Kulturë

Restaurimi i Shtëpisë së Xhafer Devës një muaj pezull, palët në konsulta

Ministria e Kulturës së bashku me BE-në dhe UNDP-në ende janë pa zgjidhje për Shtëpinë e Xhafer Devës, një muaj pas pezullimit të projektit. Në përgjigjen e MKRS-së thuhet se po zhvillohen konsultime shtesë me partnerët, si dhe me komunitetin dhe me organizatat e specializuara ndërkombëtare. BE-ja dhe UNDP-ja janë përgjigjur me fjalitë e njëjta. Kanë thënë se po rivlerësojnë rolin dhe kontributin e tyre, “duke përfshirë mundësinë për të përdorur polemikat aktuale si një mundësi për të adresuar hapur të kaluarën përmes diskutimeve dhe konsultimeve të hapura me të gjitha komunitetet përkatëse”

Ministria e Kulturës së bashku me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë e UNDP-në ende nuk e dinë se si do të veprohet me rastin e restaurimit të Shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë. Të martën është bërë fiks një muaj prej kur BE-ja dhe UNDP-ja e kanë pezulluar projektin. Pezullimi qe bërë më 8 shkurt nëpërmjet një deklarate të përbashkët.

Ministria e Kulturës në parim është që restaurimi i monumentit në Mitrovicë të vazhdojë, por ende nuk e di si.

Situata qe alarmuar në fillim të shkurtit, kur ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, reagoi duke bërë thirrje të “mos shtrembërohet e vërteta në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendës”.

Ministria e Kulturës nuk ka ndonjë afat se edhe sa do t’i presë bashkëpunëtorët e projektit për të marrë një vendim se si do të veprohet.

“Ministria e Kulturës është e përkushtuar që të sigurojë të gjitha kushtet e domosdoshme për të vazhduar këtë proces bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, shkruhet në përgjigjen e Zana Fetiut, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Ajo ka thënë se për këtë arsye duhet të merret e gjithë koha e nevojshme për të shmangur keqkuptimet në lidhje me qëllimin e vërtetë të këtij projekti restaurues.

“Jemi duke zhvilluar konsultime shtesë me partnerët tanë, si dhe me komunitetin dhe me organizatat e specializuara ndërkombëtare”, ka thënë Fetiu.

Image
Shtëpia, ish-pronar i së cilës qe Xhafer Deva, mbrohet me ligj si trashëgimi arkitekturore. E ndërtuar në vitin 1930, ndërtesa solli frymë të arkitekturës evropiane në Mitrovicë

Përgjigje deri diku të ngjashme me MKRS-në kanë edhe UNDP-ja dhe BE-ja. Bile që të dyja janë përgjigjur me fjalitë e njëjta. Zyra e BE-së në Prishtinë ka thënë se janë në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe po rivlerësojnë rolin dhe kontributin e tyre, “duke përfshirë mundësinë për të përdorur polemikat aktuale si një mundësi për të adresuar hapur të kaluarën përmes diskutimeve dhe konsultimeve të hapura me të gjitha komunitetet përkatëse”. BE-ja ka përsëritur se qëndron prapa deklaratës së ditës së 8 shkurtit.

“UNDP-ja së bashku me BE-në kanë pezulluar punën në lokacion. Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe po e rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë mundësinë e shfrytëzimit të polemikës aktuale si mundësi për të shqyrtuar haptazi të kaluarën përmes diskutimeve dhe konsultimeve me të gjitha komunitetet përkatëse”, shkruhet në deklaratën e UNDP-së dhe të BE-së, prapa së cilës qëndrojnë edhe pas një muaji.

Ish-pronari i Shtëpisë, Xhafer Deva, qe ministër i Brendshëm i Shqipërisë prej vitit 1943 deri më 1944, në kuadër të Këshillit të Regjencës. Deva është figurë polarizuese e historiografisë. I takoi Qeverisë që për disa historianë synonte një Shqipëri të Madhe e për disa të tjerë ishte bashkëpunëtor i pushtuesve nazistë. Por Shtëpia, ish-pronar i së cilës qe Xhafer Deva, mbrohet me ligj si trashëgimi arkitekturore. E ndërtuar në vitin 1930, ndërtesa solli frymë të arkitekturës evropiane në Mitrovicë. Pas restaurimit llogaritet të jetë qendër kulturore dhe seli e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë. BE-ja me MKRS-në janë bashkëfinancuese, kurse UNDP-ja implementuese e projektit.

Qeveria më 9 shkurt qe shprehur e vendosur për restaurimin e Shtëpisë së Xhafer Devës. Nuk do të heqë dorë nga investimi në një prej monumenteve më reprezentative, jo veç në Mitrovicë.

Në një konferencë për media, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte thënë se diskutimi i hapur ka burimin në Serbi.

“Debati i ditëve të fundit ka origjinën në Serbi dhe është shumë e qartë”, kishte thënë Çeku. Me këtë u ishte referuar thirrjeve të ministres së Kulturës dhe Informacionit në Serbi, Maja Gojkoviq, e cila kishte bërë thirrje që të ndalej projekti shkaku i figurës së Xhafer Devës.

“Paradoksalisht një shtet që mohimin e gjenocidit dhe rehabilitimin e kriminelëve e ka politikë shtetërore, tenton ta fabrikojë një narracion duke e portretizuar Kosovën si mohuese të Holokaustit ose duke e paraqitur projektin e restaurimit të këtij monumenti si përpjekje për rishkrim të historisë. Është narracion i gënjeshtërt që vjen nga Serbia, sepse faktet historike janë kokëforta dhe qartësisht s’janë në anën e Serbisë”, kishte thënë Çeku. Kishte thënë se monumenti i mbrojtur, që në Listën e Trashëgimisë Kulturore, formalisht figuron me emrin Shtëpia e Xhafer Devës, është monument me pronësi publike. Kishte shpjeguar se gjatë historisë së saj ka pasur funksione të shumta publike, përfshirë shtëpinë e shëndetit apo funksione të tjera.

“Dhuna ndaj monumentit, arkitekturës, është në kundërshtim të plotë me konventat ndërkombëtare dhe me praktikat evropiane të mbrojtjes së trashëgimisë. E ndër këto praktika është ajo e shtetit tonë mik, Gjermanisë. Jemi të interesuar t’i respektojmë konventat ndërkombëtare dhe praktikat e mira të shteteve evropiane dhe të tjera”, kishte thënë ministri Çeku.

Historia e ndërhyrjeve në këtë monument daton qysh prej vitit 2010. Janë nënshkruar disa kontrata, janë bërë ndërhyrje emergjente e restauruese. Më 2015, Shtëpia qe përfshirë nga zjarri dhe për shumëkënd bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, por një gjë e tillë ka ngelur në kuadër të aludimeve. Më pas, më 2018 ka nisur procesi tjetër i ndërhyrjeve që ishte ndërprerë pas vendosjes së pllakave.

MKRS-ja zyrtarisht ka shpenzuar 92 mijë e 996 euro deri më tash sa i përket këtij monumenti. Për sivjet ka paraparë 100 mijë euro. Krejt projekti i ri financiarisht peshon 300 mijë euro. Barra më e madhe financiare është e Ministrisë së Kulturës.