Kulturë

“Pa kornizë” në kitarë e piano si bashkëbisedim me jazz

Descriptive Text

Titulli i koncertit nuk ka qenë thjesht paralajmërim, por edhe qëndrim mbi konceptin për muzikën. Armend Xhaferi dhe Arben Ramadani e kanë dëshmuar në skenë pakufishmërinë e botës së tyre muzikore dhe të mundësisë së pafundme të lojës me tinguj. Improvizimi tingëllon punë e lehtë, por në muzikën e dyshes dëshmohet se një gjë të tillë mund ta bëjnë vetëm profesionistët. I veçantë ka qenë koncerti i tyre në “Chopin Piano Fest” dhe i ka ngjarë dialogut të ty mjeshtërve nëpërmjet tingujve

Publiku i “Chopin Piano Fest” është ulur pa idenë më të vogël se çfarë do të luhet në mbrëmjen e radhës të festivalit. Nuk ka ndonjë program të cilit mund t’i përmbahen. Një të tillë s’e kanë as muzikantët në skenë. Kështu ka vendosur dyshja që me lojën e tyre mbi të gjitha kanë dëshmuar lidhjen e fortë të tyre muzikore.

Armend Xhaferi në kitarë e Arben Ramadani në piano e kanë titulluar “Pa kornizë” koncertin e tyre në Prishtinë.

Xhaferi para se të nisë lojën komunikon pak me publikun. Kështu e ka zakon artisti që i urren rregullat strikte. Se është i tillë në lojë e muzikë e ka dëshmuar gjatë gjithë mbrëmjes. Me një program spontan që gërsheton tinguj të muzikës jazz e disa të asaj etno e kanë mbajtur publikun në sallë. Si përjetime personale i kanë përcjellë instrumentalet.

Image
Që të dalë muzika spontanisht, esenca është ta kesh një muzikant me të cilin kuptohesh shumë mirë e më pas ajo ngjitet vetë. Me Arbenin mund të udhëtosh ku të duash”, ka thënë kitaristi Armend Xhaferi

Xhaferi e ka pritur Ramadanin me lojë në skenë. Bashkë, për disa minuta kanë gërshetuar tingujt në instrumentet e tyre, derisa jazz-kitaristi gjatë lojës ka vendosur kitarën në vend e është larguar pa zhurmë nga skena. Ramadani e ka vazhduar lojën. Tingujt e tyre i janë dorëzuar momentit, dhe kjo e ka shtyrë dyshen që të luajë natyrshëm duke gjetur harmoninë muzikore në skenë. Pjesën dominuese të koncertit e kanë udhëhequr së bashku. Xhaferi ka luajtur edhe disa pjesë që ka kompozuar vetë. Një prej tyre ka qenë kënga “Qaj rusi”. Ai është i specializuar në kitarë elektrike dhe akustike, në bas, bateri dhe në zhanret jazz, pop, world, blues, rock, reggae dhe në muzikë ambienti. Është kompozitor i pasionuar dhe me aftësi në kompozim, orkestrim dhe aranzhim të muzikës për film dhe media të tjera vizuale, duke përdorur teknologjinë e fundit. Xhaferit, i cili është aktiv në skenën e jazit, nuk i kishte shkuar ndërmend se do të luante në një festival të muzikës klasike. Ka insistuar që të jenë spontan në skenë, për t’i dhuruar një mbrëmje të veçantë publikut të këtij festivali.

“Ishte kënaqësi e madhe. Kryesisht ideja ka qenë që të mos shkojmë me muzikë të përgatitur, por në njëfarë mënyre ta nxjerrim muzikën që është mbledhur këtu qe sa vite. Që të dalë muzika spontanisht, esenca është ta kesh një muzikant me të cilin kuptohesh shumë mirë, e më pas ajo ngjitet vetë. Me Arbenin mund të udhëtosh ku të duash”, ka thënë Xhaferi për KOHËN.

Arben Ramadani, pianisti nga Kosova që vepron në Holandë, e bën publikun për vete menjëherë në një shtresim kompleks tingullor. I tillë është në lojë dhe kompozim. Lojën e tij në Prishtinë e ka përçuar me dinamizëm të lehtë. Interpretimi i tij karakterizohet nga një tingëllimë e pastër që rrit transparencën e këngëve. Kjo është bërë e dukshme në çdo prekje të tasteve gjatë lojës së tij në Prishtinë. Rikthimi pas sa vitesh në kryeqytet e ka bërë Ramadanin ta kuptojë mungesën e publikut prishtinas.

“Jam i lidhur në një mënyrë mistike me këtë vend dhe ky ishte një rast shumë i qëlluar”, ka thënë Ramadani, i cili ka performuar në shumë vende të botës. “Ishte një interaksion i mrekullueshëm me Armendin. Një interaksion që e kemi në biseda u bart edhe në skenë. Ishte diçka shumë e bukur që të luaj me të. Mbrëmja ishte një improvizim i hapur”, ka shtuar tutje ai. Në mes të improvizimeve, dyshja ka zgjedhur edhe një vepër të kompozitorit Frederic Chopin. “Nocturne Nr.7 ne C-mol” ka ardhur me tinguj të butë mes përzierjes së tingujve të muzikantëve.

Image
“Ishte një interaksion i mrekullueshëm me Armendin. Një interaksion që e kemi në biseda u bart edhe në skenë”, ka thënë pianisti Arben Ramadani

Koncerti “Pa kornizë” që u mbajt të mërkurën mbrëma në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, ishte paralajmëruar si mbrëmje e veçantë qysh në hapje të edicionit të 12-të të festivalit. Si thyerje mes kufijve të klasikes e jazzit, e një mbrëmje që duhet të përsëritet, është vlerësuar edhe nga të pranishmit.

“Është kënaqësi dhe diçka e re edhe brenda Festivalit. Edhe unë shpesh kam eksperimentuar dhe jam adhurues i të dy zhanreve, natyrisht si dirigjent i përkas zhanrit klasik, por gjithmonë kam qenë edhe adhurues i jazz-muzikës. Kur kam pasur rastin edhe si pianist, kam pasur dëshirë edhe t’i gërshetoj këto dy zhanre. Kjo ishte një mbrëmje shumë e mirë nga dy artistë me të cilët duhet të jemi krenarë”, ka thënë dirigjenti dhe kompozitori Edon Ramadani për KOHËN.

Dyshja për të tretën herë është kthyer në skenë nga duartrokitjet e brohoritjet e gjata të publikut. “Chopin Piano Fest” do ta vazhdojë rrugëtimin muzikor deri më 8 qershor.