“Thirrja për projekt-propozimet kulturore 2022 art dhe trashëgimi kulturore”- nëpërmjet së cilës do të mbështeten projektet- vë në pah se synimet janë që të rriten shumat përkrahëse, por të zvogëlohet numri i përfituesve. Këtë e ka sqaruar edhe vetë MKRS-ja. Kësisoj, institucioni më i lartë kulturor në vend ka hapur thirrje në versionin që e ka paralajmëruar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, gjatë diskutimeve publike me bartësit e jetës kulturore në skenën e pavarur. Skema e re e MKRS-së ka pesë kategori, dhe mundësia e aplikimit është online nëpërmjet platfomës “e-Kosova”
Ministria e Kulturës ka dizajnuar formatin e mbështetjes financiare për projektet kulturore.
“Thirrja për projekt-propozimet kulturore 2022 art dhe trashëgimi kulturore”, nëpërmjet së cilës do të mbështeten projektet, vë në pah se synimet janë që të rriten shumat përkrahëse, por të zvogëlohet numri i përfituesve. Këtë e ka sqaruar edhe vetë MKRS-ja. Kësisoj, MKRS-ja ka hapur thirrje në versionin që e ka paralajmëruar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, gjatë diskutimeve publike me bartësit e jetës kulturore në skenën e pavarur.
Skema e re e MKRS-së ka pesë kategori, dhe mundësia e aplikimit është online nëpërmjet plarfomës “e-Kosova”.
Kategoritë e përfshira në këtë thirrje ndahen në: “Mbështetje për zhvillimin organizativ dhe programor të OJQ-ve të artit dhe trashëgimisë kulturore”, “Ngjarjet tradicionale të artit dhe trashëgimisë kulturore”, “Projektet dhe ngjarjet në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore”. Më pas “Projektet e krijuesve (artistëve) të rinj” dhe “Fondi i mobilitetit për promovim ndërkombëtar të artit dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës”.
Sipas thirrjes, qëllimi është që të bëhet promovimi i artit dhe i trashëgimisë kulturore përmes pasurimit, diversifikimit dhe rritjes së cilësisë së jetës kulturore, pastaj nxitja e vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve në jetën kulturore brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës, me theks te fëmijët dhe personat me aftësi të veçanta. Thirrja synon që të bëjë fuqizimin e koordinimit dhe partneritetit ndërmjet institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe shoqërisë civile përmes fuqizimit të skenës së pavarur kulturore dhe nxitjes së personave të rinj që veprojnë në fushën e kulturës. Promovimi i artit dhe i trashëgimisë kulturore përmes zhvillimit të diplomacisë publike është qëllimi tjetër.
Thirrja e shpallur në ditën e parë të muajit do të qëndrojë e hapur deri në ditën e 22-të të prillit.
OJQ-të e profilizuara në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore sipas kategorisë “Mbështetje për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të artit dhe trashëgimisë kulturore” mund të përfitojnë nga 50 mijë deri në 100 mijë euro.
OJQ-të që hyjnë te kategoria “Ngjarjet tradicionale të artit dhe trashëgimisë kulturore” mund të përfitojnë nga 25 mijë deri në 35 mijë euro.
Ndërsa sa i përket kategorisë “Projektet dhe ngjarjet në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore” mund të aplikojnë OJQ-të dhe individët. Shuma e përkrahjes është nga 10 mijë deri në 20 mijë euro.
“Projektet e krijuesve (artistëve) të rinj” është kategoria ku pritet të aplikojnë të rinjtë dhe shuma e përkrahjes do të jetë nga 3 mijë deri në 5 mijë euro.
OJQ-të dhe individët mund të aplikojnë edhe në kategorinë e pestë “Fondi i mobilitetit për promovim ndërkombëtar të artit dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës”, ku shuma maksimale e përkrahjes shkon në 10 mijë euro.
Sipas Ministrisë së Kulturës, kjo thirrje nuk do të jetë e vetmja e këtij viti. Është paralajmëruar edhe në tjetër në fillim të verës. Bile, MKRS-ja ka lënë edhe një opsion tjetër duke treguar se “varësisht nga disponueshmëria e fondeve, mund të kemi edhe thirrje të tjera”.
“Për herë të parë aplikimi për grante në art dhe trashëgimi kulturore do të bëhet online, përmes platformës ‘e-Kosova’, duke siguruar efikasitet dhe transparencë të shtuar në menaxhimin e të mirave publike”, shkruhet në përgjigjet e përcjella nga Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.
Në përgjigje tregohet se organizatat e profilizuara në art dhe trashëgimi kulturore do të mund të aplikojnë për mbështetje vjetore për zhvillim organizativ dhe programor.
“Hapësirë e veçantë u është dhënë festivaleve tradicionale dhe ngjarjeve të tjera të dëshmuara. Studentët e artit (dhe të sapo diplomuarit) e kanë kategorinë e veçantë për mbështetje, ndërsa Fondi i mobilitetit do të mbështesë pjesëmarrjen ndërkombëtare të artistëve tanë”, shkruhet në përgjigje. Aty sqarohet se krahas rikonceptimit të përmbajtjes së skemës dhe mundësisë për aplikim online po punohet edhe në masa të tjera për të siguruar integritet maksimal të procesit. ********
“Respektimi pa kompromis i të gjitha kritereve të vlerësimit, paanshmëria dhe profesionalizmi i anëtarëve të komisioneve vlerësuese, mbikëqyrja e procesit të vlerësimit, janë masa që i kemi marrë për t’u siguruar që më të mirët do të mbështeten”, shkruhet në përgjigje. Bëhet e qartë se më nuk do të ketë numër të madh të përfituesve.
“Gjithashtu do të kalojmë në shuma më të mëdha të mbështetjes dhe mbase numër jo aq të madh të përfituesve”, shkruhet në përgjigje. Por MKRS-ja nuk ka treguar se sa mjete ka në dispozicion për këtë thirrje publike.
Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij vitit te kategoria “përkrahja e Kulturës” prej ku edhe merren mjetet për Thirrjen publike MKRS-ja posedon 2.2 milion euro si subvencione dhe transfere.
Besa Luzha e cila organizonin festivalin “Chopin Pino Fest” ka thënë se Thirrja e re e MKRS-së duket të jetë në përputhje me qasjen që ministri Çeku dhe MKRS-ja e kanë paraqitur gjatë debateve publike me skenën e pavarur. Sipas saj, kjo është hera e parë që do të aplikohet online, por edhe vete aplikimi online është bërë nëpërmjet platformës “e-Kosova”, në mënyre më të sofistikuar, ku vetëm individët apo OJQ-të që janë të regjistruara e të evidentuara në regjistrin civil mund te nisin aplikimin.
“E dyta, kategorizimet për ngjarjet tradicionale dhe dallimi nga ngjarjet e reja dhe projektet e krijuesve të rinj, është shumë adekuate, sepse në të kaluarën, si një festival apo artist me përvojë si një nismëtar janë vlerësuar pak a shume me të njëjtin kriter”, ka thënë Luzha.
Sipas saj, shumat e përkrahjes duken të jenë ambicioze dhe motivuese për skenën e pavarur, që nëse vërtetë kane program të pasur e vlera, do të arrijnë të mbështetën në mënyre substanciale për të realizuar ato programe.
“Kështu që shpresoj që edhe procesi i vlerësimit dhe i shpalljes se rezultateve të jetë në përputhje me këtë qasje të re e inovative për MKRS-në”, ka thënë ajo.