahçe në Prizren kanë shërbyer si aktivitete për të përkujtuar sfidat nëpër të cilat ka kaluar kjo kinema. Historiku i “Lumbardhit” është cilësuar si i papërfunduar, ndërkohë që arkivi i tij është përshkruar si arkiv i mbijetesës kulturore. Ndërkaq, drejtuesit e Ministrisë së Kulturës janë zotuar se do të ketë angazhime për mbrojtjen e hapësirave të tilla kulturore

Angazhimi shumëvjeçar i aktivistëve kulturorë për ta shpëtuar ndërtesën e kinemasë “Lumbardhi” në Prizren, është rikujtuar me admirim në atë që sot është monument i trashëgimisë kulturore. Entuziazmi që ky aset ka arritur të shënojë ditëlindjen e 70-të është ndier në kopshtin e tij, ku kanë qenë të pranishëm disa prej akterëve kryesorë. Dhe shënimi i shtatë dekadave të “Lumbardhit” nga ta është cilësuar si moment feste. Kjo për faktin se në të shkuarën kjo ndërtesë është sfiduar nga projekte të ndryshme, madje edhe me rrezikun për ndërrim të destinimit.

Në këtë atmosferë, të mërkurën mbrëma, ka vazhduar kremtimi i përvjetorit jubilar të kinemasë së vendosur afër shtratit të lumit me promovimin e librit të titulluar “Lumbardhi: një histori episodike”, si dhe me bartjen e programit të filmave LXX në ekranin e madh të kinemasë së hapur që tani njihet si “Kino Bahçe”.

Merita për shpëtimin e “Lumbardhit” u është atribuuar qytetarëve.

“‘Lumbardhi’ ka shpëtuar për shkak se qytetarët kanë menduar se memoria institucionale, e cila na ka munguar duhet të zëvendësohet me memorien kolektive. Ajo që na ka bashkuar neve, secilin, prej prizmit edhe prej këndvështrimit tonë kemi pasur pak apo më shumë të kaluar, apo ëndrra, apo dëshira apo lidhshmëri me këtë vend”, ka thënë Ares Shporta nga fondacioni “Lumbardhi”.

Image

Libri “Lumbardhi: një histori episodike”, nga autorët Bengi Muzbeg dhe Tevfik Rada, përshkruan takimin dhe ndërveprimin midis “Kino Lumbardhit” dhe Prizrenit, prej rrethanave që sollën te hapja e kinemasë në vitin 1952 e deri te ndalja e aktivitetit pas falimentimit të ndërmarrjes shoqërore “Kino Bistrica” në fillim të shekullit të ri


Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, duke kujtuar betejat shumëvjeçare të shoqërisë civile dhe artistëve për këtë kinema, ka pohuar se do të ketë angazhime konstante për mbrojtjen e hapësirave të tilla kulturore. Njëherësh ka njoftuar se me BE-në do të bashkëfinancohet projekti i rivitalizimit të kësaj kinemaje, tok me përpjekjet për t’i dhënë statusin e mbrojtjes së përhershme si aset i trashëgimisë kulturore.

“Në përgjithësi një nga angazhimet tona është që hapësirat tona kulturore t’i mbrojmë dhe të punojmë ngushtë me komunitetin, me artistët, me aktivistët dhe punëtorët kulturorë në të gjithë vendin, që hapësirat tona kulturore të jenë sa më të gjalla, të kenë sa më shumë program, t’u shërbejnë sa më mirë qytetarëve dhe të shndërrohen në entitete që janë të vetëqëndrueshme në mënyrë që idetë dhe projektet për t’i transformuar, për t’i rrënuar ose për t’i ndryshuar njëherë e përgjithmonë të largohen nga agjendat politike apo çfarëdo agjende në vendin tonë”, është shprehur ministri Çeku.

Ndërkaq për librin “Lumbardhi: një histori episodike” nga autorët Bengi Muzbeg dhe Tevfik Rada, është thënë se flet për takimin dhe ndërveprimin midis “Kino Lumbardhit” dhe Prizrenit, prej rrethanave që sollën te hapja e kinemasë në vitin 1952 e deri te ndalja e aktivitetit pas falimentimit të ndërmarrjes shoqërore “Kino Bistrica” në fillim të shekullit të ri. I botuar në kuadër të hulumtimit shumështresor “Kinofigurimi” që trajton historinë e “Kino Lumbardhit” dhe zhvillimin e kinemasë në Kosovë, bazuar kryesisht në studime arkivore dhe kujtime të protagonistëve të episodeve të ndryshme të kinemasë, libri sipas autorëve tenton që ta vendosë zhvillimin e kinemasë në kontekst politik dhe kohor, e ta kuptojë rëndësinë shoqërore dhe historike të kinemasë dhe pamjeve lëvizëse në raport me qytetin dhe realitetin politik të vendit.

“S’kemi dashur të bëjmë një histori të mbyllur, s’kemi dashur të bëjmë një histori në tërësi, të kufizuar, një narrativë lineare, por kemi dashur ta bëjmë pak më të hareshme, pak më kinematike, në stilin e komedisë dhe mendoj që kjo formë përshtatet me historinë dhe fatin e kësaj ndërtese, që fati i kësaj ndërtese ende është i papërfunduar”, ka deklaruar Tevfik Rada, bashkautor i librit.

Autori tjetër, Bengi Muzbeg, ka shtuar se ky libër në vend të përgjigjeve me gjasë ka ngritur edhe një numër të madh të pyetjeve.

“Këto pyetje të ngritura ndoshta mund të shërbejnë si shtytës për hulumtime të reja lidhur me ‘Lumbardhin’ dhe veprimtarinë e tij”, ka thënë Muzbeg.

Pas promovimit të librit, ka filluar edhe shfaqja e programit “LXX” në ekran të madh, që është bashkëkuruar nga Bengi Muzbeg, Kumjana Novakova dhe Veton Nurkollari. Përzgjedhja e filmave është bazuar në listat e filmave të shfaqur në kinemanë “Lumbardhi” gjatë pjesës së dytë të shekullit XX, që përfshin një gamë të gjerë të zhanreve, prej filmave propagandistikë jugosllavë e hollywoodianë, deri te filmat artistikë evropianë, melodramat turke, indiane e meksikane.

Image

Pas promovimit të librit, ka filluar edhe shfaqja e programit “LXX”. Sezoni veror i shfaqjeve është hapur me “Betejën e Neretvës” (1969) nën regji të Velko Bulajiqit, film historik i bazuar në ngjarje nga Lufta e Dytë Botërore


Sezoni veror i shfaqjeve është hapur me filmin “Beteja e Neretvës” (1969) me regji të Velko Bulajiq, film historik i bazuar në ngjarje nga Lufta e Dytë Botërore, njëkohësisht edhe filmi më i shtrenjtë i prodhuar në ish-Jugosllavi, i nominuar për çmimin “Oscar”, me një ekip ndërkombëtar e rajonal të aktorëve, prej Orson Welles e deri te Faruk Begolli.

Para filmit ka folur kuratorja e programit, Kumjana Novakova, duke potencuar se arkivi i “Lumbardhit” është arkiv i mbijetesës kulturore.

“Arkiva e ‘Lumbardhit’ nuk është histori, por është një arkiv i mbijetesës, i mbijetesës kulturore dhe është një dëshmi se kinemaja nuk është ngjarje, por kinemaja është pjesë e përditshmërisë sonë dhe duhet të qëndrojë kësisoj”, ka thënë Novakova.

Ndërsa drejtoresha e Qendrës Filmike të Sarajevës, Ines Tanoviq, duke përkujtuar historinë e përbashkët në të kaluarën ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim edhe në të ardhmen.

“Kemi mbi 100 filma artistikë dhe mbi një mijë dokumentarë dhe kam gatishmëri që t’i ndaj ato me publikun jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, sepse kjo është historia jonë”, ka thënë ajo.

Gjatë kësaj jave programi “LXX” do t’i shfaqë edhe filmat “Loves of a Blonde”, “Era dhe Lisi”, “Dry Summer” dhe “Once upon a time in the West”, me fillim nga ora 20:30 në “Kino Bahçe”, derisa programi do të vazhdojë deri në muajin shtator, me mbi 40 shfaqje filmike të prezantuara në orare dhe formate të ndryshme.