Kulturë

“Polipi” me shkrimtarët në botën përballë refugjatëve, pandemisë dhe luftës

Pas dy vjetësh në formë virtuale, edicioni i dymbëdhjetë i festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip” rikthehet fizikisht të premten në teatrin “Oda”. “Shkrimtari është i pranishëm”, është tema e edicionit të sivjetmë dhe hapja pason me promovimin e librit “I verbri” të autorit slloven, Mitja Çander, të përkthyer në shqip nga shkrimtari dhe përkthyesi Nikollë Berishaj. Festivali që organizohet nga qendra “Multimedia” sjell autorët Şebnem İşigüzel nga Turqia, Eqrem Basha nga Kosova, Ivana Bodrozhiq nga Kroacia, Carsten Jensen nga Danimarka, Jovica Ivanovski nga Maqedonia e Veriut dhe Joel Vernet nga Franca. Atyre do t’u bashkohen edhe Aidan Hehir nga Britania e Madhe, Edis Galushi nga Prizreni, Daniel Gustafsson nga Suedia, Carsten Jensen nga Danimarka, Mirishahe Syla nga Prishtina, Nikola Nikoliq nga Mali i Zi, Aleksandar Pavloviq nga Serbia dhe shumë të tjerë.

Për tri ditë, dashamirët e librit do të kenë mundësi të ndjekin nga afër diskutime që përfshijnë disa tema “Jeta vs. Letërsia / Kush i tregon rrëfimet dhe kush i ndan ato?” dhe “Lufta në Ukrainë – Çfarë mund të bëjnë shkrimtarët dhe përkthyesit tani?”, janë disa prej temave të paneleve sikurse edhe “Narrativat historike dhe kujtesa kolektive si origjinë e luftërave etnike, ose si mjet për shërim dhe pajtim të shoqërive të pasluftës? Si ndikojnë shkrimtarët në rezultat?”. Mbrëmja e parë e festivalit përmbyllet me performancë muzikore nga këngëtarja Edona Reshitaj me bendin e saj, ndërsa e dyta me lexime letrare nga shkrimtarë vendorë e ndërkombëtarë.

Tema e caktuar për edicionin e dymbëdhjetë të festivalit synon të përkufizojë gjendjen e shkrimtarëve në situatat e fundit si fatkeqësi globale: lufta, pandemia dhe kriza me refugjatë.

“Lidhet pak edhe me atë se në dy vjetët e fundit shkrimtari nuk ka qenë i pranishëm e tash është, por tema sivjet shkon më thellë sesa prezenca fizike e shkrimtarit. Ka për qëllim të flasim për pozicionet në të cilat gjendet shkrimtari në kohën që bota përballet me refugjatë, pandemi dhe luftë”, ka thënë Aurela Kadriu nga qendra “Multimedia”.

Sipas njoftimit të “Multimedia”, tema e sivjetme “sendërtohet mbi frymëzimin nga performanca e artistes Marina Abramoviq e quajtur ‘Artisti është i pranishëm’, përmes së cilës ajo theu kufijtë e distancës ndërmjet artistit dhe audiencës së artit të vet duke qëndruar për 736 orë ulur në një karrige përgjatë tre muajve dhe duke shikuar sy më sy 1.675 vizitorë të performancës së saj.

“Polip” është festival që synon të bashkojë në Prishtinë shkrimtarë të rinj nga rajoni dhe Evropa. Është themeluar dhe drejtohet nga qendra “Multimedia” dhe shkon përtej kornizës së një festivali letrar dhe të një lidhjeje të thjeshtë letrare, pasi përfshin një kuptim më të gjerë të koncepteve të ndërtimit të paqes dhe besimit në rajon, veçmas ato ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.