Kulturë

“Larg shpisë” në ballafaqimin me të kaluarën si refugjatë

Ekspozita “Larg shpisë”, e hapur nga Muzeu Virtual i Refugjatëve në bashkëpunim me artistin Artan Hajrullahu, synon të frymëzojë qytetarët që të bashkohen në kërkesën ndaj institucioneve përgjegjëse për zbatimin e mekanizmave të duhur për ballafaqimin me të kaluarën. Artisti vizualizon në art pamor rrëfimet e refugjatëve. Emëruesi i tyre i përbashkët është kujtesa kolektive

Tri rrëfime nga Muzeu Virtual i Refugjatëve i kanë shërbyer artistit Artan Hajrullahu si bazë për realizimin e dhjetë veprave të tij më të reja. Në pako letre me laps ka realizuar imazhet që i kanë ardhur në mendje pas leximit të rrëfimeve të Sabernete Nurajt, Sabri Hasanit dhe Brankos. Të martën këto vepra janë ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Ato kanë kthyer vëmendjen te Muzeu Virtual i Refugjatëve – i themeluar në vitin 2018 – që shërben si një hapësirë për memorializim dhe dokumentim të përvojave të refugjatëve përmes rrëfimeve audio. E sipas përshkrimit në ueb-faqe kjo hapësirë kontribuon në njohjen simbolike të vuajtjeve dhe shkeljeve të të drejtave themelore të civilëve gjatë luftës në Kosovë. Është krijuar nga organizata “Youth Initiative for Human Rights”.

Ekspozita “Larg shpisë” synon të frymëzojë qytetarët që të bashkohen në kërkesën ndaj institucioneve përgjegjëse për zbatimin e mekanizmave të duhur për ballafaqimin me të kaluarën. Në të njëjtën kohë, sipas përshkrimit, rrëfimet synojnë të sfidojnë diskursin publik të njëanshëm dhe etniko-nacionalist lidhur me të kaluarën e Kosovës duke rritur empatinë shoqërore ndaj eksperiencave të civilëve nga të gjitha grupet etnike. Vizitorëve të ekspozitës u është dhënë edhe nga një libërth ku janë të transkriptuara tri tregimet, ndërsa gjatë gjithë kohës janë dëgjuar edhe intervistat e tre personazheve.

Në vepra shfaqen imazhe të njerëzve që në kolona lënë vendin, persona të përgjakur e pa kujdes të duhur mjekësor, veç me një infermiere pranë tyre, njerëz të frikësuar që u janë vënë grykat e pushkëve te koka, shtëpi të djegura dhe pak gëzim e një lule për ushtarët e forcave të NATO-s.

Marigona Shabiu, drejtore ekzekutive në YIHR-së, ka thënë se këto janë rrëfime shumë personale që shpërfaqin përjetimet, frikë dhe ndjenja shumë të fuqishme të këtyre personave dhe të asaj se si e kanë përjetuar ata këtë periudhë mjaft të ndjeshme të historisë.

Image

Muze Virtual ka për qëllim që t’u krijojë hapësirë të sigurt ku personat që kanë qenë të heshtur për kaq shumë kohë të ndajnë përjetimet e tyre personale me një publik më të gjerë. Kjo nismë sigurisht është një nismë shumë e rëndësishme që kontribuon në ndërtimin e kujtesës kolektive në Kosovë dhe njëkohësisht është një mundësi që t’u njihen vuajtjet, përjetimet e të gjithë atyre që janë detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre”, ka thënë ajo.

Sipas saj, përmes muzeut dhe nismave të tilla YIHR-ja synon të ndikojë edhe në procesin e pajtimit duke nxjerrë në pah përjetimet e qytetarëve për t’i shfrytëzuar këto rrëfime për të mësuar se lufta ka qenë e tmerrshme për të gjithë.

Ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Pauline Menthonnex - Gacaferri, ka thënë se kjo ekspozitë është e rëndësishme jo vetëm për gjeneratat e sotme, por edhe për ato që do të vijnë më pas.

“Viktimat gjatë luftës kanë qenë të shumta. Lufta ka lënë shumë trauma por gjithashtu eksperienca si refugjatë ka ndikuar në jetën e njerëzve dhe në atë se kush ata janë bërë sot. Zvicra ka qenë gjithmonë mbështetëse e përfshirjes dhe qasjes që viktimat të ballafaqohen me të kaluarën, në Kosovë por edhe në regjion”, ka thënë ajo. Ka shtuar se iniciativa e YIHR-së dhe e artistit në këtë rast është e mirëseardhur pasi që përdorimi i artit është një mënyrë interesante për të shikuar përtej dhe për të diskutuar një çështje kaq të ndjeshme.

Koordinatorja e programit, Bjeshkë Guri, ka thënë se Muzeu tani shërben si një arkiv digjital që vazhdimisht dokumenton përvojat e refugjatëve. Ka shtuar se kanë vendosur që të bashkëpunojnë me artistin Hajrullahu për të rritur në një formë ndjeshmërinë e njerëzve karshi përjetimeve të refugjatëve.

“Menjëherë pas luftës në Kosovë ka dominuar një farë narrative e militarizuar, një kujtesë kolektive e militarizuar se vetëm nëse ke qenë në luftë duke luftuar, ose vetëm nëse ke qenë komandant, rrëfimi yt ka vlerë, kështu që ne kemi dashur që ta sfidojmë këtë narrativë duke treguar se edhe ne me forcat tona, gratë, fëmijët, pra të gjithë bashkë, e kemi bërë luftën tonë dhe veç përjetimit ka qenë një barrë e madhe për ne dhe ia vlen të validohet edhe prej shtetit, me pas shumë më shumë mekanizma shtetërorë që e bëjnë validimin e asaj që kemi përjetuar”, ka thënë ajo.

Ekspozita “Larg shpisë” do të jetë e hapur për një javë, kurse Muzeu Virtual i Refugjatëve është i qasshëm gjatë gjithë kohës në ueb-faqen: museumofrefugees-ks.org