Kulturë

Teatri Kombëtar dy vjet pa drejtor, dështon edhe konkursi i radhës

Ministria e Kulturës po mbush dy vjet prej kur nuk po mund të gjejë drejtor të përgjithshëm për Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ka dështuar ta bëjë këtë edhe me konkursin e fundit, i dyti për dy vjet. Kësaj radhe dy nga katër kandidatët kanë dalë se nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara me konkurs.

Aktorët Kushtrim Sheremeti dhe Blerim Krasniqi i kanë plotësuar kushtet, përderisa regjisori Kushtrim Mehmeti dhe aktori Xhemail Agaj kanë dalë se nuk i kanë përmbushur kërkesat e konkursit. Për këtë arsye Ministria e Kulturës të martën ka bërë të ditur se konkursi i hapur në tetor është anuluar.

Si zakonisht njoftimi për anulim është bërë pa kurrfarë sqarimi. Zyrtarët e Divizionit për Burime Njerëzore thjesht janë bazuar në disa nene ligjesh e udhëzimesh administrative për të njoftuar opinionin se konkursi është anuluar.

Sipas konkursit, ai që ia mësyn të bëhet drejtor i përgjithshëm i TKK-së duhet të kenë shtatë vjet përvojë pune profesionale e pesë prej tyre në pozitë drejtuese.

Kushtrim Mehmeti dhe Xhemajl Agaj del të mos e kenë plotësuar përvojën e kërkuar të punës pas diplomimit. Këtë e kanë konfirmuar në Ministrinë e Kulturës. Se nuk janë të paktën tre kandidatë që i plotësojnë kushtet është njoftuar edhe Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Në bazë të Ligjit për shërbyesit publikë duhet të kemi të paktën tre kandidatë të përgjegjshëm për të vazhduar procedurën”, ka thënë një prej zyrtarëve të administratës në Ministrinë e Kulturës.

Dy prej kandidatëve janë mësuar që të mos ia dalin në gara publike. Kushtrim Sheremeti në vitin 2017 nuk ia kishte arritur të jetë asamblist i Lëvizjes për Bashkim në Komunën e Prishtinës. Kishte marrë 110 vota. E Kushtrim Mehmeti me 48 vota kishte dështuar të bëhej asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj.

TKK-ja është afër vitit të dytë pa drejtor të përgjithshëm. Ish-drejtorit të TKK-së, Agim Sopi, i kishte skaduar mandati më 18 janar të vitit 2020.

Deri në nëntor të vitit 2020 nuk u hap konkursi fare. Më pas, në mars të këtij viti, zyrtari ministror e regjisor Naser Shatrolli qe zgjedhur drejtor. Në prill Ministria e Kulturës erdhi në përfundim se procesi nëpërmjet të cilit qe zgjedhur Shatrolli drejtor nuk ishte në përputhje me ligjin. Deri te ky vendim kishte ardhur pas ankesës së kundërkandidatit Blerim Krasniqi. Kandidat tjetër ishte edhe Kushtrim Sheremeti, i cili kishte bërë edhe akuza për ndërhyrje politike në proces.

Aktualisht MKRS-ja nëpërmjet konkursit është duke kërkuar edhe udhëheqës artistik për TKK-në. Institucioni më i lartë teatror në vend nuk ka udhëheqës artistik qysh prej qershorit të vitit 2019. Fatos Berisha qe zgjedhur, por nuk e kishte pranuar detyrën.

Në anën tjetër, një opinion i Agjencisë Kundër Korrupsionit kishte bërë që Sinan Kajtazi të mos qëndronte më shumë se dymbëdhjetë ditë si i zgjedhur në pozitën e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. MKRS-ja e ka të hapur konkursin për këtë pozitë. Konkursi tjetër për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës po ashtu është në prag të dështimit. Ky institucion është pa drejtor qysh prej gushtit të vitit 2020, kur Arta Agani kishte përfunduar mandatin.

Një prej arsyeve të dështimit të konkurseve llogaritet të jetë edhe paga e drejtorëve që varësisht nga përvoja e punës është rreth 600 euro bruto. Qeveria është duke punuar në Projektligjin për paga dhe Ministria e Kulturës ka kërkuar që paga e drejtuesve institucionalë të kulturës e trashëgimisë kulturore të jetë ekuivalente me ato të profesorëve e të rektorëve të universiteteve publike, që shkon mbi 2000 mijë euro.