Për Ajça Akkin, e cila me profesion është disenjatore, njohja e traditave, vendeve dhe më e rëndësishmja, e muzikës shqiptare nuk qëndron në hallkat e mbledhjes së informacioneve. “Tumankuqe”, “Ani mori nuse” e “Mora fjalë” janë veç disa nga këngët që tashmë Ajça i këndon pa problem, duke i përcjellë edhe me lojë në çifteli
“Kjo kishte ardhur në Kosovë me misionin që të dijë dhe të mësojë gjithçka rreth folklorit e sidomos çiftelisë”, ka treguar Fatmir Makolli që në fillim të bisedës. Këtë e ka pohuar për instrumentisten nga Turqia, e cila disa herë e ka vizituar Kosovën
Banimi në shtetit më të ri në Evropë në dy muajt e fundit e ka bërë edhe më kureshtare për kulturën shqiptare. Për Ajça Akkin, e cila me profesion është disenjatore, njohja e traditave, vendeve dhe më e rëndësishmja, e muzikës shqiptare nuk qëndron në hallkat e mbledhjes së informacioneve.
Për solisten e instrumentisten që di të luajë në instrumente turke si baglama, saz, pastaj në kitarë e një sërë të tjerash, interes të madh përbënte çiftelia. Para ardhjes në Kosovë ajo kishte shprehur dëshirën për ta njoftuar ndonjë mjeshtër të instrumenteve tradicionale shqiptare. Adresën e kishte gjetur te Fatmir Makolli dhe që nga dita që ai ia kishte mësuar dytelëshen, ajo di të luajë e të këndojë në shqip gati sa vetë shqiptarët.
“Kam ardhur për profesionin tim, por erdha me kushtin që duhet të bëjë muzikë edhe këtu. Nuk ka qenë fare opsionale ardhja pa u marrë edhe me muzikë”, ka treguar ajo derisa rrëfente për pjesën e punësimit në një kompani private në vend.
Njeri pas njeriu, 26-vjeçarja e kishte takuar mjeshtrin e çiftelisë
“Përpara se të vija këtu, fola me të, i thashë më njofto me dikë, sepse kam nevojë për muzikantë në Kosovë”, ka treguar Akkin për bisedën me një mik të saj boshnjak. Ai e kishte referuar ta takonte në Kosovë instrumentistin Gent Hoxha, duke i shtuar e më pas do të trokiste në derën e Makollit.
“Jam njoftuar me Gentin i cili i bie fyellit. Një ditë duke ecur me të në rrugë në qendër, në sheshin “Nëna Terezë”, e pamë Fatmir Makollin, ata u përshëndeten mes vete. Në brendi thashë tashmë do të njihemi. Aty kanë luajtur e kënduar bashkë. Unë u mahnita, sepse ishin shumë të sinkronizuar. Genti ka marrë shkollim dhe kjo është e dukshme, por te Fatmir Makolli ka diçka më ndryshe. Gishtërinjtë e tij veprojnë në një formë ndryshe”, ka treguar ajo për emision “Express” në KTV.
Takimi pas një jave me Makollin do ta bënte që Ajça të hynte në një ekspeditë krejtësisht të re.
“Kur e kam marrë për herë të parë çiftelinë, notat i dija sepse siç thashë nëse di njërën nga instrumentet me tela, di edhe tjetrën. E rëndësishme është t’ia vendosësh motivet e asaj kulture. Çiftelisë mund t’i bie edhe si baglama, por edhe me motive shqiptare, ato janë të rëndësishme. Nga Fatmir Makolli po i mësoj ato motive. Ku duhet t’i bie, ku ta mbaj më gjatë, si duhet ta përdor gishtin. Po tentoj të mësoj më shumë detaje muzikore”, ka treguar ajo me instrument në dorë.
Nga Sazi në çifteli
“Ajça më tha kisha dashur t’i mësoj disa detaje prej teje. Unë isha për bashkëpunim. Ajo ishte e gatshme se luan me saz, veçse i ka gishtat e ritmin. Mjaftonte një takim i shkurtër, për t’i marrë detajet e çiftelisë. Të shndërrohen gishtat prej luajtjes në saz, në çifteli”, ka treguar Makolli, i cili menjëherë ia kishte hapur dyert e banesës së tij, për të nisur bashkëpunimin. “Ajo i kërkoi disa melodi më të lehta dhe më të dëgjueshme në Kosovë për t’i mësuar shpejt. Ishte talente e jashtëzakonshme. një shpjegim ose dy dhe kjo e kapte muzikën”.
“Tumankuqe”, “Ani mori nuse” e “Mora fjalë” janë veç disa nga këngët që tashmë Ajça i këndon pa problem.
“Insistonte ta mësonte çdo detaj të gishtave të mi, me gjithë qejf ia mësoja fshehtësitë e mjeshtërisë me çiftelisë. Është kënaqësi dhe interesante që një vajzë e re nga Turqia, të mos them që s’di asnjë fjalë shqip se ka mësuar diçka, t’i kapë këngët”, ka treguar Makolli i cili pranon se ndihet mirë dhe i përmbushur për këtë fakt. Sipas tij, gjuha muzikore është e njëjtë në gjithë botën. Turkja ka thënë se me talentin e saj, për dy orë i ka mësuar së paku dy këngë e dy valle. Sipas mjeshtrit, këtë e bën veç vajza ose djali që ka talent dhe është i lindur për muzikë.
Vetë Akkin përgjatë interpretimit të këngëve shqipe është shumë e përpiktë. Mbi prehrin e saj e ka një fletore të vogël, në të cilën i ka shkruar këngët të cilat i di përmendësh. Tenton që të mos e bëjë as më të voglin gabim dhe këtë e sheh me një sy misionar.
“Me rastin e ardhjes sime këtu, përveç njohjes nga Fatmir Makolli, po tentoj t’i marr edhe ato në muzikë, kështu edhe po e përmirësoj e mësoj veten. Po mbes duke thënë edhe kjo këngë është edhe te ne, veç fjalët janë ndryshe. Sa më shumë që po lidhem me këtë kulturë, aq më shumë po më duket që po jetoj” ka treguar ajo.
Ngjashmëritë e kulturave
Pranon faktin se në çdo vend në të cilin shkon, tenton të mësojë kulturën dhe muzikën e popullit, pastaj për të parë ngjashmëritë që kanë vendet mes vete edhe në rrafshin artistik.
“Në skena të Turqisë tentoj të performoj këngë të huaja, sepse dua të shoh atë lidhjen që mund ta kenë me publikun. Kur jemi te greqishtja mund të duket diçka krejt e largët, por tentoj t’ua tregoj se është e njëjta si muzika në perëndim. Një këngë në gjuhën bullgare apo shqipe mund të të duket e njëjtë si ajo turke”, ka treguar ajo.
Por kur është te këngët të cilave u jep zë e melodi çiftelie, më së miri tenton ta interpretojë “Mora fjalë”. Ende pa e pranuar vetë se e njeh historinë prapa këngës së Shkurte Fejzës, kjo vërehet nga kujdesi i madh që e shpërfaq. Kur pyetet se cilën këngë shqiptare e do më shumë, e ka në shënjestër pikërisht dedikimin për familjen Jashari, për të cilën pranon se e interpreton me shumë emocion.
Prekazi – Srebrenica e dytë
“Kur e këndoj, më del përpara fshati, lufta dhe gjithçka tjetër”, thotë ajo. Intensitetin e emocioneve e shton edhe më shumë fakti që ajo e ka vizituar Prekazin e Skenderajt, për çka thotë se s’është këndellur një javë nga ato që ka parë.
“U magjepsa shumë. Në një formë jo shumë të mirë. M’u duk se më dhimbte stomaku, më erdhi rëndë. Të njëjtën e pata jetuar edhe në Muzeun e Srebrenicës. Ato që kam parë, ato që kanë qenë aty, në shtëpinë e fshatin në të cilën isha, ma treguan edhe një herë se sa kjo botë mund të jetë një vend i keq. Unë lidhem vetëm me aspektin e bashkimit njerëzor nëpër botë, e ajo është muzika”, ka thënë ajo, duke dhënë një mesazh paqeje edhe në këtë rast.
Por qëndrimi prej disa kohësh e ka bërë tejet të familjarizuar me Kosovën, teksa Makolli ka treguar se shpesh ajo di gjëra që as njerëzit e vendit nuk i dinë.
“Ajo ka vizituar disa muze, disa vende. Te kjo e kam parë gatishmërinë vetëm t’i perfeksionoj njohuritë e veta. I kish njohuritë shumë të gjera për Kosovën dhe folklorin. Shumë nga kosovarët nuk i dinë emrat e instrumentistëve e muzikantëve”, ka treguar ai.
Ndërkaq Akkin thotë se kosovarët janë edhe më mikpritës se njerëzit e vendit të saj.
“Çdokush po tenton të më ngopë me ushqim”, ka treguar ajo si me shaka. “Është shumë vend mikpritës. Kam menduar për Turqinë që është shumë mikpritëse, por Kosova e mund atë. Të gjithë janë në një gjendje të thonë ‘eja bëhu pjesë e familjes sonë’, ‘eja fol me ne’” , ka treguar ajo.
Përtej njerëzve, Kosovën e vlerëson si vend që po zhvillohet e qëndron në këmbët e veta.
“Është një shtet që po tenton të mbrojë shtetësinë, kulturën e fuqinë e vet. Njerëzit po jetojnë për këtë, pas çlirimit nga lufta, në pasluftë duke mos e lënë vendin, por duke punuar në forma të ndryshme. Të gjithë janë të lidhur me vendin dhe tentojnë t’ia bëjnë hyzmetin atij. Të gjithë janë në përpjekje për ta rritur e zhvilluar Kosovën”, është përshtypja e saj. Dy instrumentistët premtojnë që do të sjellin bashkëpunime të mëtutjeshme, përtej pjesës së publikimit të dueteve të përbashkëta në kushte shtëpie.