Edicioni i tretë i festivalit ndërkombëtar të romanit grafik “GRANFest” ka sjellë eksperiencat e autorëve botërorë në Kosovë. Qysh në hapjen zyrtare qe zbardhur edhe synimi i këtij festivali, që t’is nxisë rioshët në Kosovë të krijojnë vetë romanet e tyre grafike. Një hap konkret për këtë ishte edhe punëtoria me autorin e njohur japonez, Fumio Obata, me nxënësit e shkollës model “Qamil Batalli”
Korridori i shkollës model “Qamil Batalli” në Prishtinë u kthye në klasë njëorëshe për artistët e vegjël të romaneve grafike. Në bankat shkollore, dhjetëra nxënës i ktheu në ditë vikendi autori japonez i librave komikë dhe ilustruesi Fumio Obata me punëtorinë “Të tregosh një histori përmes vizatimit”. Fëmijë të moshave të reja, djem e vajza talentë në vizatim, mësuan strukturën deri në ilustrimin e figurave të superheronjve të tyre në lojëra e në filma të animuar, ndërsa patën mundësinë edhe vetë të improvizojnë figurat e tyre.
Edicioni i tretë i festivalit ndërkombëtar të romanit grafik “GRANFest” – i cili zyrtarisht ka përfunduar të dielën me takime autorësh me lexues e adhurues të këtij zhanri – ka sjellë eksperiencat e emrave botërorë në Kosovë. Qysh në hapjen zyrtare, të premten mbrëma, qe zbardhur edhe synimi i këtij festivali që të nxisë rioshët në Kosovë të krijojnë vetë romanet e tyre grafike. Të shtunën, punëtoria “Rrëfimi i storieve me vizatime” qe konkretizimi i këtij synimi.

imagjinatën”, “punimet merrni me vete dhe vazhdoni të bëni gjëra të ngjashme edhe në shtëpitë tuaja”, “punoni vetë dhe mundohuni të shprehni përmes gjuhës”, kanë qenë disa nga këshillat që artisti Obata u ka dhënë nxënësve gjatë afatit kohor pesëminutësh për krijimet e tyre. Nxënës të ciklit të ulët dhe të mesëm të ulët të shkollës nikoqire të punëtorisë kanë qenë pjesëmarrës të kësaj punëtorie, njëra prej tri sosh sa ishin paraparë. Ajo në shkollën e mesme “Sami Frashëri”, si dhe në Fakultetin e Arteve nuk janë mbajtur.
Inspirimi i Obatas vjen nga dallimet kulturore dhe nga çështjet sociale në rrethinën e tij. Ai është artist që synon të udhëzojë të rinjtë të shprehin veten nëpërmjet imagjinatës dhe kreativitetit. “Një takim me vetveten”, është njëri prej titujve të romaneve të tij grafike, që tashmë flet edhe në shqip, i përuruar sivjet në “GRANFest”, që për temë kryesore ka pasur “Identitete të përziera”.
“Unë me të vërtetë i udhëzoj pjesëmarrësit të shprehin veten e tyre, kështu duhet pasur një qëllim dhe arsye, kështu të mund të shohin veten duke e bërë këtë edhe në kohën e lirë. Gjithë struktura vjen si shërbim sesi të krijosh një figurë prej një rrethi dhe sa shumë mund të bësh vetëm me një rreth, është shumë me rëndësi dhe duhet pasur elemente udhëzuese”, thotë artisti japonez, Obata, teksa shpreson se punëtoria e së shtunës ka rezultuar pozitivisht për fëmijët.
Ka qenë i dashur me fëmijët dhe në gatishmëri për të ndihmuar për çdo gjë, edhe në pyetjet më të pafajshme të të vegjëlve. Për të nuk është e vështirë të punojë me këta fëmijë, edhe pse shumë elemente nga struktura mund të jenë të pakuptimta.
“Ata veçse janë të interesuar për vizatimin, por nganjëherë u ligjëroj edhe fëmijëve që nuk janë shumë të interesuar, ajo është paksa e vështirë. Ata nuk dinë si ta shprehin veten e tyre në vizatime”, thotë Obata. Ka thënë se njeh shumë pensionistë në Lindjen e Mesme që kanë filluar të vizatojnë dhe të ndiejnë kënaqësi duke shprehur veten përmes artit.
“Kështu që pse të mos bëni figura dhe karaktere”, thotë ai duke qeshur. Sipas tij, vizatimi është platforma e njerëzve për t’u shprehur.
Kjo është hera e dytë e tij në Kosovë, në “GRANFest”, ku kishte marrë pjesë në vitin 2019, po ashtu me punëtori. Njerëzit për të janë të shoqërueshëm dhe të lindur për të ndihmuar njëri-tjetrin, për çka thotë se një gjë e tillë nuk ndodh edhe në vendlindjen e tij, të cilën e konsideron se gjithçka ecën në kohë dhe shoqëria japoneze është e stresuar tërë kohën.
Të ngazëllyer me punimet e tyre, nxënësit drejtonin blloqet e bardha me figurat e vendosura në hapësirat e tyre. Ata kishin kohë pesë minuta për secilin punim të tyre, teksa punimin pasues, trajneri Obata e ilustronte me figura qesharake në pajisjen e tij elektronike, shpeshherë vetëm me qëllimin për t’i bërë ata të qeshin. Për japonezin, rëndësinë e galerisë dikur sot e ka në dorë interneti dhe më së shumti lojërat elektronike.
“Për shkak të internetit, më shumë fëmijë dhe njerëz të rinj janë në kontakt me kulturën aziatike dhe janë shumë të ndikuar nga karakteret, figurat. Për shumë nga krijuesit e rinj në gjithë botën, kontakti vizual i tyre nuk është më galeria, është interneti”, ka thënë ai për KOHËN, derisa ka përmendur se arti i tij është i ndarë me Japoninë dhe Anglinë, vendin në të cilin jeton dhe ka krijuar karrierë si ligjërues në Universitetin Gloucestershine në Mbretërinë e Bashkuar. Punëtoritë në këtë lloj arti vlerëson se janë të rëndësishme që nxënësit të shprehin veten, siç është e rëndësishme të ketë një udhërrëfyes në këtë rrugëtim.

Fëmijët e shkollave të ndryshme do të jenë ndër protagonistët e festivalit edhe në edicionet e ardhshme.
“Për fëmijët, është shumë me rëndësi, mendoj unë, që nga kjo moshë t'i zbulojnë talentet e tyre, dhe përmes këtij workshopi, qëllimi ynë ka qenë që të kontribuojmë në këtë drejtim. Dhe fëmijët janë, dhe do të jenë në planet e ‘GRANFest-it’ edhe në të ardhmen”, ka thënë koordinatoja e punëtorisë, Nora Luta. Sipas saj, “GRANFestit” i ka dhënë ngjyra të tjera kryeqytetit. Për të është hera e parë si koordinatore, por jo në pjesëmarrje, pasi vitin e kaluar ka ndihmuar në organizim të festivalit. Interesim për edicionin e tretë me radhë është parë edhe nga të rinj që vullnetarisht kanë vendosur të ndihmojnë në çfarëdo forme, për dy ditë të festivalit të romanit grafik.
Fëmijët u panë të interesuar të përmirësojnë aftësitë e tyre për të vizatuar. Obata i drejton ata drejt shpërfaqjes së asaj çfarë fshihet në mendjet e tyre.
“Për të qenë më interesante ata e kanë përdorur edhe imagjinatën. Kur u thashë të ilustrojnë aktivitetet e preferuara të tyre, ata u bënë më shumë artistë”, ka thënë autori japonez i romaneve grafike.
Për vetë nxënësit, aktiviteti në shkollën “Qamil Batalli” ka hapur kapituj të rinj.
“Nuk kam parë roman grafik më parë, më është dukur shumë interesante dhe ka qenë një aktivitet shumë i mirë. Interesante ishte ta vizatonim imagjinatën tonë, karakterin apo veten, m’u duk shumë tërheqëse. Trajneri ka qenë shumë i afërt me neve dhe i shoqërueshëm”, ka thënë nxënësja e klasës së gjashtë në këtë shkollë, Almira Llalloshi. Ajo nuk përjashton mundësinë që në të ardhmen do ta bëjë edhe profesion atë çfarë praktikoi në punëtori. Për disa nga ta ishte hera e parë të flasin me një të huaj.
“Kemi vizatuar emocionet tona në bazë të emoji-ve, jam kënaqur shumë. Ishte edhe interesante pasi nuk kam pasur rastin të flas me një joshqiptar”, ka thënë nxënësja Reina Llalloshi. Buzëqeshja e kreativiteti i fëmijëve e shoqëruan gjatë një ore punëtorinë “Telling a story through drawings”, përderisa pjesëmarrësit u fokusuan në artin e ri që po mësonin.
“Mendova se do të zgjasë më shumë, por prapë është në rregull, nuk jam marrë më parë me vizatime të tilla”, ka thënë nxënësja e klasës së tetë Rinesa Hyseni.
Obata e vlerëson si të rëndësishëm romanin grafik, duke ndihmuar kështu edhe në gjendjen emocionale të individëve.
“Është e rëndësishme, është profesioni im, prandaj them. Shumë njerëz në Japoni kanë shpëtuar emocionalisht duke lexuar romane grafike, pasi është një shoqëri shumë stresuese. Librat komikë në fakt i ndihmojnë shumë gjeneratës së re për të tejkaluar këtë stres, është sikur të dëgjosh muzikë apo të luash”, thotë ai, ndërsa thekson edhe dallimet midis kohëve, duke e vendosur gjininë si elementin kryesor diferencial, ku thotë se “historitë dhe karakteret kanë qenë të kufizuara, zakonisht për meshkuj”.
“Ka qenë fantazi mashkullore, në mënyrën sesi gjinia femërore janë marrë më herët ka qenë fantazia më e mirë e meshkujve atëherë, por tash ka ndryshuar. Tash shumë artiste femra kanë filluar të merren me romane grafike. Kështu edhe karakteret femërore që meshkujt vizatojnë kanë ndryshuar”, ka thënë ai. E vlerëson këtë si zhvillim të madh pozitiv dhe si dallimi më i madh i romanit grafik nëpër kohë.
Autori i shumë librave komikë si Fumio Obata: “Japan”, “Fantasy”, “On natural disaster” e shumë të tjerë, lindi në kryeqytetin japonez, në Tokio, më 1975. Ai gjatë karrierës së tij prej artisti ka shkruar tregime e ka përshtatur skenarë ekzistues për libra komikë dhe për romane grafike. Ka botuar në tetë gjuhë të ndryshme të zhanreve që zgjerohen nga reportazhi i drejtpërdrejtë në interpretimet poetike.
Një orë pas, autori i letrave të ilustruara u përshëndet me të rinjtë që i udhëzoi.
“Mund të vizatoni figura të ndryshme imagjinare, mund të bëheni më të mirë me artin. Disa prej jush ndoshta do të bëheni artistë profesionistë”, u tha nxënësve në mbyllje të punëtorisë.