Kulturë

Dyshja hungareze në piano e violinë me elegancë për maestron Cziffra

Mjeshtërve Ádám Balogh në piano e Ádám Banda në violinë s’u është dashur shumë prova bashkë që të nxjerrin në pah virtuozitetin. Me vepra që ngjallin kontraste, dyshja ka ecur në një rrugëtim të gjatë muzikor në skenën ku “Chopin Piano Fest” po e shpalos programin e edicionit të 12-të. Kjo mbrëmje e dyshes nga Hungaria, e organizuar në bashkëpunim me festivalin “Cziffra” në Budapest, erdhi në kujtim të 100-vjetorit të lindjes së pianistit hungarez me famë botërore, György Cziffra (1921 – 1994)

Pa nisur koncerti, nga prapaskena dëgjohen tingujt e testimeve të fundit. Ádám Balogh kur mbërrin te pianoja tërheq sakon prapa disa herë para se t’ia nisë lojës. Qëndrimin e mban të drejtë. Eleganca është ajo që e shoqëron jo veç në qëndrim. Në lojë ajo shoqërohet nga saktësia në raport me veprat që kanë goxha partitura.

Të hënën mbrëma skenën nuk e ka ndarë i vetëm. Është shoqëruar nga violinist i shumë çmimeve, Ádám Banda – të dy emra të dëshmuar të muzikës klasike në Hungari. Por Prishtina ka qenë ajo që i ka bashkuar në një skenë.

Mjeshtërve në piano e violinë s’u është dashur shumë prova bashkë që të nxjerrin në pah virtuozitetin. Me vepra që ngjallin kontraste, dyshja ka ecur në një rrugëtim të gjatë muzikor në skenën ku “Chopin Piano Fest” po e shpalos programin e edicionit të 12-të. Mbrëmjen e kanë nisur me “Rhapsody No. 1, Sz. 86, 87, dhe 88, BB 94” të një prej kompozitorëve të njohur hungarezë, Béla Bartóku.

Pianisti Ádám Balogh dhe violinisti Ádám Banda me lojë intensive kanë dëshmuar mjeshtërinë e tyre qysh në veprën e parë. Pjesa tjetër ka qenë përforcim i saj. Me përcjelljen e një prej rapsodive të para të kompozuara nga mjeshtri hungarez, dyshja e ka bërë të theksueshëm objektivin e atij që futet në mesin e emrave më të shquar të kompozitorëve të shekullit XX: që të përcjellë meloditë burimore të fshatit në kontekstin e koncerteve perëndimore. Më pas mbrëmja ka vazhduar me veprën “Violin Sonata No. 1 in G major, Op. 78” të kompozitorit gjerman, Johannes Brahms. Tri pjesët e kësaj vepre vijnë në një koherencë dhe duket sikur gjurmojnë zhurmën e shiut: ndjellin qetësinë dhe e prishin atë në të njëjtën kohë. Me veprën “Agosti: The Firebird” të Igor Stravinskyt, pianisti 25-vjeçar Ádám Balogh ka zbrazur gjithë universin e tij muzikor që luhatet nëpër tinguj të larmishëm. Sa duket që ngrihet përnjëherë, zbret në një rrafsh me të butë. Kjo s’do të bëhej pa lojën gjeniale të pianistit që është fitues i shumë garave kombëtare, e që deri tash ka interpretuar në salla koncertesh në Evropë, Amerikë dhe Azi. Në skenë ka një lloj shkathtësie të veprojë tërësisht kur ia kërkon vepra dhe të zhytet në qetësinë e saj kur kërkohet.

“Ishte mbrëmje e mrekullueshme, publiku këtu më ka befasuar. Ne zgjodhëm vepra të ndryshme. Pjesa e parë ishin vepra me tradicionale dhe pjesa e dytë vepra që kërkojnë më shumë transkriptim, pasi që mbrëmja erdhi si bashkëpunim me festivalin ‘Cziffra’. Është hera e parë që luajtëm së bashku, kishim pak prova, por ishte një eksperiencë e mrekullueshme”, ka thënë ai për KOHËN fill pas koncertit.

Image
Balogh e Banda janë emra të dëshmuar të muzikës klasike në Hungari. Por Prishtina ka qenë ajo që i ka bashkuar në një skenë

Kjo mbrëmje e dyshes nga Hungaria e organizuar në bashkëpunim me festivalin “Cziffra” në Budapest, erdhi në kujtim të 100-vjetorit të lindjes së pianistit hungarez me famë botërore, György Cziffra.

Sipas organizatorëve, kjo mbrëmje ia ka shtuar laramaninë festivalit. Siç e do zakoni i festivalit nuk mungojnë as veprat e kompozitorit Frederic Chopin. “Noctrune in c#-mol, Op. Posth” ka ardhur në përshtatje për dy instrumentet. Në katër pjesë të saj dyshja ka zbërthyer me mjeshtëri specifikat e veprës.

“Ishte një virtuozitet i jashtëzakonshëm i pianistit dhe i violinistit sonte. Bashkëpunimi muzikalisht ishte në një nivel shumë të lartë të tingullit dhe virtouzitet teknik të jashtëzakonshëm. Ishte program jashtëzakonisht interesant”, ka thënë pianistja dhe drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula.

Pianisti Agron Shujaku kishte qenë në mëdyshje për ta ndjekur koncertin e së hënës mbrëma. Por çdo minutë gjatë dy orëve në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare e ka mbajtur shumë të vëmendshëm. Pianisti kosovar nuk është fort adhurues i kombinimit të pianos me violinë, por një lojë mjeshtërore e dyshes nga Hungaria e ka bindur për të kundërtën. Një gërshetim i tingujve të pianos dhe atyre të violinës me vepra që prekin kryesisht shekullin e kaluar është vlerësuar si një mbrëmje subtile.

“Çka e dallon dhe e veçon interpretimin e tyre si dyshe është një ndjenjë e veçantë e shprehjes artistike shumë subtile. Diçka që nuk e kam dëgjuar moti kohë dhe diçka që mungon. Është diçka që vjen nga brendësia dhe një dëgjues e shtyn që të koncentrohet akoma më shumë”, ka thënë Shujaku për KOHËN.

“Chopin Piano Fest” do të vazhdojë deri më 10 qershor udhëtimin nëpër vepra e emra të njohur të muzikës klasike. Të mërkurën në Prishtinë do të prezantohet një prej personaliteteve më të shquara muzikore të Austrisë, Stefan Vladar.