Kulturë

“Pa vend” nuk ndalet, merr trofe në “Sundance Film Festival”

Descriptive Text

Përderisa edhe ekipi i filmit e ka cilësuar si cikël të mbyllur e kulmore pjesëmarrjen në alamet festivalesh, prestigjiozi “Sundance Film Festival” të premten, ka menduar ndryshe. “Pa vend” nën regji të Samir Karahodës ka marrë çmimin e jurisë në kategorinë e filmave të shkurtër, duke mbajtur ritmin e sukseseve edhe në këtë festival ku vitin e kaluar “Zgjoi” i Blerta Bashollit bëri histori si fitues i trefishtë. Regjisori Karahoda, teksa ka thënë se ky është kulmi, ka lutur institucionet e vendit që të nisin ndërtimin e sallës për pingpongistët, prej të cilëve gjëllin rrëfimi i “Pa vend”. Një thirrje për institucionet ka pasur edhe producenti Eroll Bilibani

Jeton Mazreku dhe Ermegan Kazazi nuk janë aktorë, megjithatë filmi ku ata shfaqen është parë gati në çdo cep të botës. “Pa vend”, ka bërë që ata të arrijnë famë ndërkombëtare, diçka që u mbeti në gjysmë si sportistë. Në mungesë të hapësirë për të ushtruar pingpong, hoqën dorë nga ëndrra e tyre, por u munduan me mish e me shpirt që vend t’u bëjnë sportistëve të rinj, në krye me trajnerin e tyre Rifat Rifatin.

Pikërisht ky rrëfim, i kapur me mjeshtëri nga regjisori Samir Karahoda po bën histori. I dha vulë edhe njëherë rrugëtimit të suksesshëm të premten mbrëma. Filmi mori çmimin e jurisë për filma të shkurtër në festivalin më të madh të pavarur në SHBA, “Sundance Film Festival”. Është suksesi i radhës historik i kinematografisë së vendit, e cila s’ka të ndalur.

Juria: “Rrëfim mjeshtëror për qëndrueshmërinë njerëzore”

Për shkak të pandemisë, e gjithë ceremonia e ndarjes së çmimeve, që nisi prej orës 23:00 sipas orës lokale, është mbajtur online, njëlloj si edicioni i sivjetmë i festivalit. Për këtë arsye edhe ekipi i filmit, ashtu sikurse edhe fituesit e tjerë, kanë festuar larg glamurit që e simbolizon çdo vit epiqendrën e festivalit, Park City në Utah. Kështu kishte ndodhur edhe vitin e kaluar. Megjithatë, ajo eksperiencë magjike dhe energjia që përçon festivali, nuk munguan.

Ky edicion pati një garë të pasur brenda kategorisë për filma të shkurtër. Ishin gjithsej 15 filma amerikanë, por edhe ndërkombëtarë.

“I kuadruar dhe edituar me mjeshtëri, me një ndjeshmëri sfilitëse që e bën atë pothuajse të ndihet si një rrëfim, ky vëzhgim delikat, e i saktë i një komuniteti të vendosur për të pasur sukses dhe të shkëlqejë në sportin e vet të dashur, pavarësisht mungesës së burimeve, apo edhe një vendi për t'u mbledhur e për të luajtur, flet fuqishëm për qëndrueshmërinë njerëzore”, ishte vlerësimi që i dha juria filmit të Karahodës.

Rrugëtimi i “Pa vend” ka qenë që në fillim i suksesshëm e këtë muaj përveç në “Sundance” u shfaq edhe në gjashtë festivale të tjera. Dita e premte, regjisorin e filmit kosovar e gjeti duke udhëtuar për në Belgjikë për të kaluar më pas disa ditë edhe në Francë më saktësisht në qytetin Clermont-Ferrand. Aty mbahet festivali më i rëndësishëm në botë për film të shkurtër dhe “Pa vend” nga 8 mijë e 200 filma sa kanë aplikuar, është në mesin e 77 prej tyre në garë për më të mirin. Festivali i Filmit në Clermont-Ferrand nisi edicionin e 44-të të premten dhe e përfundon më 5 shkurt.

Karahoda: “Nuk ka më diçka më të madhe se kjo...”

Gjatë një pritjeje të shkurtër në Aeroport, regjisori ka biseduar për KOHËN edhe për suksesin në “Sundance”.

“Dua të theksoj se me këtë sukses të radhës misioni ynë kreativ për temën të cilën e kemi trajtuar përfundon pasi që nuk ka më diçka më të madhe se kjo. Prandaj lus institucionet që të përshpejtojnë procesin e ndërtimit të sallës së sporteve në Prizren që ata talente të ushtrojnë, të zhvillohen dhe të arrijnë t’i realizojnë ëndrrat e tyre”, ka thënë Samir Karahoda.

Me një video i është adresuar edhe “Sundence...”, fill pasi u dha lajmi për marrjen e çmimit. “S’mund ta shprehim dot gëzimin pas këtij çmimi”, ka thënë Karahoda teksa me Kazazin kanë cakërruar gotat.

Filmi “docu-fiction” ndërtohet mbi suksesin e klubit prizrenas të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, duke përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë, duke zhvilluar breza të rinj pingpongistësh.

Rreth 7 me 15 metra. Kaq është hapësira ku vepron klubi “Lidhja e Prizrenit”. Nuk është hapësirë e veçuar, madje as një sallë adekuate. Është veç parahyrje e sallës në qendrën sportive “Sezai Surroi”. Këtë hapësirë e konsideron të veten klubi prej të cilit kanë dalë një numër shumë i madh i pingpongistëve më të suksesshëm të Kosovës. Me një pllakat me emrin e klubit, me disa fotografi të varura në mur e rrethoja të kaltra, ata kanë shënuar territorin e tyre. Tash nuk u ka mbetur as ajo hapësirë. Për shkak se është kthyer në qendër vaksinimi, u është dashur që të largoheshin edhe nga aty. Strehë për një kohë kanë gjetur te një sallë e një shkollë fillore. Personazhet e filmit të Karahodës janë akoma pa një vend të tyre. Kanë mbetur nomadë, gjersa rrëfimi i tyre vlerësohet unik nga e gjitha bota.

Bilibani: “Një sukses të tillë vetëm kisha mundur ta ëndërroj”

I tillë është edhe për producenti Eroll Bilibani.

“Për ne, vetë pjesëmarrja në ‘Sundance’ erdhi si një befasi pasi veçse ishim në Cannes dhe fituam në Toronto dhe nuk e mendonim se do të arrinim të seleksionoheshin edhe në një festival të pesëshes së madhe të festivaleve në botë, mirëpo ja që u selektuam dhe në fund rrëmbyem edhe trofe”, ka thënë ai.

Ka shtuar se ky çmim i bën të lumtur veçanërisht për shkak të tregimit të veçantë.

“Shpresojmë që institucionet tona, ato qendrore dhe lokale, të kuptojnë sesa është e rëndësishme që të investohet te talentet e rinj që të krijohen mundësi për ta, sepse nuk duhet që filmi ynë, tregimi i Ermeganit dhe Jetonit të përsëritet edhe nga lojtarët e tjerë që luajnë në klubin ‘Lidhja e Prizrenit’”, ka theksuar ai. Ka treguar se si producent i filmave të Samir Karahodës, ky sukses i ka tejkaluar të gjitha pritjet.

“Kam qenë i sigurt që do të arrijmë suksese, por një sukses të tillë vetëm kisha mundur ta ëndërroj prandaj i jam falënderues gjithë ekipit, por veçanërisht atyre që luajnë në kushte shumë të vështira ani pse nesër apo pasnesër do të jenë pikërisht ata që do ta përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare të pingpongut”, ka thënë ai.

Rrugëtimi historik i Kosovës në “Sundance...”

Karahoda debutoi si regjisor me dokumentarin e tij “Në mes”. Me këtë projekt për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A, ku u shfaq premierë në shkurt të 2019-s.

Me projektin e dytë filmik “Pa vend”, bëri histori si i pari produksion vendor që garoi për “Palmën e Artë”. “Pa Vend” s’e mori “Palmën e Artë”, por la në Cannes emrin e Kosovës. Hapi derë të re për regjisorët vendorë. Ani pse nuk u shpërblye në festivalin ku pati edhe premierën botërore më 16 korrik të vitit të kaluar, u bë filmi i parë nga Kosova që Festivali i Filmit të Cannes e kandidoi për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit. Qe filmi i parë i Kosovës i nominuar për filmin më të mirë evropian. Ishte në garë edhe për çmimet e Akademisë Amerikane.

“Ky ka qenë një rrugëtim historik i filmit tonë. Nuk e di nëse ekziston ndonjë film, i cili ka qenë pjesëmarrës në tre nga pesë festivalet më të rëndësishme në botë dhe në të tre të shpërblehet”, ka thënë Karahoda.

Edicioni i sivjetmë i “Sundance Film Festival” nisi më 20 janar dhe do të përfundojë më 30 të këtij muaji. Shpresat për ekipin e “Pa vend” për t’u shpërblyer ishin të mëdha që në fillim, bazuar në faktin se Kosova nuk ishte e panjohur.

Vitin e kaluar në këtë festival histori bëri pikërisht një film nga Kosova. “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit mori çmimin e jurisë, atë për regji dhe të audiencës.

Rrëfimi i bazuar në jetën e Fahrije Hotit qe i pari film më i shpërblyer në historinë e “Sundanceit”. Kështu shpërblimi i trefishtë ishte diçka që la gjurmë edhe në kinematografinë botërore e jo vetëm atë kosovare.

Njohja e festivalit “Sundance” me Kosovën kishte nisur në vitin 2012 me regjisoren Blerta Zeqiri. Filmi i saj i shkurtër “Kthimi” u bë i pari film që u paraqit në këtë festival dhe u shpërblye me çmimin për filmi më i mirë i shkurtër në festivalin prestigjioz. Por pas këtij suksesi, pati rrugëtim të shkurtër në festivale. Kjo, pasi që organizata joqeveritare “Nine Eleven” e udhëhequr asokohe nga producenti Blerim Gjoci, në tetorin e 2012-s e tërhoqi “Kthimin” nga nominimi për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit, i njohur si “Oscar” evropian. Ai kishte kërkuar që të vërtetohej e drejta e pronësisë autoriale mbi filmin “Kthimi”, dhe e kishte paditur regjisoren. Epilogu u mbyll në korrik të vitit të kaluar duke vendosur përfundimisht në favor të regjisores Blerta Zeqiri.

“Sundance Film Festival”, historia e të cilit daton që prej vitit 1978, këtë vit zgjati vetëm shtatë ditë. Filmat e edicionit të sivjetmë, që nisi më 28 janar e përfundoi me ndarjen e çmimeve u shfaqën vetëm në disa kinema për vetura pasi që pjesën më të madhe të programit u shfaqën online.

Mënyrat e reja për të rrëfyer

Ashtu siç kishte thënë edhe Kim Yutani, kuratori i programit të filmave në “Sundance Film Festival”, edicioni i sivjetmë është spikatur për filma që kërkojnë ose gjejnë mënyra të reja për të treguar filmat për padrejtësitë që shfaqen në forma të ndryshme.

Madje kjo ishte spikatur edhe të filmat e zhanrit horror. Për shembull filmat “Master” dhe “Nanny” kishin inkorporuar fuqitë mbinatyrore në rrëfimet që flisnim për pabarazinë në bazë të racës.

“Ka shumë ditë në jetën tonë që na bëjnë të ndihen sikur jemi në një film horror”, kishte thënë ai me t’u bërë publike programi. Mirëpo, jo gjithçka ishte kaq serioze në “Sundance”. Mes dokumentarëve ishte ai për reperin Kanye West, këngëtaren Sinead O’Connor dhe Princeshën Diana.

88 filmat e përzgjedhur për këtë vit ishin më shumë sesa vitin e kaluar. 73 filma ishin shfaqur në edicionin e shkurtuar e të mbajtur virtualisht për shkak të pandemisë. Por ishin më pak sesa 120 sa ishin shfaqur më 2019, para se të shfaqej COVID-19.

“Duke e mbajtur programin më të ngushtë po u shërbejmë në mënyrën më të mirë filmave që kemi zgjedhur”, kishte thënë Yutani. Kjo vëmendje nuk i mungoi as filmit nga Kosova. Në festival është bërë e pashmangshme diskutimi për kinematografinë e vendit e “Pa vend” është njëri nga titujt që po e mban të gjallë diskutimin.