Kulturë

Kaçamaku e Brizani mjeshtërisht në piano e violonçel gjejnë harmoninë

Descriptive Text

Harmoni të plotë, sikur të kishin luajtur me vite bashkë, e mjeshtëri që është dëshmuar nëpër shumë skena të botës sollën edhe në Prishtinë. Në natën e dytë të “Chopin Piano Fest”, ishte skena vendore ajo që i bëri bashkë me program veprash romantike njërin prej pianistëve më të mirë shqiptarë, Misbah Kaçamaku, e violonçelistin i cili është rritur në Slloveni e që ka histori me Kosovën, Bernardo Brizani

Që në takimin e parë me sy kuptohet komunikimi i mirë që kanë me njëri-tjetrin Për profesionalizmin flet mjaftueshëm rrugëtimi i të dyve nëpër skena të huaja, por harmonia qe diçka e re që e zbuluan edhe vetë ata.

Me katër ditë prova përpara natës së dytë të edicionit të 12-të të “Chopin Piano Fest”, pianisti shqiptar Misbah Kaçamaku e violonçelisti i lindur në Slloveni, Bernardo Brizani, krijuan një energji muzikore që u dëshmua edhe në skenë. Për Kaçamakun ishte hera e parë në Festival, ndërkaq për Brizanin shkelja e parë në Prishtinë. Por e përbashkëta e të dyve qe emocioni i performimit.

Rikthim te rrënjët pas rrugëtimit profesional nga shkolla ruse, Akademia e Muzikës “Gnjesinih” e Konservatori “Joseph Haydn” në Austri për të vazhduar me studimet e doktoratës në Shkup, ndjeu pianisti Kaçamaku.

Për të, dalja para publikut shqiptar gjithherë është me përgjegjësi në krahasim me atë të cilitdo kryeqytet.

Për Brizanin, të cilit gjyshërit i kishin jetuar në Prishtinë, ishte shpalosje e profesionalizmit të tij para vendit me rrëfimet për të cilin ishte rritur. Kësisoj të dy u dakorduan që të sjellin një program jo të lehtë, me frymë romantike në çdo pjesë të tij.

“Fantasiestücke Op. 73” e shkruar për dy ditë nga Robert Schuman, me butësinë e “Zart und mit Ausdruck”, fantazinë e lehtë e “Lebhaft leicht” e intensifikimin e “Rasch und mit Feuer” hapi koncertin, si pikë e cila ishte rrugëtim nëpër ndryshimet e gjendjeve emocionale të vetë kompozitorit.

“Cello Sonata No.3, Op.69” e Beethovenit la gjurmë me “Allegro, ma non tanto”, “Scherzo. Allegro molto” e “Adagio cantabile – Allegro vivace” si treshe që është vlerësuar nga muzikanti amerikan Mark Kaplan, si kompozim me shije më të hollë se sonatat më të hershme të kompozitorit. Ndërkaq violonçelisti Steven Isserlis e ka përshkruar si sonatën e parë në histori ku të dy instrumentet kanë peshën e barabartë.

Pjesa e dytë e programit vazhdoi me krijimet e Schubertit, “Sonatën violonçel e piano në a-mol D 821”. Delikatesë e shije të hollë jehoi “Romancë për korno dhe piano” si krijim i moshës së re të Alexander Scriabin, e cila ka motive të muzikës mbretërore me tone krejtësisht të lehta.

Vepra e David Popper, e cila cilësohet se mund të tingëllojë e përkryer veç me shpejtësi interpretimi “Dance of the Elves” erdhi mjeshtërisht nga instrumentistët e dëshmuar, duke u hapur shteg edhe duartrokitjeve të publikut, të cilët u ringritën tri herë më këmbë si nderim për koncertin e veçantë që e sollën.

“A e di pse është emocionuese? Sepse jam për të parën herë në ‘Chopin Fest”, thotë që në fillim të intervistës Misbah Kaçamaku. Ka pranuar ftesë edhe më herët në festival, por që tek në edicionin e 12-të pati rastin të performonte. “Përgjegjësi e hatashme, në moment kur i kam lexuar emrat e programin se kush ka me qenë në ‘Chopin Piano Fest’ nuk është lojë dhe ka qenë presion shumë i madh”.

Image
Janë instrumentistë skenash botërore. “Chopin Piano Festi” Kaçamakun e Brizanin i ka bashkuar për herë të parë në skenë, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë

Insiston që të mos pyetet se si ndihet pas koncertit. Emocionet u lexohen edhe në sy për shkak të pritjes tejet të mirë të publikut: “Emocion i tmerrshëm, shumë më lehtë dal në Berlin, Londër e kudo. Këtu është si me shkua në shtëpinë tënde. Është dyfishi i shqetësimit, stresit ose quaje qysh dush, me dalë në Prishtinë me luajt”.

Për të e rëndësishme me Brizanin është veç energjia që kanë mes vete.

“E mira është që kemi gjetur të përbashkët, problemi më i madh është të gjenden ato valët emocionale, nëse ato flenë, bashkëdyzohen mes vete. Kësi problemi s’kemi pasur”, ka thënë ai. “Të hënën kemi provuar, të martën ka qenë etapë e njoftimit, jo barrierë, por një lloj respekti dhe dje ndodhi spontanisht dhe shkoi vetë pa fjalë të tepërta”.

Violonçelisti Bernardo Brizani thotë ta ketë ndier koncertin në mënyrë të veçantë për shkak të ardhjes së parë të tij në Prishtinë, të cilën thotë ta shohë si shtëpi të dytë. Për të nuk është e rëndësishme nëse publiku e kupton muzikën që e bën, por sa janë të impresionuar ata. Brizani, ligjërues në Akademinë e Muzikës në Lubjanë, është nipi i Ukë Brizanit, trumbetist, kompozitor e aranzhues, i cili deri në fund të viteve ’80 ka punuar në Radiotelevizionin e Prishtinës.

“Mund të them se kombinimi ynë si duo është perfekt. E kemi njohur njëri -tjetrin për katër ditë. Imagjinojeni se çka është muzika. Ti mund ta njohësh dikë për pesëmbëdhjetë vjet dhe s’mund të luash bashkë, ne u njoftuam për katër ditë dhe luajtëm si të ishim një”, shprehet ai për lidhjen me Kaçamakun.

Rrugëtimi i tij me violonçelin ka lindur që në moshën pesëvjeçare. Veç dy vjet më vonë u shpërblye në Konkursin Ndërkombëtar të Çelistëve të Rinj në Itali. Rrugëtimin akademik e nisi në Akademinë e Muzikës në Lubjanë, teksa tani po specializon nën udhëheqjen e profesorëve Natalia Gutman dhe Marianne Chen në “Scuola di Musica di Fiesole” në Itali. Ndër sukseset e tij gjatë karrierës muzikore cilësohen tri koncertet me Orkestrën Filharmonike të Sllovenisë, Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit të Sllovenisë e koncertet solo nëpër Shtutgart, Venecia, Firence e Salzburg.

Ai thotë se kanë pasur bisedime që nga shtatori për programin.

“Do të ishte normale nëse do të zgjedhja program të lehtë, por si artist që vij për herë të parë këtu, kam vendosur t’i luaj sonatat më të vështira për t’i treguar publikut një program të madh dhe ndryshe”, ka thënë ai.

Kompozitori Kreshnik Aliçkaj e ka cilësuar koncertin si mbrëmje me muzikë të pëlqyeshme edhe për publikun shqiptar.

“E përshtatshme edhe për dëgjues profesionistë, por edhe për joprofesionistë”, thotë ai për veprat. “Ishin interpretët ata që e bënë këtë natë të bukur, një duo shumë e mirë që shihet se kanë punuar shumë për këtë koncert”.

Sipas tij, është e rëndësishme që “Chopin Piano Fest” të sjellë freski edhe përmes kombinimeve instrumentale.

“Veprat në përgjithësi kanë qenë të përafërta me njëra-tjetrën, sidomos Schuman e Schubert janë veprat kryesisht në një frymë muzikore. Kanë lënë përshtypje shumë të mirë te publiku e sidomos kur u rikthyen në skenë – instrumentistët e kanë gjithmonë një bis, një vepër të shkurtër dhe atraktive për publikun”, thekson ai.

Profesoresha universitare Besa Berberi ka thënë se fryma romantike u është përshtatur dy instrumentistëve në performim.

“Vepra nga Schubert ishte diçka e magjishme, e pëlqeva, u kënaqa, kjo muzika e dhomës është diçka që më vë në baraspeshë a kam dëshirë më tepër koncerte me orkestër apo këto të vogla, po duket që i kemi të nevojshme të dyja”, ka thënë ajo. “Çelisti ishte shumë i mirë, pianisti siç dihet kur e ndien jep gjithçka prej vetes”.