Historik është kualifikimi i filmit “Pa vend” në garën zyrtare të Festivalit të Filmit në Sundance. Nga pesë festivalet më të mira në botë, ky është i treti në të cilin garon filmi i Samir Karahodës. Lajmi vjen një natë para ndarjes së Çmimit të Akademisë Evropiane të Filmit në Berlin, ku garon edhe rrëfimi për sportistët që s’heqin dorë. “Është një rrugëtim i paimagjinuar, por edhe shpresëdhënës, që në këtë vend ka tregime e edhe vlera”, ka thënë Karahoda. “Thjesht, ëndërr e çdo profesionisti të filmit është që filmi në të cilin ka punuar të shkojë së paku në njërin nga 5 festivalet më të rëndësishme në botë. Ne arritëm që me filmin ‘Pa vend’ të shkojmë në 3 të tillë”, ka thënë producenti i filmit, Eroll Bilibani
Jo një herë, kur “Pa vend” merrte lajmin se është përzgjedhur a nominuar për ndonjë alamet festivali njëri pas tjetrit, ekipi i filmit do të deklaronte se është befasuar. Në fundtetor u bë i pari që nominohet për “Oscar evropian”, dhe së paku regjisori i këtij filmi, Samir Karahoda, do të thoshte se ai sukses i ka tejkaluar pritjet. Por maestroja s’ka pasur të drejtë.
“Pa vend” s’ka të ndalur dhe prestigjiozi, Festivali i Filmit në Sundance, është stacioni i radhës.
“Suksesi i filmit është përtej të gjitha pritjeve pasi që ka arritur të përzgjidhet në 3 nga 5 festivalet më të rëndësishme në botë, si dhe ka arritur të fitojë 7 çmime në festivale brenda vetëm 5 muajve”, shkruhet diku në fund të njoftimit të ekipit për kualifikimin në edicionin e vitit që vjen të festivalit më të madh jo vetëm në ShBA, e që do të mbahet prej 20 deri më 30 janar. Pjesa tjetër e rrugëtimit të filmit – me Cannes e Toronto – është histori. E “Pa Vend” është pjesë e historisë së kinematografisë jo vetëm të vendit. Dhe shënues i sukseseve historike të filmit të Kosovës.
“Sot për ekipin e filmit ‘Pa vend’ të Samir Karahodës është përsëri një ditë e veçantë, pasi që filmi është pranuar në programin garues të filmave dokumentarë të shkurtër të festivalit më të madh në SHBA, atë të Sundance. Kjo korrespondon edhe me 40-vjetorin e themelimit të Sundance Institute”, shkruhet në njoftim.
Por lajmi nga festivali që nisi rrugëtimin në vitin 1978, vjen vetëm pak orë para ceremonisë së çmimeve të Akademisë Evropiane të Filmit. Në Berlin, sot (e shtunë) do të ndahen çmimet që njihen edhe si “Oscarë evropianë”. Aty “Pa vend” është i pari “që do ta përfaqësojë Kosovën përsëri si filmi i parë i një regjisori nga Kosova”.
Pak kohë pas lajmit për “Sundance”, Samir Karahoda në një deklaratë për KOHËN ka rikapitulluar atë që ka arritur deri më tash “Pa vend”.
Karahoda: “’Pa vend’” ka bërë diçka që bëjnë pak filma në botë
“Ky është një lajm tjetër i madh si për neve si ekip e po ashtu edhe për filmin kosovar. ‘Pa vend’ mendoj që ka bërë diçka që kanë bërë pak filma edhe në botë: që të jetë pjesëmarrës në 3 nga 5 festivalet më të rëndësishme në botë, edhe atë të jetë në konkurrencë, ku nga dy prej tyre edhe ka fituar çmime”, ka thënë Karahoda të premten vonë.
Filmi me producent Eroll Bilibanin u dha premierë botërore më 16 korrik në Festivalin e Filmit në Cannes, që e nominoi për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit për vitin 2021. Prej aty vazhdoi në një tjetër kontinent dhe më 19 shtator mori çmimin kryesor “IMDB Pro Short Cuts” në njërin prej festivaleve më të rëndësishme në botë, “Toronto International Film Festival”. Me të zyrtarisht do të kualifikohej për kategorinë e filmit të shkurtër për “Oscars 2022”.
“Sonte jemi të fokusuar në ceremoninë e Akademisë Evropiane të Filmit, ku jemi të nominuar për filmin më të mirë evropian e pastaj presim lajmin tjetër më 21 dhjetor, ku do të kuptojmë se a do të vazhdojmë rrugën për në ‘Oscar’”, ka thënë Karahoda për KOHËN.
Filmi i zhanrit docu-fiction përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që ta mbajnë gjallë sportin e pingpongut duke zhvilluar gjenerata të reja sportistësh. Në 15 minuta sjell krejt peripecitë e sportistëve që pavarësisht të gjithave nuk heqin dorë nga rruga që kanë marrë. E suksesshme është rruga e filmit. Ajo e sportistëve është tjetër.
“Është një rrugëtim i paimagjinuar, por edhe shpresëdhënës, që në këtë vend ka tregime, por edhe vlera”, ka thënë Karahoda për sukseset.
Bilibani: “Thjesht, ëndërr e çdo profesionisti të filmit…”
Një vit të jashtëzakonshëm për filmin e ka cilësuar producenti i filmit “Pa vend”, Eroll Bilibani.
“Një natë para ceremonisë së çmimeve të Akademisë Evropiane të Filmit erdhi edhe lajmi që filmi ‘Pa vend’ është pranuar edhe në një festival të madh siç është ‘Sundance Film Festival’. Për mua personalisht, si producent i Samirit është një nga përmbushjet më të mëdha. Thjesht, ëndërr e çdo profesionisti të filmit është që filmi në të cilin kanë punuar të shkojë së paku në njërin nga 5 festivalet më të rëndësishme në botë. Ne arritëm që me filmin ‘Pa vend’ të shkojmë në 3 të tilla: Cannes, Toronto, Sundance dhe të nominohemi për filmin më të mirë të shkurtër në Evropë”, ka thënë Bilibani, që bashkë me Karahodën kanë edhe një tjetër sukses. Bashkëpunimi i tyre i parë, dokumentari “Në mes” më 2019 e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”.
“Mund të them që këta tre vjetët e fundit kanë qenë të furishëm e të lezeçëm. Po dua ta shfrytëzoj këtë rast ta falënderoj Samirin për besimin e dhënë, ekipin e protagonisteve – Jetonin, Ermeganin dhe Rifatin – dhe në veçanti klubin e pingpongut 'Lidhja e Prizrenit' që në asnjë moment nuk kanë hezituar dhe nuk kanë ngurruar që ta japin maksimumin gjatë produksionit të filmit”, ka thënë Bilibani. Ani pse në momente feste suksesesh, s’ka harruar t’i përmendë ata prej të cilëve gjëllin rrëfimi. Dhe një apel për institucionet.
“Po du me apelu me këtë rast te të gjithë vendimmarrësit që ky klub kampionësh është ende ‘pa vend’, është ende pa hapësirë dhe ende kanë nevojë për mbështetjen institucionale qe e meritojnë. Shpresoj që suksesi i filmit tonë t’i sensibilizojë ata që të bëjnë një zgjidhje të përhershme për këto talente dhe sportet që mund të na e zbardhin fytyrën në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Bilibani.
“Pa vend” ka kohë që ia ka zbardhur fytyrën këtij vendi. Tash e pret “Sundance”, për të cilin festival Kosova nuk është e panjohur. Në fillim të këtij viti “Zgjoi” i Blerta Bashollit bëri histori me suksesin e trefishtë.