Kulturë

Marrëveshja Kosovë-Francë në kinematografi, “moment krenarie” për Ministrinë

Descriptive Text

Me pompozitet qe paralajmëruar disa herë nënshkrimi i marrëveshjes midis Kosovës e Francës në fushën e kinematografisë, por në ditën kur kjo është konkretizuar, Ministria e Kulturës është mjaftuar me nja gjashtë rreshta në rrjete sociale, një fotografi dhe asnjë detaj. Marrëveshja është nënshkruar në Cannes, aty ku po mbahet edicioni i 75-të i Festivalit prestigjioz të filmit.

“Ditë e shënuar për kulturën dhe filmin, konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera ndërshtetërore mes Kosovës dhe Francës. Sot në Cannes kemi nënshkruar marrëveshjen për bashkëprodhim kinematografik mes dy shteteve. Moment krenarie. Urime komunitetit të filmit, suksese në realizime të përbashkëta filmike kosovaro-franceze”, ka qenë postimi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Deri në orët e para të së dielës, s’ka pasur ndonjë njoftim a komunikatë për media.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka rikujtuar se për të njëmbëdhjetin vit me radhë prezantohet në tregun më të rëndësishëm të filmit ‘Marche Du Film’ në Festivalin e Cannes. Edhe sivjet shtandin e ka të përbashkët me Shqipërinë. Aty ka përmendur edhe marrëveshjen tashmë të nënshkruar.

“Në këtë edicion të 75-të, më 21 maj, Republika e Kosovës do të nënshkruajë marrëveshje ndërshtetërore për bashkëprodhim kinematografik me Republikën e Francës. Kjo marrëveshje përveç që do të zyrtarizojë bashkëprodhimet filmike kosovaro-franceze, ajo do të hapë rrugë për bashkëprodhime të reja dhe do të përforcojë bashkëpunimin në mes të dy qendrave të filmit, QKK-së së Kosovës dhe CNC-së së Francës”, ka shkruar QKK-ja me jo pak gabime në postim.

Në Festivalin e Cannes që u hap zyrtarisht të martën e 17 majit, prej së shtunës janë prezentë edhe përfaqësuesit e “DokuFestit”, që sivjet është partner i “festivalit të festivaleve”. Si pjesë e “Cannes Docs”, “DokuFest” zë vend në “Tregun e filmit” që është edhe tregu më i madh në botë i fushës së kinematografisë. Stafi i “DokuFestit” rikthehet në Cannes pas suksesit të vitit 2021, që ishte historik për Kosovën, pasi për herë të parë një film vendor ishte në garë për “Palmën e Artë”. Filmi i shkurtër i Samir Karahodës, “Pa Vend”, ishte pjesë e konkurrencës zyrtare në kategorinë e filmave të shkurtër. Po ashtu, vjet u dha premiera botërore e filmit “Luaneshat e kodrës” nën regji të Luana Bajramit në “Director's Fortnight”, organizim paralel brenda Festivalit të Cannes.

E Alban Ukaj si aktor ka arritur atë që e ka konsideruar ëndërr për shumicën e kolegëve të tij: të kthehet në Festivalin e Cannes. Ukaj është në këtë edicion pasi luan në “Tori and Lokita” të vëllezërve Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, film i cili është në konkurrencë zyrtare. Premiera botërore do të jepet të martën që vjen.