Kulturë

“Body talk” i bën vizitorët artistë, bashkon pikat për frymëzim

Vizitori nuk ka gjetur vepra arti në galeri, por është dashur të bëhej vetë artist, e bashkë me të tjerët t’i japë formë veprës. Në këtë mënyrë, artistja Laura Ymeri i ka dhënë formë konceptit të saj mbi frymëzimin artistik. Udhëzimet e saj kanë qenë pikat, e bashkimi i tyre ka zbardhur jo vetëm veprën, por edhe raportin e artistes me rrethin, apo edhe lidhjen midis njerëzve. Ekspozitën e ka titulluar “Body talk” dhe ka një shpjegim për këtë

Publiku që futet brenda galerisë “Paper”, në fillim nuk ia del ta qartësojë se çfarë përmban ekspozita. Njëri pas tjetrit udhëzohen që të hyjnë të ndarë në hapësirën ku do të hapet ajo. Drita brenda galerisë është tejet e zbehtë. Aty pret autorja e ekspozitës.

Laura Ymeri e sheh secilin vizitor që futet në të. Qëndrimin e mban drejt. Nuk bën asnjë lëvizje. As mimika e fytyrës nuk i ndërron. Pa thënë asnjë fjalë i fton vizitorët t’i bashkohen hapësirës së saj ekspozuese. Nuk ka asnjë vepër me emrin e saj. Murin e ka mbështjellë me letër të vrugët. Në tavolinën me të hyrë nga ana e djathtë janë të vendosura dy gota me lapsa të zinj. Vizitorët ftohen ta marrin nga një dhe t’i lidhin pikat që i ka vendosur artistja. Janë si ato “sfidat” e moçme “bashko pikat” nëpër revistat e dikurshme. Artistja Ymeri e ka bërë bazën e ekspozitës, por pjesën tjetër ia ka dorëzuar publikut.

“Body talk” titullohet ekspozita e saj e parë personale që është hapur në galerinë “Paper” në Prishtinë, në bashkëpunim me “Prishtina Biennale” në kuadër të projektit “Në duart tona”. Me këtë performancë interaktive, ajo ka synuar që të ngacmohet marrëdhënia midis njerëzve. Këtë e ka bërë duke i lënë të lirë dhe të veprojnë krah njëri-tjetrit.

Image
Laura Ymeri, pa fjalë a shenja i ka ftuar vizitorët t’i bashkohen hapësirës ekspozuese në “Paper”

“Ta shohim sa mund të shtysh individin, dhe më pas të shohësh se në fakt efekti i shumë individëve-shoqërisë është pasoja”, shkruhet në njoftimin e ekspozitës. Vizitorët janë futur me kuriozitet brenda dhe më pas kanë ndjekur njëri-tjetrin. Brenda ka pasur pak e hiç komunikim, ndërsa si pjesë e instalacionit në sfond dëgjohet zhurmë e vazhdueshme. Mes një ambienti dinamik krijohet një interaktivitet i plotë teksa vizitorët hyjnë e dalin duke lënë gjurmët e tyre në ekspozitë. Artistja Laura Ymeri ka thënë se ekspozitën ka dashur ta bëjë sa më spontane dhe të bashkëndiej me energjinë e të pranishmëve. Nga fundi i ekspozitës ka thënë se e ndien energjinë pozitive, aty ku muret kanë marrë tjetër pamje e ndriçimi mbetet akoma i zbehtë. Sipas saj, kjo ekspozitë është reflektim i interaktivitetit të përditshëm mes njerëzve se si e ndikojnë njëri-tjetrin.

“Këta janë pjesë e imja e jetës dhe janë frymëzimi im. Këtë energji unë e shkrij në pikturë. Secili që e merr lapsin e sheh një punë individuale të veten, por në fakt janë duke e bërë një punë grupore, ashtu siç ne bëjmë çdo ditë”, ka treguar Ymeri.

Artistja Laura Ymeri ka të veshur një fustan në zi deri në fund të këmbëve. Vizitorët, me ngjyrë të bardhë fillojnë të ngjyrosin mbi fustanin e saj. Ashtu si dhoma, edhe artistja në fund të ekspozitës ndryshon falë gjurmëve të vizitorëve.

Suara Ismajli është vetëm njëra nga vizitorët që ka vazhduar vizatimin e nisur nga vizitorët para saj. Kur vizatimi me laps përfundon, atyre u dhurohet një mbajtëse më e gjatë për lapsa që të vizatojnë sa më lart. Meqë gjithë hapësira është e hapur që vizitorët të ndihen të lirë, Suara vazhdon vizatimin në karrigen në dhomë.

Image
Vizitorët me ngjyrë të bardhë fillojnë të ngjyrosin mbi fustanin e artistes. Ashtu si dhoma, edhe ajo në fund të ekspozitës ndryshon falë gjurmëve të vizitorëve

“Jam shumë e emocionuar, sepse kjo ekspozitë ishte shumë diçka e re për mua. Nuk kam parë ndonjë ekspozitë ku vizitori mund të ndërhyjë në ekspozitë. Bashkë po i lidhim pikat ndërmjet vete dhe po krijojmë diçka nga imagjinata jonë”, ka thënë Ismajli për KOHËN.

Kjo ekspozitë në këtë formë ka qenë insistim i artistes që vjen me forma të reja shprehëse. Ka refuzuar të nxjerrë para publikut veprat e saj brenda galerisë, por ka dashur që të shprehë mënyrën se si njerëzit janë burimi kryesor i frymëzimit për artistët.

“E kemi bërë një formë më të lirë të ekspozimit. Kemi dashur ta trajtojmë temën se si artistët frymëzohen dhe vijnë deri te krijimi i një vepre të caktuar, kurse në këtë rast njerëzit krijojnë direkt. Artistja zakonisht frymëzohet prej njerëzve dhe në këtë rast ua dhuron mjetet e punës vizitorëve”, ka thënë kuratori i ekspozitës Burim Berisha.

Artistja Laura Ymeri i ka pritur për më shumë se një orë vizitorët. Kur e ka ndier se ekspozita ka arritur qëllimin e vet, ka dalë jashtë bashkë me fustanin e vizatuar me të bardhë. Nga të pranishmit është pritur me duartrokitje. Tek atëherë ka nisur komunikimin me ta për ekspozitën.

“Body talk” do të jetë e hapur për vizitorë deri të premten në galerinë “Paper”.