Kulturë

“Polip” hapet me revoltën ndaj luftës dhe besimin në fuqinë e letërsisë

Sasha Iliq, Jeton Neziraj dhe Alida Bremer në ceremoninë e hapjes së edicionit të 12-të të festivalit ndërkombëtar të letërsisë, “Polip”, të premten mbrëma në teatrin “Oda” (Foto: Driton Paçarada)
 

Të nisur nga parimi se roli i shkrimtarëve në kohë krizash e luftërash bëhet edhe më i dukshëm se në një gjendje normale, festivali ndërkombëtar i letërsisë “Polip” shënoi rikthimin fizik në edicionin e 12-të mbrëmjen e së premtes në teatrin “Oda” dhe me pjesëmarrje të shkrimtarëve nga vendi e bota. “Shkrimtari është i pranishëm” është tema e sivjetme e “Polipit”, që vjen në këtë format pas dy edicioneve virtuale. Për tri ditë sa zgjat, festivali pos leximeve letrare, trajton edhe tema aktuale në ditët e trazuara

Edicioni i 12-të e ka konfirmuar moton e sivjetme që në hapje.

Në ceremoni shkrimtari ishte i pranishëm, jo veç me prezencë tashmë fizike pas dy vjetësh organizimi virtual, por edhe me domosdoshmërinë e reagimit dhe revoltës në kohë krizash e luftërash.