(The Gurdian) – Galeria Kombëtare në Britani të Madhe ka njoftuar për ndryshimin e titullit të veprës së Edgar Degas, “Valltarët rusë” në “Valltarët ukrainas”, duke iu bërë thirrje kështu institucioneve të tjera kulturore që të mos tregohen “përtace” dhe të mos e etiketojnë gabimisht atë që njihet si trashëgimia dhe arti ukrainas.
Pas thirrjeve nga ukrainasit, Galeria Kombëtare në Britani kishte vendosur që të ndërronte emrin e veprës së impresionistit francez, të krijuar në fillim të shekullit 20, e që për momentin nuk është në ekspozitë. Kjo pikturë përshkruan një trupë valltarësh, nga të cilët artisti u mahnit teksa i pa duke luajtur në Paris në vitet e fundit të jetës.
Ngjyrat e flamurit ukrainas, e kaltra dhe e verdha, janë të dukshme në ato që duket të jenë kapëse flokësh të vëna nga valltarët dhe në kurorat me lule të cilat i mbajnë në kokë.
Një zëdhënës i Galerisë Kombëtare ka thënë se “Titulli i kësaj pikture ka qenë temë diskutimi për shumë vjet me radhë dhe kohëve të fundit ka pasur një fokus të veçantë për shkak të situatës së krijuar, kështu na u duk si momenti i përshtatshëm që të përditësojmë titullin e kësaj pikture, në mënyrë që të reflektojë më mirë qëllimin e veprës”.
Para disa javësh një pjesëtar i Departamentit të edukimit në këtë galeri kishte theksuar se titulli i kësaj vepre konsiderohej si problem. Ndërkaq, edhe një ukrainas që jeton në Londër kishte përdorur Instagramin që të veprojë njësoj.
Ndër ata që e pritën me kënaqësi këtë vendim të Galerisë Kombëtare ishte edhe Maria Kashchenko, themeluese dhe drejtoreshë e “Art Unit” e lindur në Ukrainë. “Art Unit” promovon artistë, gjithashtu ndër të tjerë përbëhet edhe nga 21 artistë ukrainas.
“E kuptoj që termi ‘arti rus’ është një term i cili përdoret edhe si një lloj ‘ombrelle’, e që konsiderohet e dobishme. Por tani është me të vërtetë e rëndësishme që t’i bëjmë gjërat ashtu siç duhet. Si një ukrainase, në të kaluarën kam hasur shumë raste kur konsiderohesha ruse, apo kur trashëgimia ukrainase konsiderohej si trashëgimi ruse”, ka thënë Kashchenko.
Kritikat ndaj institucioneve kulturore britanike kanë ardhur si pasojë e një shkrimi të Olesya Khromeychuk, drejtoreshë e Institutit Ukrainas në Londër. Muajin e kaluar ajo në revistën gjermane “Der Spiegel” shkroi se “çdo vizitë në ndonjë nga muzetë apo galeritë në Londër me ekspozita arti apo edhe nëpër kinema, tregon për keqinterpretimet dhe përtacinë e institucioneve ndaj kësaj teme, duke shfaqur të gjithë territorin lindor të Evropës si një Rusi të pakufishme. Kështu do ta shohë edhe presidenti aktual i Rusisë”.
Kuratorët nuk po e kanë problem që të interpretojnë artin dhe artistët hebraikë, bjellorusë apo ukrainas si rusë. Në rastet e rralla kur një ukrainas nuk prezantohet si rus, ai ose ajo prezantohet si një ‘i lindur në Ukrainë’, siç ka qenë rasti i regjisorit Oleksandr Dovzhenko, në njërën nga ekspozitat më revolucionare të artit në Londër.
Galeria Kombëtare tregoi se hulumtimet rreth këtij lloji të pikturave po vazhdojnë dhe njoftimet rreth kësaj procedure do të përditësohen kur informacione të reja dhe të sakta të dalin në dritë.
Duke iu referuar veprimeve që po merren ndaj veprës së Degasit, një zëdhënës i Galerisë ka shtuar se: “Ne jemi të hapur ndaj reagimeve të publikut lidhur me veprat e veçanta dhe rregullisht po u kthejmë përgjigje komenteve nga publiku ynë, duke përfshirë edhe ato në rrjetet sociale”.