Libri që shkrimtarit Shpëtim Selmani vitin e kaluar ia solli Çmimin Letrar të Bashkimit Evropian tashmë është botuar në gjermanisht, përderisa është në proces të botimit edhe në frëngjisht, bullgarisht dhe serbisht. “Çdo libër ka fatin e vet. Prandaj, shpresoj ta ketë fatin e mirë. Ne kemi treg fatkeqësisht jo të madh dhe problematik. Shpresoj që gjermanët do ta mirëpresin dhe të ma japin një shtëpi. Do të doja të jetoja atje”, ka thënë Selmani për KOHËN
Shtëpia botuese gjermane “Parasitenpresse” po vazhdon serinë e saj të publikimit të prozave ndërkombëtare. Kësaj radhe sjell “Libërthin e dashurisë” të autorit shqiptar Shpëtim Selmani. Ka bërë të ditur se tashmë 33 tregimet e shkurtra në të cilat Selmani tregon për jetën e tij si një shkrimtar në Ballkan, për takimet e tij në Prishtinë, Tiranë, Beograd, Leipzing dhe Berlin, por edhe për dashurinë e tij të madhe, janë përkthyer e botuar edhe në gjuhën gjermane. E Selmani ka bërë të ditur për KOHËN se “Libërthi i dashurisë”, të cilën vetë autori e përshkruan si vepër me elemente poetike, tashmë është në proces të botimit edhe në frëngjisht, bullgarisht dhe serbisht.
“Parasitenpresse” është shtëpi e pavarur botuese me seli në Köln. Boton vepra shkrimtarësh që nuk janë gjermanishtfolës dhe të atyre ndërkombëtarë që prej vitit 2000. Këtë vit, pikërisht për këtë mision është me Çmimin gjerman për botues. Boton rreth 15 tituj të rinj në vit.
Libri i Selmanit, që në gjermanisht mban titullin “Notizbuch der Liebe”, tani është pjesë e listës së gjatë të botimeve të tyre. “Libërthi i dashurisë” është i shkruar në mënyrë fragmentare, në formën e mozaikut.
“Jep pamje dhe imazhe të qarta nga jeta e njeriut bashkëkohor, i cili frymon në kohën e një kapitalizmi të egër politik, kulturor, ekonomik dhe social. Apo, më saktë, në Kosovën e pasluftës, e cila vrullshëm përjetoi revolucione të ndryshme shoqërore, politike e teknologjike”, është përshkrimi për këtë libër, që është një shënim personal i autorit, një reflektim apo një meditim për pozitën e tij, identitetet e shumta, funksionet dhe rolin e tij në shoqëri.
Selmani ka thënë se është i gëzuar që “Libërthi i dashurisë” është përkthyer në gjuhën e një vendi që ka traditë të hatashme letrare.
“Dua ta falënderoj Zuzana Finger, e cila ka dhënë dhe jep një kontribut të jashtëzakonshëm që letërsia shqipe të jetë e pranishme në Gjermani. Çdo libër ka fatin e vet. Prandaj, shpresoj ta ketë fatin e mirë. Ne kemi treg fatkeqësisht jo të madh dhe problematik. Shpresoj që gjermanët do ta mirëpresin dhe të ma japin një shtëpi. Do të doja të jetoja atje”, ka thënë Selmani.
“Libërthi i dashurisë” është përkthyer nga përkthyesja e njohur e lindur më 1959 në Sala të Çekosllovakisë së asaj kohe. Ka studiuar gjuhët sllave dhe Ballkanologjinë në Universitetin e Berlinit dhe për doktoratë ka pasur temën “Komunikimi i komunitetit sllovako-hungarez”. Në vitet 2013, 2014 dhe 2015 ajo ka qenë lektore e Albanologjisë në LMU në Münich. Ajo përkthen në gjermanisht nga gjuhët: shqipe, serbishte, sllovakishte dhe çekishte.
Përveç, Selmanit, ndër autorët shqiptarë që ka përkthyer në gjermanisht janë edhe: Eqrem Basha, Arben Idrizi, Jeton Neziraj, Doruntina Basha, Halil Matoshi, Ervina Halili, Ballsor Hoxha e të tjerë. Finger po ashtu ishte pjesë e rezidencës letrare “Prishtina nuk ka lumë”, që organizohet nga “Qendra Multimedia”.
Rrëfimi te “Libërthi i dashurisë” sipas përshkrimit fillon me narratorin duke reflektuar mbi rutinën e tij të përditshme dhe vazhdon me atë duke menduar për një numër të temave nga ato mondane deri tek ato botërore dhe shpirtërore, duke prekur nga fragmente prej së kaluarës dhe të tashmes, dhe mbi çështje me rëndësi lokale e globale. Aty tregohet se më vonë narratori përzien monologët e tij të brendshëm me një fokus në të dashurën e tij dhe shtatzëninë e saj, dhe ai e demonstron transformimin e tij në përgatitje për t’u bërë prind.
“Ai reflekton mbi relacionin me babanë e vet mbi lidhjen e tij me letërsinë dhe nacionalizëm, konsumerizëm dhe - izma të tjera. Ndjenja e të lindurit një krijese të re e bën narratorin të mendojë për preokupimet e tij prej një këndi të ri dhe të ndryshëm. Rrëfimi mbyllet me aktin e emërimit të të birit të sapolindur, duke aluduar në fuqinë e referencimit që ka gjuha”, është shkruar tutje.
Selmani ka studiuar për sociologji e aktrim në Universitetin e Prishtinës. Përveçqë shkruan poezi dhe prozë, ai rregullisht luan në shfaqje teatrore. Kohëve të fundit, pos skenës teatrore, është edhe një prej aktorëve më të angazhuar edhe në film.
Ka botuar librat “Shënimet e një grindaveci” (2016), “Poezi në kohën e gjakut dhe dëshpërimit” (2010-2017), si dhe shkruan rregullisht edhe për blogun alternativ “S’bunker”.
Vitin e kaluar pikërisht me veprën “Libërthi i dashurisë” u shpall laureat i Çmimi Letrar i Bashkimit Evropian , bashkë me 12 shkrimtarë të tjerë. Kishte thënë se kjo përzgjedhje ka bërë që të hapet një derë e re, ku mund të shihet skena kulturore e vendit së cilës nuk i mungojnë vlerat evropiane.
Fituesit, përfshirë edhe Selmanin, morën shpërblimin prej 5.000 eurosh dhe zotimin se do të promovohen ndërkombëtarisht në panaire të librave. Për këtë çmim në garë ishin shkrimtarë nga 41 vende, të cilat janë pjesë e programit “Evropa kreative” – një iniciativë për të forcuar kulturën evropiane.
Çmimi i Bashkimit Evropian për letërsi synon afirmimin e kreativitetit dhe diversitetit gjuhësor e kulturor në letërsinë bashkëkohore të Evropës. Kosova mori pjesë për herë të parë, vitin e kaluar, pasi që u bë pjesë e programit “Evropa kreative”.
Për herë të parë Çmimi ishte ndarë në vitin 2009 dhe që atëherë janë përzgjedhur 122 fitues nga 11 edicione. Në mesin e tyre janë emra të njohur, por edhe shkrimtarë të rinj, që më pas shpërthyen edhe në qarqe ndërkombëtare.