Kulturë

“Pushtimi” i Prishtinës me “Manifesta” që zotohet për 100 mijë vizitorë

Edicioni i 14-të i “Manifestas” do të jetë dëshmitar i 40 ndërhyrjeve, 32 prej të cilave do të jenë posaçërisht për Prishtinën. Pritet që gjithsej në 22 lokacione të kryeqytetit të ndihen veprat e mbi 77 pjesëmarrësve, ku gati gjysma e punës i takon komunitetit vendor artistik. Organizatorët, në konferencën për media ku është shpalosur programi, zotohen se për 100 ditët e kësaj bienaleje nomade evropiane, Kosovës do t’ia mësyjnë 100 mijë vizitorë, e zyrtarë të shtetit nikoqir presin që Prishtina e Kosova me këtë ngjarje të futen në hartën botërore të kulturës

Ka kohë që Prishtina ka paralajmëruar se është gati për të përjetuar ndryshimet që do t’ia sjellë bienalja nomade evropiane e artit “Manifesta”. Planet për ndërhyrjet urbanistike e artistike po qartësohen edhe më shumë. Edicioni i 14-të do të jetë dëshmitar i 40 ndërhyrjeve, 32 prej të cilave do të jenë në kryeqytet. Pritet që gjithsej në 22 lokacione të ndihen veprat e mbi 77 pjesëmarrësve, ku 48 për qind e punës i takon komunitetit vendor artistik.

I fokusuar në katër shtylla – ish-hapësirën industriale të Fabrikës së Tullave, hotelin “Grand”, Qendrën e re për praktikë rrëfyese në ish-bibliotekën “Hivzi Sulejmani” e një varg transformimesh të tjera – Bienalja premton që në 100-ditëshin e organizimit, mes korrikut e tetorit, t’i sjellë Kosovës 100 mijë vizitorë.

Motoja e sivjetme “ka rëndësi se çfarë botësh bota botëron: si të rrëfejmë tregime ndryshe” do të ketë shtrirje të gjerë në Prishtinë. Përveç tri lokacioneve të cilat kanë qenë të ditura që në fillim të rrugëtimit parabienal, në konferencën për media mesditën e së martës janë rikonfirmuar se destinacionet e “Manifestas” janë edhe “Kino Armata”, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Galeria Kombëtare e Kosovës, Muzeu i Kosovës, Hamami i Prishtinës, Muzeu Etnologjik, “Kino Rinia”, Fakulteti Filozofik i UP-së, ish-shtëpia e mallrave “Gërmia”, sheshet “Adem Jashari” e “Zahir Pajaziti”, Korridori i Gjelbër, “Rilindja”, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Observatori i Prishtinës, monumenti i varrezave të dëshmorëve partizanë, Shtëpia e Herticëve e apartamenti privat.

Si asnjë edicion të mëhershëm të kësaj bienaleje, këtë vit mbizotërojnë artistët vendorë.

Petrit Halilaj, Jakup Ferri, Flaka Haliti, Majlinda Hoxha, Antoneta Kastrati, Doruntina Kastrati, Alketa Xhafa – Mripa, Alban Muja, Sislej Xhafa, Dardan Zhegrova janë veç disa prej emrave shqiptarë të cilët përbëjnë 37 pjesëmarrësit vendorë. Programi do të bëjë bashkë mbi 77 pjesëmarrës, 17 debutime kolektive prej gjithsej 32 shtetesh. Nga Ballkani Perëndimor përfaqësohen gjithsej 16 artistë.

Edicioni në Kosovë e ka bërë “Manifestan” të fillojë me nisma krejtësisht të reja, të cilat nuk kanë operuar në shtetet ku është shtrirë Bienalja. Themelimi i Qendrës për Praktika Rrëfyese në kuadër të ish-bibliotekës “Hivzi Sulejmani” është njëra nga to, si hapësirë e cila synohet të jetë e përhershme dhe të ofrojë aktivitete për të gjitha grupmoshat, duke nisur nga arkivimi, organizimi i bibliotekave, kopshtaria, podcaste, publikime e performanca.

Një qendër tjetër e “Manifestas” do të jetë hoteli “Grand”, i njohur për namin që ka pasur gjatë periudhës së ish- Jugosllavisë. Për frekuentuesit e këtij hoteli, të cilët e kujtojnë periudhën kur ai nuk zbrazej siç është sot, premtohet eksplorim tematik e një varg ndërhyrjesh në objekt. Krejt kjo me synim të pasqyrimit të historisë së transicionit, migrimit e kryeqytetit.

“Një qendër për mësim eko-urbanistik, bashkëpunim dhe rekreacion që synon të lidhë Prishtinën me zonat rurale” është planifikimi për Fabrikën e Tullave. Ky program synohet të mbahet nga arkitektë, të cilët do të fokusohen te arkeologjia, hartëzimi, rrëfimi i historive, ndërtimi e segmente të tjera.

Një tjetër dimension i rëndësishëm nga ndërhyrjet e “Manifestas” në hapësira publike do të jetë edhe projekti “Korridori i Gjelbër”, i cili synohet të transformojë hekurudhën e papërdorur të linjës Prishtinë-Beograd përmes hapësirës së gjelbër që do të lidhë Fabrikën e Tullave me Pallatin e Rinisë dhe Sportit.

Drejtoresha themeluese e “Manifestas”, Hewding Fijen, ka thënë se çdo ndërhyrje e planifikuar është e mbështetur në modelin e demokracisë së drejtpërdrejtë.

“Intervenimet urbane, shërbimet publike janë për të transformuar Bienalen në një organizim pjesëmarrës dhe bashkëpunues për ndryshim social, në vend të vetëm ekspozitave”, ka thënë ajo në konferencë.

Ka përmendur edhe agresionin rus që po ndodh në Ukrainë, si determinues të së ardhmes në mbarë botën. Për raportin e Kosovës ka thënë se ky vend e ndien atë që po ndodh jo vetëm për faktin se qëndrojnë me ta, por për shkak që kanë ndier të njëjtën vite më parë.

“Kjo është arsyeja pse motoja e sivjetme, rrëfimi i storjeve, është me kaq pjesëmarrës në këtë moment”, ka thënë Fijen.

Se Prishtina nuk është përzgjedhur rastësisht e pohoi edhe vetë, duke përmendur kontekstin gjeopolitik dhe përpjekjen për të ndihmuar kulturën kosovare drejt Evropës e botës si arsye të nismës së bashkëpunimit.

“Ndryshimet të cilat janë imagjinuar nga gjeneratat, do të bëhen brenda ditëve”, ka thënë ajo. “Dy vjetët e fundit kemi qenë duke punuar më kolektivisht me organizata e artistë, për të siguruar praktika, mënyra të reja të mësuarit. Jemi fokusuar edhe te pjesa që me të vërtetë ‘Manifesta’ do të servojë nevojat dhe interesat e komunitetit”, ka thënë ajo, teksa është ndalur edhe te lidhja dhe njohja e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar nëpërmjet aktiviteteve të “Manifestas”.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka theksuar se ky do të jetë viti më i rëndësishëm kulturor për Kosovën ndërkombëtarisht. Ka shtuar se ky angazhim është përpjekje për t’i shndërruar Prishtinën e Kosovën në një pikë të identifikueshme në hartën botërore të kulturës.

“Është një edicion i veçantë. Do të kemi një moment të ri në historinë e ‘Manifestas’”, ka thënë ai, duke përmendur se “është pjesëmarrja e artistëve të vendit mundësia e bashkëpunimit mes të huajve dhe vendorëve”.

“Po flasim për një organizim që s’është veç ekspozitë, por edhe intervenim, rimendim e ridefinim i qasjes dhe komunikimit tonë me hapësirat publike, me monumentet e trashëgimisë dhe me të gjitha të tjerat ku ndodhin ndërhyrjet”, ka theksuar ministri Çeku.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar si edicion të pasur në aspektin programor e konceptual.

“Do ta hapim Prishtinën ndaj qytetarëve e vizitorëve që do ta shohin një anë tjetër të Prishtinës që shpesh e kanë fshehur”, ka thënë ai, duke theksuar se kryeqyteti do të kthehet në “paletë të artistëve me nam botëror e kombëtar”.

“Prishtina do të jetë pika për t’u vizituar, qyteti drejt të cilit bota do të gravitojë, emri më i përmendur”, deklaroi kryetari i Prishtinës.

Shifra prej 100 mijë vizitorësh është përmendur si e lidhur direkt me “Manifestan”, duke filluar nga 22 korriku deri më 30 tetor.

Në mes të shkurtit ishin prezantuar gjetjet nga anketa dhe diskutimet publike me qytetarë. Në anketën me 300 qytetarë të kryeqytetit, doli të jetë se “53 për qind e njerëzve shprehen se nuk kanë ndjekur asnjë ngjarje kulturore, teksa vetëm 30 për qind e tyre raportojnë të kenë ndjekur vetëm 1 deri 2 ngjarje gjatë vitit të kaluar”.

Bienalja nomade evropiane “Manifesta” lindi në fillim të viteve 1990 si përgjigje për ndryshimet politike, ekonomike e sociale pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe hapave vijues drejt integrimit evropian. “Manifesta” është shndërruar në një platformë dialogu mes artit dhe shoqërisë duke ftuar komunitetin kulturor, artistik dhe urban të prodhojë përvoja të reja kreative me dhe për kontekstin në të cilin zë fill. “Manifesta” rimendon marrëdhëniet midis kulturës dhe shoqërisë duke hulumtuar dhe katalizuar ndryshimet pozitive sociale në Evropë nëpërmjet kulturës bashkëkohore në një dialog të vazhdueshëm me sferën sociale të një vendi të caktuar. Në tërësi ky festival i kushton Kosovës 4.6 milionë euro.