Kulturë

Asociacioni i Arkitektëve: Ndërtesa “Shtëpia e Xhafer Devës”, vlerë e pakontestueshme arkitektonike

“Ne si komunitet i organizuar i arkitektëve në Republikën e Kosovës, nuk mëtojmë, e as që na duket me rëndësi kruciale, lidhja e objektit me fatin apo pozitën shoqërore dhe politike të atyre të cilët mund ta kenë ndërtuar, investuar apo pronësuar”, thuhet në reagimin e Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, i cili ka bërë thirrje që të vazhdohet restaurimi i ndërtesës “Shtëpia e Xhafer Devës”

Për Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës, s’ka dilema nëse duhet të restaurohet ndërtesa “Shtëpia e Xhafer Devës”. Kjo sepse objekti, që mbrohet si monument në radhë të parë, paraqet vlerë të pakontestueshme arkitektonike, nga stili i përdorur në fasadat e tij, e deri te detajet dhe koncepti projektues, unik pothuajse për trevën ku u ndërtua, marrë për bazë kohën dhe rrethanat e ndërtimit.

“Si i tillë, ky objekt përmbush kushtin themelor, dhe jo të vetëm, porse për nga baza e parimeve restauruese, i bollshëm në arsyetim, se një objekt i tillë, padyshim që duhet ruajtur dhe restauruar dhe si i tillë, me sa ma shumë autenticitet, t’i shtohet fondit të aseteve të trashëgimisë kulturore-arkitektonike të Kosovës dhe më gjerë”, shkruhet në reagimin e Asociacionit, të enjten disa ditë pasi shpërtheu debati nëse duhet ruajtur shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë, e që reagimet morën flakë kur ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, reagoi duke bërë thirrje të “mos shtrembërohet e vërteta në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendës”.

Qeveria, siç bëri të ditur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, të mërkurën në një konferencë për media, synon që të vazhdohet projekti së bashku me partnerët UNDP dhe BE, por nuk ka afat për këtë. Që të dyja të martën kanë pezulluar punën për këtë projekt. Ministri Çeku, debatit që nuk merrej me vlerat e monumentit, ia gjeti zanafillën në Serbi, duke iu referuar thirrjeve të ministres së Kulturës dhe Informacionit në Serbi, Maja Gojkoviq, e cila bëri thirrje që të ndalet projekti shkaku i figurës së Xhafer Devës.

Për arkitektët do të ishte i pafalshëm qëndrimi indiferent ndaj monumentit dhe nuk arsyetohet nga “asnjë tezë, çfarëdo qoftë ajo, që mund të krijojë dilemë të tillë”.

“Ne si komunitet i organizuar i arkitektëve në Republikën e Kosovës, nuk mëtojmë, e as që na duket me rëndësi kruciale, lidhja e objektit me fatin apo pozitën shoqërore dhe politike të atyre të cilët mund ta kenë ndërtuar, investuar apo pronësuar. Për ne, mbizotëron vlera arkitektonike, e cila qet në plan të dytë, çdo subjektivizim tjetër, pasi që ato pjesë duhet të trajtohet dhe të analizohen nga ekspertë dhe komunitetet shkencore të cilat kanë për synim ndriçimin e figurave dhe rolit te tyre në historinë e shoqërisë sonë”, thuhet në reagimin e Asociacionit tek shtohet se në aspektin profesional krijohet ndarje e qartë: objekti si vlerë e pamohueshme arkitektonike, nga pronari, poseduesi apo çfarëdo adresimi tjetër. Sipas Asociacionit, tek e fundit praktikat e shumta nëpër botë, tregojnë se objektet që sot ruhen dhe janë pjesë zyrtare e listës së trashëgimisë botërore, kanë histori nga më të ndryshmet, “porse ruajtja e tyre arriti që të mbajë gjallë nëpër shekuj memorien kolektive, mbi të cilën ndërtohet narrativa e prejardhjes apo qëllimit se pse u projektuan apo ndërtuan si të tilla”.

“Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës inkurajon implementimin e projektit restaurues, të iniciuar këto ditë nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare”, thuhet në reagim. Asociacioni ka bërë thirrje që vlerësimet për rastet e tilla duhet të bëhen nga profesionistët e fushës, e në asnjë mënyrë nga dikush tjetër, pasi që objektet me vlera arkitektonike dhe të trashëgimisë kulturore shquhen për atë që prezantojnë si art i të ndërtuarit, e më pas vjen dhe dimensioni historik.

“Sikurse në gjinitë e tjera të artit, po ashtu edhe në arkitekturë, vlen maksima: vepra flet vetë, asaj nuk i duhet asgjë më shumë sesa bukuria që ka”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Punimet për restaurimin e Shtëpisë së Xhafer Davës ishin paralajmëruar të nisnin këtë javë, por krejt kjo mori tjetër kahe kur nisi debati për figurën e Xhafer Devës. Historia e ndërhyrjeve në këtë monument daton qysh prej vitit 2010. Janë nënshkruar disa kontrata, janë bërë ndërhyrje emergjente e restauruese. Më 2015, Shtëpia qe përfshirë nga zjarri dhe për shumëkënd bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, por një gjë e tillë ka ngelur në kuadër të aludimeve. Më pas, më 2018 ka nisur procesi tjetër i ndërhyrjeve që ishte ndërprerë pas vendosjes së pllakave.

MKRS-ja zyrtarisht ka shpenzuar 92 mijë e 996 euro deri më tash sa i përket këtij monumenti. Për sivjet ka paraparë 100 mijë euro. Krejt projekti i ri financiarisht peshon 300 mijë euro. Barra më e madhe financiare është e Ministrisë së Kulturës, synimet janë që pas restaurimit, objekti i ndërtuar më 1930 të jetë seli e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë dhe qendër kulturore.