Kulturë

“Një fije shprese, një fije shkrepëse”, temë bashkëbisedimi me mërgimtarët në Hamburg

“Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen. Guri gjigant, i vënë për kujtim të saj në vendin e ngjarjes, do të thërrmohet një ditë, do të harrohet një ditë. Por, vepra e saj do të jetojë sa të ketë qiell indiferent sipër. E, sa të kujtohet ajo, do të kujtohen edhe dy bijtë e saj. Ajo u fut në zjarr për t’i nxjerrë ata nga harrimi”, shkruhet në një nga faqet e romanit
 

“Së bashku do të flasim për librin “Një fije shprese, një fije shkrepëse” të Ag Apollonit dhe gjithashtu për letërsinë në përgjithësi”, është njoftimi i shkurtër që ka lëshuar klubi i librit “ODA” në rrjetet e tyre sociale

Prishtinë, 23 janar – Pashka dhe Ferdonija. Dy nëna, dy dhimbje të së njëjtës tragjedi. Ato kishin mbetur si titrat në fund të një filmi që ishte kryer në fund të shekullit të kaluar. Njëra ndali hapin përgjithmonë në një livadh midis varreve dhe shtëpisë. Tjetra rri në shtëpi dhe pret qe njëzet vjet.

Historia e luftës me pasojat e saj që vazhdojnë në paqe përbën kurrizin e romanit më të ri të shkrimtarit Ag Apolloni “Një fije shprese, një fije shkrepëse”. Për këtë libër, të shtunën do të diskutohet edhe në klubin e librit “ODA” në Hamburg. Takimi do të mbahet në formatin hibrid me prani virtuale dhe fizike të pjesëmarrësve në Luisenhof në Hamburg-Farmsen. Diskutimi do të nisë nga ora 17:00 dhe të gjithë pjesëmarrësit fillimisht duhet të regjistrohen.