Kulturë

Qeveria e Shqipërisë cakton rregullat e fondit për pronarë monumentesh

Qeveria e Shqipërisë të mërkurën ka caktuar rregullat e funksionimit të fondit për kujdesin ndaj trashëgimisë kulturore, një nismë e bërë publike në fillim të këtij muaji me emrin “Bonusi i Rijetësimit”, nga e cili prej 10 mijë deri në 50 mijë dollarë do të mund të përfitojnë nga shteti pronarët e banesave nëpër qendra historike të qyteteve. Në grupin e parë bëjnë pjesë ata që synojnë t’i restaurojnë shtëpitë e banesat e tyre, përderisa ata që futen në një plan transformimi dhe vënie në funksion ekonomik të shtëpisë mund të përfitojnë deri në pesëfish më shumë.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, citohet të ketë thënë të mërkurën në mbledhjen e Ekzekutivit se rregullat se si mund të shfrytëzohet dhe si funksionon ky fond janë përcaktuar qartazi nëpërmjet një vendimi.

“Nëpërmjet vendimit që kaluam sot caktuam qartë rregullat e funksionimit të fondit dhe kjo vjen si një domosdoshmëri e çuarjes përpara të disa politikave të Qeverisë shqiptare, ajo e fondit e ‘Bonusit të Rijetësimit’. Fondi Kombëtar për Kujdesin e Trashëgimisë Kulturore ka ardhur në fakt si pjesë e kuadrit ligjor të ri për Ligjin për trashëgimitë kulturore dhe muzetë”, citohet të ketë thënë ministrja Margariti. Sipas saj, tashmë janë finalizuar të gjithë principet e fundit që do të mundësojnë jo vetëm ruajtjen e objekteve, por edhe me aktivitete të ndryshme që lidhen me profesionistë me pjesën e kërkimit, me pjesën e projekteve të trashëgimisë kulturore dhe me çuarjen përpara të “Bonusit të Rijetësimit”, si “një nga politikat e Qeverisë shqiptare që lidh trashëgiminë kulturore me ndihmën në formë grantesh, që Qeveria do t’u japë vetë komuniteteve, vetë banorëve të qendrave historike”.

“Ne e adresuam këtë në dhënien jetë të fondit të trashëgimisë së kulturës”, ka thënë ajo. Sipas saj, fondi është i mirëpërcaktuar në këtë vendim të Qeverisë sesi do të ngrihet struktura ad hoc pranë Ministrisë së Kulturës, e cila do të merret me të gjithë përcaktimin e rregullave dhe të procedurave”.

Kur më 8 janar u prezantua kjo nismë, ministrja Margariti kishte sqaruar se “Bonusi i Rijetësimit” u shërben të gjithë atyre që duan të zhvillojnë pronën e tyre në qendrat historike të qyteteve. Ai përfshin dy instrumente mbështetjeje: një për restaurimin dhe konsolidimin e guaskës së shtëpisë, mureve, dritareve, dyerve, fasadës apo çatisë, ku jepen 10 mijë dollarë mbështetje. “Instrumenti i dytë, për të gjithë ata që do të duhet të futen në një plan transformimi dhe vënie në funksion ekonomik të shtëpisë, deri në 50 mijë dollarë”, ishte përshkrimi që i bëhej këtij programi.