Kulturë

Shfaqja “a.y.l.a.n” e Kosovës, më e mira në Poloni

Skenë nga shfaqja “a.y.l.a.n”
 

“Për performancë e realizim mjeshtëror të dramës në lidhje me temën tejet të vështirë të luftimit të së mirës kundër së keqes dhe ngjalljes së ndjenjës së obsesionit duke përballur absurditetin e jetës së përditshme dhe interesat e vogla njerëzore me faktin e zhveshur e brutal, të vdekjes së pakuptimtë e të pafajshme”, është vlerësimi që i është bërë shfaqjes “a.y.l.a.n”, e cila në festivalin ndërkombëtar “Kontrapunkt” në Szczecin të Polonisë ka marrë Çmimin e madh të jurisë

Shfaqja “a.y.l.a.n” e Teatrit të Gjilanit ka marrë çmimin kryesor në festivalin ndërkombëtar “Kontrapunkt” në Szczecin të Polonisë. Juria e edicionit të 56-të të kësaj ngjarjeje e ka vlerësuar shfaqjen me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, për mjeshtërinë e zbërthimit të një teme komplekse.

“Çmimi i Jurisë në vlerë prej 10 mijë PLN (2 mijë e 140 euro v.j.) për shfaqjen ‘a.y.l.a.n’ të Teatrit të Qytetit të Gjilanit në Kosovë për performancë e realizim mjeshtëror të dramës në lidhje me temën tejet të vështirë të luftimit të së mirës kundër së keqes dhe ngjalljes së ndjenjës së obsesionit duke përballur absurditetin e jetës së përditshme dhe interesat e vogla njerëzore me faktin e zhveshur e brutal, të vdekjes së pakuptimtë e të pafajshme”, shkruhet në arsyetimin e jurisë. Shfaqja e Kosovës, në njërin prej festivaleve më të vjetra në ato anë, ka çuar dramën e refugjatëve. E ka bërë një gjë të tillë, pikërisht në kohën kur Polonia ka hapur dyert për refugjatët nga Ukraina që po përballet me invadimin e Rusisë. Edicioni i sivjetmë i “Kontrapunktit” ka pasur për qëllim të bëjë një lloj proteste artistike kundër luftës.