Nëse për skenën e pavarur të muzikës në dy dekadat e fundit do të shkruhej një vepër, ajo do të ishte repetitive me problemet e njëjta dhe premtimet për zgjidhje. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, të enjten ka dëgjuar hallet, ka folur për ndryshime e reforma të thella, por në praktikë ende nuk “dëgjohen tingujt”
Hapja e takimeve publike që organizon Ministria e Kulturës me komunitetet artistike, tashmë është bërë rutinë. Ministri Hajrulla Çeku falënderon të pranishmit për praninë e për kontributin që e japin për zhvillimin e artit në Kosovë.
Më pas tregon se si MKRS-ja është duke e rimenduar krejt marrëdhënien institucionale me komunitetet artistike, si me ata që janë punonjës të shtetit apo edhe me skenën e pavarur. Se MKRS-ja është duke punuar në një koncept-dokument të kulturës, i cili do t’u hapë rrugë ndryshimeve ligjore dhe reformave të thella, tashmë e dinë të gjithë. Por si është duke ecur puna e atij grupi të angazhuar dhe për ngecjet që janë, nuk fliten në takime. Grupi i angazhuar për hartimin e koncept-dokumentit nuk ka ende kontratë me MKRS-në që t’i kryejë punët e marra përsipër.
Krejt këto, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ia ka treguar të enjten mbrëma edhe komunitetit të skenës së pavarur të muzikës. Në atë që është quajtur “Takim me komunitetin e skenës së pavarur muzikore”, në “Kino Armatë”, kanë marrë pjesë rreth 20 veta.
Ministri Çeku ka thënë se MKRS-ja mbështet projektet e skenës së pavarur muzikore në kuadër të subvencioneve. Por, sipas tij, është krijuar një marrëdhënie klienteliste dhe qasja duhet të ndërrojë.
“Ne po mendojmë të jetë ndryshe dhe do të jetë ndryshe në thirrjen që do të hapet këto ditë”, ka thënë ai derisa ka kërkuar sugjerime për reformat për marrëdhënien e shtetit me skenën e pavarur muzikore.
Kompozitori Florent Boshnjaku ka thënë se tash e 37 vjet është në skenën muzikore dhe, sipas tij, sikurse çdo gjë tjetër edhe kultura në fund të ditës lidhet me ekonominë. Është ankuar se ende nuk respektohet e drejta e autorit.
“Shtatë vjet të jetës i kam humbur duke u marrë me të drejtën e autorit. Unë jam tërhequr më 2019. Edhe pse janë nënshkruar kontratat, duke ia nisur nga televizioni publik nuk bëhen pagesa. Tash Radio Televizioni Publik është te përmbaruesi”, ka thënë ai, duke iu referuar kontratave të medieve me bartësit kolektivë të të drejtave të autorit në fushën e muzikës.
Boshnjaku deri më 2019 ka qenë kryetar i Shoqatës së Autorëve, Prodhuesve dhe Interpretëve të Kosovës (APIK). Marrëveshja për tarifat e përgjithshme e finalizuar pas negociatave pesëvjeçare midis APIK dhe mediave qe nënshkruar në mars të vitit 2018.
“Katër kanalet e Radio Televizionit të Kosovës do të paguajnë shumën vjetore prej 30 mijë eurosh tarifë të përgjithshme për të pasur të drejtë të shfrytëzojnë muzikën për transmetim. Televizionet me frekuencë kombëtare do të paguajnë nga 6.000 euro në vit tarifë, televizionet regjionale 1.200 euro tarifë vjetore, TV-të lokale 600 euro”, përcaktohej me marrëveshje. Megjithatë se transmetojnë muzikë 24 orë, kanalet kabllore muzikore ishte përcaktuar të paguajnë 2.400 euro, kanalet e tjera kabllore 1.800 euro e radiot nacionale 3.600 euro, ato regjionale 720 euro, radiot lokale 480 euro, TV-të dhe radiot me fuqi të ulët – 240, respektivisht 180 euro.
Sipas Boshnjakut, në vitet ‘80 artistët kanë realizuar të hyra nga e drejta e autorit, por jo edhe në këta 20 vjetët e pasluftës. Ka thënë se nuk ka politika për zhvillimin e talenteve të rinj.
“Është krijuar përshtypja që muzikantët vjedhin e nuk paguajnë taksat. Ne nuk mund të shkojmë të regjistrohemi si biznese. Duhet të regjistrohemi si krijues. Si ta rregullojmë anën formale dhe të drejtën e autorit?”, ka thënë ai.
Në këtë rast, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se obligimet që kanë dalë nga krejt proceset e deritashme sa i përket të drejtës së autorit, nuk kanë kthim prapa. Sipas tij, ka proces gjyqësor për tarifat, por obligimet e deritashme duhet paguar.
“Jemi duke bërë presion edhe nëpërmjet KPM-së. Pjesë e betejës sonë është edhe ndryshimi i ligjit, pasi ka defekte”, ka thënë ai. Sipas tij, sa i përket statusit të artistit të pavarur zgjidhja është te reforma ligjore që do të bëjë MKRS-ja.
“Duhet të zgjidhet statusi i artistit të pavarur. Këtë duhet ta fusim te ligji unik për kulturën. Duam propozime konkrete edhe për këtë”, ka thënë Çeku, i cili sikurse në krejt takimet e tjera, ka zgjidhje për gjithçka, por nuk është i prerë për asgjë.
Artistja Vlera Kastrati ka thënë se subvencionet janë duke u dhënë për krejt nga pak dhe askush nuk mund ta çojë deri në fund projektin me financimin që merr.
Por sipas ministrit Çeku, shteti nuk duhet të jetë financuesi i vetëm i projekteve kulturore. Ka përsëritur se MKRS-ja do të japë shuma më të mëdha, por do të financohen më pak projekte.
“MKRS-ja duhet të dizajnojë politika që edhe të tjerët ta shohin artin si mundësi për investim. Këtu po flasim për biznese. Komunat duhet të jenë shumë më proaktive në financimin e projekteve më të vogla”, ka thënë ai. Ankesat kanë qenë të ndryshme prej atyre për vonesë në pagesa deri te tatimi për import të instrumenteve e hapësirat për ushtrime për artistët e rinj.
Ministri Çeku ka thënë se duhet bërë më shumë presion komuna sa i përket interesimit për kulturë. Sipas tij, te ligji i ri i kulturës hapësirë të veçantë do të kenë hapësirat kulturore.
“Zgjidhja për hapësira kulturore duhet të jetë te Ligji për kulturë”, ka thënë ai. E sa i përket nevojës për digjitalizim të arkivit të Radio Kosovës ka thënë se ky problem do të duhej të binte në domenin e institutit kulturor të cilin MKRS-ja mendon ta themelojë.
Pianistja e profesoresha e Fakultetit të Arteve, Besa Luzha, ka thënë se skena e pavarur e muzikës klasike ka kalendarin e ngjarjeve që fillon prej muajit që vjen. Sipas saj, do të duhej që të krijohej një zgjidhje sa u përket botimeve në skenën e pavarur kulturore. Edhe për këtë ministri Çeku ka thënë se instituti kulturor do të duhej ta trajtonte këtë problem.
MKRS-ja pretendon që deri në qershor të përfundojë me koncept-dokumentin për kulturë, në mënyrë që t’i hapë rrugë ligjit unik për kulturën dhe strategjisë për kulturën. Me ligj pretendohet që të shembet sistemi i deritashëm dhe marrëdhënia e shtetit me kulturën të organizohet në tjetër formë. MKRS-ja synon që sivjet të miratohet ligji unik për kulturën, por me hapat që është duke u ecur në këtë proces, numri i skeptikëve është duke u rritur.