Kulturë

Sheshi qendror i kryeqytetit – skenë baleti për talentet e reja

Gjallëri të hapësirave publike, bashkëveprim me publikun e promovim të talenteve të reja ka sjellë ora e hapur e baletit nga studioja “Angels”. Sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë u bë stacioni i dytë të hënën pas sheshit të Lipjanit ‘Adem Jashari’ të shtunën, ku 50 fëmijë të grupmoshave të ndryshme demonstruan shkathtësitë e tyre artistike
 

Sheshi “Zahir Pajaziti” për rreth një orë e gjysmë u shndërrua në një “studio baleti” në ambient të hapur. Të rrethuar nga publiku rreth 50 fëmijë që ushtrojnë balet kanë interpretuar duke treguar shkathtësitë e tyre. Në çdo teknikë që ata performonin, tregonin talentin e tyre. Talente që nga mosha 4 e deri te 15-vjeçare e afruan publikun me gjallërinë e baletit.

Përtej mureve të studios “Angels” u bë i mundur edhe performimi në një vend të hapur, e që e mundësoi edhe vëzhgimin e drejtpërdrejtë të prindërve për fëmijët e tyre.