Kulturë

Dyshja nga Hollywoodi: “Zgjoi” – histori e paharrueshme dhe prekëse

Fituesja e dy çmimeve “Golden Globe”, Elisabeth Moss dhe producentja e njohur Lindsey McManus janë producentet më të reja të filmit “Zgjoi”. Kanë marrë këtë rol të ri për të mbështetur kandidatin e Kosovës në rrugëtimin e tij drejt ceremonisë prestigjioze “Oscar” që po e pret përpara. Dyshja ka thënë se “Zgjoi” është një histori e paharrueshme dhe prekëse që shfaq dëshirën për mbijetesë dhe fuqizim përmes një vizioni të guximshëm

Aktorja e njohur, Elisabeth Moss dhe producentja e saj Lindsey McManus, bëhen producente ekzekutive të filmit “Zgjoi” dhe do ta përkrahin atë për kampanjën drejt “Oscarit”.

Dyshja ka thënë se “Zgjoi” është një histori e paharrueshme dhe prekëse që shfaq dëshirën për mbijetesë dhe fuqizim përmes një vizioni të guximshëm.

“Portretizimi i detajuar i betejës së një gruaje drejt pavarësisë na shtyn të kuptojmë mundësinë për ndryshim, dhe tregimi i fuqishëm i Blertës kap me mjeshtëri vetëvendosjen e individëve në të gjithë botën për të tejkaluar vështirësitë”, kanë thënë Moss dhe McManus në një deklaratë të përbashkët.

Aktorja amerikane, Moss, u bë më së shumti e njohur me rolin e saj si Zoey Bartlet, vajza më e re e presidentit Josiah Bartlet, në serinë televizive të NBC-së, “The West Wing” (1999–2006). Prej vitit 2007-2015, ajo u paraqit si Peggy Olson, në serinë “Mad Men” që i solli gjashtë nominime për “Emmy Awards” dhe një nominim për “Golden Globe”.

E paraqitja në serialin “The Handmaid’s Tale” i solli dy çmime “Emmy”, atë për aktoren me të mirë kryesore dhe për producenten më të mirë. Çmimin si aktorja më e mirë në një seri televizive për rolin e saj në “The Handmaid's Tale” e mori edhe nga “Golden Globe”, ku u shpërblye më parë si aktorja më e mirë për rolin e saj në serialin “Top of the Lake”. Moss bashkë me producenten Lindsey MCManus, janë bashkëthemeluese të kompanisë së produksionit “Love&Squalor”. Dyshja ka bërë të ditur se tashmë do të shpërndajë lajmin për filmin “Zgjoi” dhe kandidimin e tij për “Oscars”.

“Zgjoi” nga Blerta Basholli është propozuar nga Kosova si kandidat zyrtar për garën prestigjioze “Oscars”. Filmi shtjellon artistikisht historinë e vërtetë të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në film portretizohet nga aktorja e njohur Yllka Gashi.

“‘Zgjoi’ është sa intim, aq edhe universal, që prek thellë me tregimin, e dhimbjes, qëndrueshmërisë dhe përfundimisht triumfit. Filmi është i realizuar me mjeshtëri në mënyrë realiste, të përmbajtur dhe me gravitet të thellë. Tregimi i vërtetë i Fahrije Hotit në ‘Zgjoi’ është shprehje kinematografike inspiruese në sfidimin e status quos dhe rolet nënshtruese të konstruktuara nga shoqëria në Kosovë dhe botë”, ishte shprehur Komiteti Selektues i Qendrës Kinematografike të Kosovës pas përzgjedhjes së filmit.

Në anën tjetër, Basholli në lidhje me përkrahjen e marrë ka thënë se ka kohë që e përcjell dhe e admiron punën e Elisabeth Moss dhe është e lumtur, krenare dhe e emocionuar që ajo dhe Lindsey McManus u janë bashkuar si partnerë për projektin e tyre.

“Në qendër të ‘Zgjoit’ është Fahrije Hoti, e cila arriti të kapërcejë vështirësitë dhe të nisë biznesin e saj falë mbështetjes së grave në komunitetin e saj. Të kem mbështetjen e Elisabeth Moss dhe Lindsey McManus si partnere në promovimin e historisë së Fahrijes më bën jashtëzakonisht të lumtur”, ka thënë ajo.

Sipas saj, “Zgjoi” është një rrëfim shpresëdhënës dhe pasi këto gra të mrekullueshme i janë bashkuar ekipit, filmi ka edhe më shumë shpresë për vazhdimin e rrugëtimit të tij të suksesshëm.