E lindur në vitin kur mori fund Lufta e Dytë Botërore, më 1945, Vokshi iu takonte gjeneratave që kishin përballë beteja të tjera: ato për zhvillimin shoqëror të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Ajo iu priu njërës prej tyre duke u bërë piktorja e parë shqiptare e Kosovës që kishte diplomuar. Alije Vokshi vdiq të hënën, në moshën 77-vjeçare
Në historinë e artit pamor të Kosovës emri i Alije Vokshit është në mesin e pionierëve. Kur flitet për gratë në art është prijatare. Vokshi u bë piktorja e parë shqiptare e Kosovës e diplomuar. U lind në vitin kur mori fund Lufta e Dytë Botërore, më 1945. Kjo ndikoi që Vokshi të ishte pjesë e gjeneratave që kishin përballë beteja të tjera: ato për zhvillimin shoqëror të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Ajo i priu njërës prej tyre duke u bërë piktorja e parë shqiptare e Kosovës që kishte diplomuar. Vokshi vdiq të hënën. Ajo ishte 77-vjeç. Kumtin e dha e bija e saj, Visare Shehu – Selimaj.
Piktorja e njohur u lind në Prishtinë. Pas Shkollës Pedagogjike në kryeqytetin e Kosovës, ku mes profesorëve kishte edhe grafistin me nam ndërkombëtar Gjelosh Gjokaj, studioi në Fakultetin e Arteve në Beograd. Në një kontekst socio-politik, ku pak gra kishin mundësinë ta ndiqnin arsimin e lartë, veçanërisht në art, Vokshi u bë pioniere e artit në Kosovë.
E vendosur për t'u bërë një piktore e njohur në një skenë të dominuar nga burrat, ajo u zhvendos në Paris për t’i ndjekur studimet në “Académie de la Grande Chaumière” para se të kthehej në Beograd për ta fituar gradën e magjistres. Prej vitit 1974 ishte e angazhuar si ligjëruese në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës ku punoi deri në pensionim, më 2015.
Vokshi, kur rrëfente për pasionin e saj, tregonte se si fëmijë, kur moti bënte ftohtë e avulloheshin dritaret, i bëhej qejfi pasi në xhama vizatonte figura të ndryshme.
Por pleqëria do ta ndante më pas pakëz nga arti i saj. Kështu do të thoshte në mars të vitit 2016 në një rrëfim të gjatë për “Kohën Ditore”, ku kishte folur për pasurinë artistike të saj.
Fatkeqësisht në atë kohë, për shkak të sëmundjes prej të cilës vuante, edhe ngjyrat në tavolinën e punës nuk i kishte fort të freskëta. Por asaj i ndërronte çehrja posa hidhte hapin e parë në atelienë e saj, jo larg qendrës së Prishtinës.
“Shpallja e Pavarësisë së Kosovës i ndan veprat e mia. Para Pavarësisë kam punuar me ngjyra më të errëta. E pas saj kam punuar akte me ngjyra më të çelura. Kanë më shumë pozitivitet”, tregonte me pasion piktorja, e cila më 1969 kishte diplomuar në Akademinë e Arteve në Universitetin e Beogradit.
Portretet i ka pasur gjithmonë në qejf. Thoshte se varësisht se si punohen ato, tregojnë shumë. Nëpërmjet tyre shpërfaqte disponimin e personazheve e kushtet sociale me të cilat përballeshin.
“Edhe plisin e ka të mbyllët, të përlyer. Ashtu e kam bërë. Njëjtë siç ka qenë”, tregonte për portretin e një burri që e kishte parë në rrugë.
Koha e luftës së fundit në Kosovë kishte lënë goxha gjurmë në krijimtarinë e saj.
Edhe vizatimet me tush në letër i ka të panumërta. Gjatë bisedës vëmendjen do t’ia merrte një pikturë e kohës së luftës. E kishte prekur fort masakra e Reçakut, ku më 15 janar të vitit 1999 mbetën të vrarë 45 veta. Nëpërmjet një figure të pazbërthyer në detaje ajo ka shpërfaqur gjendjen e fshatit të Shtimes. E kuqja mbizotëron si ngjyrë dhe theksohet me një vijë goxha të gjatë që është bërë vetëm me një ndërhyrje të brushës. Asokohe brenda Kosovës numëronte tetë ekspozita personale e shumë sosh kolektive. Për herë të fundit kishte ekspozitë personale në vitin 2007. Dy ekspozita të pastajme do t’ia ndreqnin fort disponimin. Më 1973 në Prishtinë kishte marrë çmimin “Mosha Pijade”, përderisa më 1976 ishte fituese e Sallonit të Nëntorit në kryeqytetin e asaj që në atë kohë quhej Krahina Socialiste Autonome e Kosovës.
Me të mbyllur derën e ateliesë, pas intervistës ajo do të takonte një oficere të Policisë së Kosovës. Zyrtarja policore i kishte thënë të jetë oficerja e parë grua në Kosovën e pasluftës. E Vokshi nuk priti fare të kundërpërgjigjet. “Edhe unë jam piktorja e parë”, do të thoshte ajo me krenari.
Gati një vit më pas, në janarin e vitit 2017, me titullin “Përmes shpirtërores në art” ishte hapur ekspozita e radhës personale e Vokshit në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë. Asokohe profesori universitar Mehmet Behluli kishte thënë se shumë pak njihet krijimtaria e Vokshit.
“Është mëkat që kjo shoqëri nuk e ekspozon sa duhet një piktore kaq të rëndësishme”, kishte thënë Behluli. Sipas tij, pas studimeve Vokshi ka sjellë në Kosovë një eksperiencë dhe traditë.
“Ka përfunduar studimet në kohën kur ne i kemi numëruar në gishta njerëzit që janë marrë me pikturë. Ajo ka zhvilluar personalitetin duke bashkëdyzuar kultura të ndryshme”, kishte thënë Behluli. Sipas tij, Vokshi ka punuar në krahasim me kohën dhe rrethanat historike, politike e sociale me të cilat është përballur Kosova. “Vërehen zymtësia, kthjelltësia, portretet e qartësia te pikturat e saj. Ajo e ka ndier ambientin ku ka jetuar dhe këtë e ka paraqitur në pikturë”, kishte thënë Behluli në cilësinë e bashkëkuratorit të ekspozitës. E kuratori tjetër, Genc Rezniqi, kishte thënë se ekspozita ndahet në ciklin e parë që është punuar gjatë studimeve, pastaj ai i portreteve, i paraluftës, gjatë e pas luftës.
“Është më të vërtetë një ekspozitë interesante. E kemi titulluar ‘Përmes shpirtërores në art’. Ideja e kësaj është se ajo është njëra nga artistet që e shkrin shpirtin e vet në pikturë. Është piktore që me dorën e djathtë ka pikturuar e me të majtën ka rritur fëmijët dhe i ka mësuar studentët”, kishte thënë Rezniqi.
Me krijimtarinë e saj ishte marrë edhe artisti nga Kosova me nam ndërkombëtar, Petrit Halilaj. Ai kishte biseduar me familjarët e Vokshit që të realizonin ekspozitën e parë të saj jashtë vendit. Në kohën kur analizonte dhe vështronte veprat e saj i erdhi ftesa nga revista e njohur britanike “Frieze” për të nominuar një vepër ose një artist që është i rëndësishëm për të. Revistës ia dërgoi një shkrim për jetën dhe krijimtarinë e piktores Alije Vokshi. Bashkëngjitur ua nisi edhe pikturën e saj “Dy fytyrat” (vaj në pëlhurë, 2005–07). Gjithë ky material i dërguar nga Halilaj u botua në numrin e tetorit të kësaj reviste themeluar më 1991 në Londër e që del tetë herë në vit.
“Me gjithë rezistencën e saj, ajo në fund të fundit ia arriti që të linte gjurmë të rëndësishme. Sot veprat e saj janë të njohura në Kosovë, por të njëjtat nuk janë ekspozuar kurrë jashtë vendit. Arti i saj meriton vëmendje ndërkombëtare”, kishte shkruar Halilaj për “Frieze”. Kësisoj, më 2020 u kthye vëmendja ndërkombëtare për Vokshin. Kjo ndodhi dy vjet pasi ajo ekspozoi edhe në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë.
E në mars të vitit 2021 veprat e Alije Vokshit për herë të parë dolën jashtë vendit me ekspozitë personale. “I Decided to Draw Bigger Hands” (Vendosa të vizatoj duar të mëdha) titullohej ekspozita e hapur në “ChertLüdde”, në Berlin. Titulli ishte shkëputur nga një intervistë e artistes në lidhje me portretin që ia realizoi së ëmës. Ishte një prej 13 pikturave të ekspozuara. Kuratorja Hana Halilaj kishte thënë për KOHËN se ekspozita shfaq ndikimin që ka pasur konteksti socio-politik në Kosovë në artin e Vokshit. E, sipas galerisë “ChertLüdde”, përmes kësaj ekspozite ishte krijuar mundësia që të nisë një dialog për artin modern të Kosovës. E për të ardhur deri te ky dialog Vokshi kishte kontribuuar qysh herët. Si e re, në një ambient ku shqiptarëve të Kosovës pak a hiç u shkonte mendja të merreshin me art.