Kulturë

Muzeu Etnografik i Kavajës në objektin e 1800-tës pret kapitull të ri

“Inspektuam nga afër punimet që do ta kthejnë këtë objekt në një muze që do t’u flasë brezave jo vetëm me artefakte, por edhe me gjuhën e teknologjisë”, ka thënë ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, gjatë inspektimeve të punimeve në Muzeun Etnografik të Kavajës
 

Muzeu Etnografik i Kavajës i është nënshtruar restaurimit dhe rijetësimit me projekt të programit të Bashkimit Evropian, “#EU4Culture”, i cili ka në listë disa monumente anekënd Shqipërisë. Institucioni muzeor në bashkinë rreth 20 kilometra nga Durrësi, i vendosur në një banesë rezidenciale mbi dyqind vjet të vjetër, do të prezantojë koleksionin e vet me “gjuhën” e teknologjisë bashkëkohore.

“Së bashku me zëvendësshefin e Seksionit Politik të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Jean-Baptiste Le Bras, e përfaqësues të UNOPS-it, inspektuam nga afër punimet që do ta kthejnë këtë objekt në një muze që do t’u flasë brezave jo vetëm me artefakte, por edhe me gjuhën e teknologjisë”, citohet të ketë thënë ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti.