Kulturë

“Der Standard” për “Manifestan”: Art, në vend të korrupsionit në Kosovë

Këtë vit festivali mbahet në Prishtinë, kryeqendrën e Kosovës. Jo vetëm skena e artit ka nevojë për t’u vërë në pah, por edhe problemet e shtetit

Një ndërtesë kolosale nga vitet ‘80 karakterizon imazhin e Prishtinës. Shkronjat në çati të “Hotelit Grand” kujtojnë në ditët më të mira pesë yjet që kanë rënë kaherë. Ky kompleks ende mund të okupohet nga aventuristët nostalgjikë, madje mund të qëndrosh në suitën e dikurshme të Titos.

Në fakt thuhet se ai ka qëndruar në “Grand” vetëm një herë. Pas rënies së ish-Jugosllavisë orenditë nga atje u larguan. Por, tepihu i gjelbër dhe llambat masive kanë mbetur. Tash është një qendër fitnesi në përdhese, ndërsa ballot dhe dasmat herë pas here organizohen në sallat atje. Dhomat dhe korridoret kanë mbetur të zbrazëta, sikur të jetë ndalur koha.

Por, kjo do të ndryshojë në verë: prej 22 korrikut deri më 30 tetor “Manifesta” këtë vit do të mbahet në Prishtinë, në kryeqendër të Kosovës – selia do të jetë më saktësisht “Hoteli Grand”.

Bienalja nomade organizohet që nga fillimi i viteve ‘90. Është themeluar pas rënies së Perdes së Hekurt si projekt për të promovuar skenën e artit evropian larg nga qendrat e zakonshme.

Deri tash, vetëm Lubjana dhe Shën Petersburgu kanë qenë stacione lindore të kësaj ngjarjeje të madhe. Kosova si nikoqire e saj mund të shihet edhe si sinjal politik: në vitin 2008 Kosova e shpalli Pavarësinë, ndonëse ende nuk është e njohur nga disa shtete të BE-së e nuk njihet as nga Serbia.

Për shkak të lidhjes së ngushtë të Serbisë me Rusinë, rajoni i Ballkanit Perëndimor është nën tension nga lufta në Ukrainë. Nga ky këndvështrim, ky manifestim mund të kuptohet si kontribut nga komuniteti evropian, të cilin e mirëpret edhe skena kulturore kosovare, e cila për shkak të regjimit të vizave është e kufizuar.

Image
“Hotel Grand”: Pas rënies së ish-Jugosllavisë orenditë nga atje u larguan. Por, tepihu i gjelbër dhe llambat masive kanë mbetur (Foto: Atdhe Mulla)

Problemi i privatizimit

Por, “Manifesta 14” nuk dëshiron të arrijë në shtetin e Evropës Juglindore si një “ufo e artit”.

Sipas drejtoreshës e themelueses Hedwig Fijen, edicioni i këtij viti ndryshe nga edicionet e kaluara, do të përqendrohet më tepër në mbrojtjen e trashëgimive kulturore dhe të projekteve të zhvillimit urban.

Së bashku me një ekip vendor janë bërë hulumtime dyvjeçare nga terreni, pyetësorë dhe po ashtu studime, e po ashtu është bashkëpunuar ngushtë me institucionet shtetërore, organizatat joqeveritare, me shoqëri të arkitekturës dhe artit, me Universitetin e po ashtu me shoqëri civile.

Pyetja qendrore ishte: Çfarë i duhet Prishtinës?

Një ide është që hapësirat e dikurshme publike si biblioteka “Hivzi Sylejmani”, oborret apo edhe Fabrika e Tjegullave të bëhen të qasshme sërish dhe t’i kthehen popullit. Një problem i madh është privatizimi që ka ndodhur pas përfundimit të luftës në Kosovë. Një numër i objekteve dhe komplekseve janë dhënë me qira, por kanë mbetur të zbrazëta apo kanë rënë në gjendje dëshpërimi. Qeveria tash po mundohet të rikthejë shumicën prej tyre, përfshirë “Hotelin Grand”, për t’i shpëtuar ato.

Image
Aktorët lokalë kulturorë raportojnë për reagime pozitive të popullsisë. Por që “Manifesta” do të arrijë në kryeqendrën më të re të Evropës – 50 për qind të popullsisë janë nën 25 vjet – shumë e shohin si simbol të fortë të përparimit (Foto: Atdhe Mulla)

Shenja të përparimit

“Manifesta” dëshiron të veprojë këtu si përkrahje: ndërveprime të caktuara pritet të mbesin edhe pas përfundimit të ngjarjes, për disa vende ka kontrata pesëvjeçare. Deri te hapja në korrik është e planifikuar që një bibliotekë, një fabrikë dhe një linjë e vjetër hekurudhore të shndërrohen në hapësira kulturore të bazuara në dizajnët e arkitektit Carlo Ratti – një projekt që duket premtues në teori, por realisht duket më tepër si një dëshirë: Deri në fund të marsit shumë nga këto vende ishin të mbushura me bërllok apo nuk ishin edhe të qasshme nga defektet strukturore. E nëse është i mundshëm kujdesi i qëndrueshëm, po ashtu është e diskutueshme.

Pasi shteti ka probleme të qarta dhe urgjente: varfëria, korrupsioni, migrimi, papunësia, pagat e ulëta dhe kaosi në komunikacion.

Shtrohet këtu pyetja se si njerëzit do të reagojnë ndaj projekteve kulturore të këtij dimensioni (ndonëse “Manifesta” ndan një shumë të caktuar të fondeve, një pjesë e madhe duhet mbuluar nga shteti).

Aktorët lokalë kulturorë raportojnë për reagime pozitive të popullsisë. Por që “Manifesta” do të arrijë në kryeqendrën më të re të Evropës – 50 për qind të popullsisë janë nën 25 vjeç – shumë e shohin si simbol të fortë të përparimit.

Muzeu i ëndrrave

Programi i “Manifestas” 100-ditore këtë vit, që është krijuar nga drejtoresha artistike Catherine Nichols, do të shtrihet në 22 lokacione, do të ketë 77 pjesëmarrës dhe 32 shtete janë paraqitur – në këtë mes janë edhe emra shumë të njohur si Ugo Rondinone apo Chiharu Shiota. Mirëpo, gati gjysma e artistëve janë nga Kosova (shumica jetojnë në diasporë), përfshirë Flaka Halitin dhe Jakup Ferrin, që do të përfaqësojnë Kosovën në Bienalen e sivjetme të Venecias.

Pjesëmarrja e parë në Bienale në histori të vendit në vitin 2013 (përfaqësuar nga Petrit Halilaj) mund të shihet si pikënisje për një dukshmëri ndërkombëtare për skenën e artit, thotë Katharina Schendl. Në vitin 2015 austriakja hapi galerinë e parë dhe të vetme komerciale të artit në Prishtinë (“LambdaLambdaLambda”) së bashku me Isabella Ritterin. Ajo përgëzon ndihmën brenda skenës, si dhe zhvillimin e madh në vitet e fundit. Për shkak të mungesës institucionale shumë hapësira kulturore të vetorganizuara dhe iniciativa arti si “Autostrada Biennale” apo “Fondacioni 17” kanë dalë që nga atëherë.

Fakti se shumica e projekteve ofrojnë programe edukimi falas, mund të shpjegohet se në Universitetin e Prishtinës ka pak praktikë arti. Edukimi konservativ u mëson shumë artistëve gjëra bashkëkohore dhe shumë pak i ushtron në teknika të të bërit marketing për vete. Një problem tjetër: Shteti nuk ka një muze të artit modern. Për ta bërë Galerinë Kombëtare të Arteve të tillë ka mungesë të hapësirës, mungesë të financave, po edhe të një udhëheqësi.

E koleksionet, që përbëhen kryesisht nga artistët burra dhe vizatime të viteve 1970, duhet të përmirësohen.

Kjo mungesë e strukturës me urgjencë për ndryshim duket si simbol për sektorin e kulturës në Prishtinë. Në sfond të një qyteti kaotik (me ndikim arkitekturor të epokës së Perandorisë Osmane, komunizmit dhe me çmendurinë e ndërtimeve të fundit të viteve ‘90) ka një skenë dinamike dhe të orientuar ndërkombëtarisht – nëse nuk migron – që mund të jetë përgjegjëse për idetë e reja, stabilitetin dhe një të ardhme të hapur të shtetit të ri. Shpresat janë të mëdha.

Përktheu nga gjermanishtja: Shkumbin Sekiraqa